Albspirit

Media/News/Publishing

Juristët: Mungesa e dispozitave kalimtare skandal/ Dosjet e korrupsionit rrezikojnë të pushohen

Juristët: Mungesa e dispozitave kalimtare skandal/ Dosjet e korrupsionit rrezikojnë të pushohen

Kushtetuta e re është e pazbatueshme. Ky është emëruesi i përbashkët i tre deklaratave të Presidentit të Republikës kryeprokurorit Adriatik Llalla, dhe së fundi edhe të juristëve. Këta të fundit japin alarmin se dhe deklarojnë se Kushtetuta e re bie ndesh me ligjet e vjetra, pasi mungojnë dispozitat kalimtare që lejojnë krerët e institucioneve ligjzbatuese të veprojnë. Sipas gazetës Sot juristët thonë se edhe me miratimin e 7 ligjeve sërish do të ketë boshllëqe dhe ngërç në zbatimin e Kushtetutës. Avokati Genc Gjokutaj, në një prononcim për gazetën “Sot”, sqaroi se mungesa e dispozitave kalimtare do të bëjë që një sërë dosjesh të korrupsionit të pushohen.

“Shqetësimi i prokurorit është shqetësimi i një njeriu të ligjit, i cili e gjen veten jashtë loje me këtë Kushtetutë. Sepse është miratuar një pjesë, ndërsa pjesa implementuese nuk është miratuar. Ky është një skandal i ligjvënësve shqiptarë. Ligji duhet të thoshte në fund që dispozitat e ligjit të vjetër do të vazhdojnë deri sa të plotësohet kuadri ligjor në bazë të Kushtetutës së re. Ne kemi një Kushtetutë të re, por ligje që janë në zbatim në bazë të Kushtetutës së vjetër. Një ligj që bie ndesh me Kushtetutën është nul, nuk ka efekt”, tha Gjokutaj.

Avokati Sajmir Vishaj përcjell të njëjtin shqetësim. Ai thotë se kjo Kushtetutë, kur është hartuar, nuk është parë me detaje deri ditën e miratimit të saj. Vishaj tha se Kushtetuta do ketë probleme edhe pas miratimit të 7 ligjeve. “Deputetët e votuan Kushtetutën pa e parë në detaje. Kushtetuta ka shumë probleme, e cila do të hasë shumë vështirësi në zbatim. Edhe pas miratimit të 7 ligjeve sërish do të ketë boshllëqe në zbatimin e dispozitave kalimtare. Ky është një shqetësim i drejtë i ngritur nga kryeprokurori. Aktualisht janë shumë çështje në dorë që kanë të bëjnë me korrupsionin ose me krimin e organizuar, për të cilat duhet të merret SPAK. SPAK nuk do të varet nga Prokurori i Përgjithshëm, kështu që do të ketë probleme edhe me zbatimin e ligjeve të tjera, por që të gjitha kalojnë me dispozita kalimtare”, tha Vishaj.

Please follow and like us: