Albspirit

Media/News/Publishing

Më 1 Shtator 1928, Zogu u shpall “Mbret i shqiptarëve”

Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet ’20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki.

Ky propozim u hodh në votim dhe parlamenti më 30 Gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.

Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese shpalli: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”. Mbasi e pranoi fronin, Naltmadhnia e Tij Zog I, Mbret i Shqiptarëve bëri betimin mbi flamurin kombëtar:  “Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Monarku i ri e firmosi betimin dhe mbajti një fjalim të shkurtër me tone të thella sinqeriteti.

U miratua Statuti Themeltar i 1928. U miratuan kodi civil, ai tregtar, etj. U miratuan ligje të tilla si për reformën agrare, heqjen e ferexhesë, etj duke aboluar Ligjin Islamik e duke e zëvendësuar me kodin civil të mbështetur tek ai zviceran siç kishte bërë dhe Mustafa Kemal Atatürk me Turqinë.

Mbreti Zog nxiti ndërtimet botore në vend, rritjen e mirëqenies, zhvillimin e tregtisë, balancim të bilanceve tregtare, shkollimin e brezit të ri, përgatitjen e inteligjencies në universitetet perëndimore, etj.

Më 27 prill 1938 martohet me konteshën hungareze Geraldina Appony.  Më 7 prill 1939, duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria.

Please follow and like us: