Albspirit

Media/News/Publishing

Kam etje për ty – Anjeza Gonxhe Bojaxhiu

 

Përktheu: Erlind Sulko

Është e njëmendët. Qëndroj para derës së zemrës tënde, ditë dhe natë. Edhe kur ti nuk je duke më dëgjuar, edhe kur ti dyshon se mund të jem unë, unë jam aty: duke pritur edhe shënjën më të vogël të përgjigjes tënde, edhe shenjën më të vogël të një ftese që të më lejoj të hyj. Dua që ta dish se sa herë që ti më fton unë vij gjithmonë, nuk harroj. E heshtur dhe e padukshme vij, por me një fuqi dhe dashuri të pafundme, duke sjellë dhuratat e shumta të shpirtit tim. Vij me mëshirën time, me dëshirën për të falur dhe të shëruar ty, me një dashuri që kalon kufirin e kuptimit tënd.

Një dashuri në çdo hollësi, e ngjashme me dashurinë që kam marr nga Ati im. “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve…” (Gjoni 15:10). Vij e etur që të ngushëlloj dhe të jap fuqi, të ngrej lart dhe t’i lidh plagët e tua. Do të sjell dritën time, të largoj errësirën dhe dyshimet e tua. Vij me fuqinë time, që më lejon të të mbart: me hirësinë time, të prek zemrën dhe të ndryshoj jetën tënde. Vij me paqen time, të qetësoj shpirtin tënd.

Të njoh si pëllëmbën e dorës time. Njoh gjithçka mbi ty. Edhe fijet e flokut t’i kam numëruar. Asgjë në jetën tënde s’është e parëndësishme për mua. Të kam ndjekur përgjatë viteve dhe përherë të kam dashur edhe kur ti e ke humbur udhën.

E njoh çdo vuajtje që ke ti. Ti njoh të gjithë nevojat dhe shqetësimet dhe, po, ti njoh të gjitha mëkatet. Por, po ta them sërish që të dua, jo për atë që ti ke apo për atë që ti nuk e ke, të dua ty si ty, për bukurinë dhe dinjitetin që Ati im të dhuroi duke të krijuar në shëmbëlltyrën e tij.

Është një dinjitet që ti shpesh e harron, një bukuri që ti e ke nxirë me mëkat. Por të dua ashtu siç je dhe kam derdhur gjakun tim për të shpëtuar ty. Edhe nëse ti vetëm më thërret me besim, hirësia ime do prekë gjithçka që ka nevojë për tu ndryshuar në jetën tënde: do të japë fuqinë që ta çlirosh veten nga mëkati dhe pushteti i saj shkatërrues. E di se çfarë është në zemrën tënde, e njoh vetminë tënde dhe plagët e tua, mospranimet, gjykimet, poshtërimet, i kam mbartur të gjitha para teje. Dhe i mbarta të gjitha për ty, që ti të arrije ta shpërndash fuqinë time dhe fitoren time.

Njoh, mbi gjithçka tjetër, nevojën tënde për dashuri, sa shumë që të ka marrë etja për dashuri dhe ngrohtësi. Por, sa herë ke kërkuar më kot ta shuash etjen tënde, duke kërkuar dashuri me egoizëm, duke u munduar ta mbushësh zbrazëtinë brenda teje me kënaqsi kalimtare, me boshin edhe më të madh të mëkatit. A ke etje për dashuri? “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë…” (Gjoni 7:37).

Do të plotësoj ty dhe të mbush ty. A ke etje për të qenë i dashuruar? Të dua më shumë seç mund ti ta përfytyrosh… deri në pikën e flijimit në një kryq për ty. Kam etje për ty. Po, kjo është udha e vetme, të filloj duke të përshkruar dashurinë time për ty.

Kam etje për ty. Kam etje të të dua ty dhe të duhem nga ti. Kaq i çmuar je ti për mua saqë kam etje për ty. Eja tek unë, dhe do ta mbush zemrën tënde dhe do t’i shëroj plagët. Do të kthej në një qenie tjetër dhe do të jap paqe edhe në mundimet e tua.

Kam etje për ty. Nuk duhet ta dyshosh asnjëherë mëshirën time, dëshirën time për të falur, etjen time për të bekuar dhe të jetoj jetën time brënda teje dhe që unë të pranoj pavarsisht se çfarë ke bërë. Kam etje për ty. Nëse ndihesh i pavlerë para syve të botës, s’ka rëndësi. Nuk ka asnjë në tërë botën që më intereson më shumë se sa ti.

Kam etje për ty. Hapu tek unë, eja tek unë, ki etje për mua, ma dhuro jetën tënde. Do ta vërtetoj se sa i rëndësishëm je ti për zemrën time. A nuk e kupton që Ati im e ka tashmë një parashikim të përkryer për të ta ndryshuar jetën, duke filluar që nga ky çast? Më beso. Më kërko çdo ditë që të hyj dhe të udhëheq jetën tënde dhe do ta bëj. Të premtoj përpara Atit tim në Qiell që do të bëj mrekullira në jetën tënde.

Pse do ta bëjë këtë? Sepse kam etje për ty. Po të kërkoj vetëm që ti ta dorëzosh veten tërësisht tek unë dhe unë do e kryej gjithçka tjetër. Nga ky çast, e shikoj vendin që Ati im ka përgatitur për ty në Mbretërinë e tij. Mos harro se në këtë jetë je një udhëtar duke u kthyer në shtëpi. Mëkati nuk ka për të plotësuar asnjëherë, as nuk ka për të sjellë paqen që ti kërkon. Gjithçka që ti ke kërkuar jashtë meje të ka lënë vetëm më të zbrazur, prandaj mos e lidh veten tek gjërat e kësaj bote; mbi gjithçka tjetër, mos u largo nga unë kur të rrëxohesh. Eja tek unë pa u vonuar se, kur ti më jep mëkatet e tua, ti më jep kënaqsinë e të qënit shpëtimtari yt.

Nuk ka asgjë që unë nuk mund ta fal dhe shëroj; prandaj eja tashmë, dhe hiqe barrën nga shpirti. Sado i humbur që të jesh, sado që të më kesh harruar, sado kryqe të mbartësh në këtë jetë; dua që ta mbash mend gjithnjë, një gjë që nuk ka për të ndryshuar kurrë. Kam etje për ty – vetëm për ty, ashtu siç je.

Ti nuk duhet të ndryshosh që të besosh në dashurinë time, sepse është besimi në këtë dashuri që do të ndryshojë. Ti më harron, e prapë unë të kërkoj ty në çdo kohë të ditës – qëndroj para derës së zemrës tënde duke të thërritur. A mendon se është e vështirë të më besosh? Nëse po, shiko kryqin, shiko zemrën time që u shpua për ty. A nuk e ke kuptuar kryqin tim? Atëhere dëgjo fjalët që thash atje, se ato e thonë qart se pse unë durova gjithçka për ty: “… Kam Etje” (Gjoni 19:28)

Po, kam etje për ty. Siç thotë edhe pjesa tjetër e psalmit për mua: “…prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.” (Psalmet 69:20) Gjithë jetën kam dëshiruar dashurinë tënde. Askurrë nuk kam pushuar duke kërkuar dashurinë tënde dhe etjen për tu dashuruar nga ti. Ke provuar shumë gjëra në qëllimin tënd për të qenë i lumtur. Pse nuk provon të më hapësh zemrën tënde, në këtë çast, më shumë se çdo herë tjetër? Kur ti përfundimisht t’i kesh hapur dyert e zemrës tënde dhe t’i jesh afruar mjaftueshëm, do më dëgjosh duke të thënë përsëri dhe përsëri, jo vetëm me fjalë njerëzore, por me shpirt: “çfarëdo që të kesh bërë, të dua pa kushte. Eja tek unë me vuajtjen tënde dhe mëkatet e tua, me shqetësimet dhe nevojat e tua, dhe me gjithë dëshirat e tua për të qenë i dashuruar. Qëndroj tek dera e zemrës tënde dhe të thërras… Hapu tek unë, se kam etje për ty…”.

Please follow and like us: