Albspirit

Media/News/Publishing

90-vjetori i ditëlindjes së Agim Karagjozit

Beqir Sina

Agim Karagjozi, President Nderi i Vatrws, feston sot, 90-vjetorin e lindjes.
Ai u lind me 1 shtator 1926, në Gjirokastër, në një familje të pasur qytetare, që shquhej për atdhetarizëm.
Katër klasë të arsimit fillor i bëri në qytetin e lindjes, klasën e pestë në Vlorë. Në vitet 1938 – 1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës.
Që në moshën 16 vjeçare i riu Agim Karagjozi u përfshi në veprimtari aktive me Rininë Nacionaliste të Ballit Kombëtar. Në vitet 1943-44, ishte anëtar aktiv në rininë e Ballit Kombëtar në Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. Në verë 1944, ishte vullnetar në batalionin “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës, ku ra dëshmor i riu Hamit Troplini.
Në moshën 18 vjeçare, nëntor 1944, së bashku me të atin dhe shumë nacionalistë të tjerë mori rrugën e mërgimit, përmes një odiseje të vështirë, me një motobarkë arritën në Itali. Saga e ikjes nuk përfundoi aty, por vazhdoi drejt Turqisë. U regjistrua dhe kreu studimet universitare për inxhinieri elektrike në Robert College të Stambollit. Ëndrra e tij ishte “Toka e Lirisë”, Amerika. Pas studimeve, më 1956 ai erdhi në Amerikë. Pa asnjë mëdyshje mori kontakte me vatranët dhe u bë pjesë aktive e Vatrës. Po mbushen 6 dekada, që është pjesë e Vatrës, duke shënuar një rekord historik të Federatës 104 vjeçare dhe duke u bërë kështu vatrani me më shumë vite aktive në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.
Inxhinier Agim Karagjozi e udhëhoqi Vatrën për dy dekada, madje në kohë shumë të vështira, nga viti 1992 deri në vitin 2010, kur dha dorëheqje për arsye shëndetsore. Për shumë kohë ai pat drejtuar edhe degën më të madhe të Vatrës, atë me nr. 29 në Nju Jork.
Karagjozi së bashku me atdhetarët e tjerë nacionalistë u bënë pengesa kryesore e regjimit komunist të Tiranës, që u përpoqën ta neutralizonin veprimtarinë Kombëtare, antikomuniste të Vatrës, ndërsa pas rrëzimit të komunizmit, mbështetën forcat e reja demokratike.
Kosova e robëruar, ishte plaga që i shkatonte më së shumti dhimbje Agim Karagjozit. Ai e orientoi Vatrën kah Kosova, duke i dhënë mbështetje pa kushte drejt Lirisë. Dr. Ibrahim Rugova, tek Vatra dhe Karagjozi, shihte dritaren drejt Washingtonit.
Agim Karagjozi me bashkëpunëtorë nuk kurseu asgjë për Lirinë e Kosovës. Ai e hodhi Vatrën në aksion për të mbledhur ndihma për Luftën, dhe me një delegacion, që e udhëhoqi ai, i dërguan ndihmat monetare tek përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës në Tiranë. Jo vetëm kaq, por së bashku me një grup vatranësh, ai shkoi deri në Tropojë, duke udhëtuar përmes Shqipërisë së rebeluar, që kishte rrëmbyer armët, dhe duke vënë jetën në rrezik,shkuan në spitalin e qytetit, takuan të plagosurit e Luftës, duke dorëzuar ndihmat që kishin marrë prej Amerike. Z. Karagjozi e ndjeu veten me fat, tek përfaqësoi Vatrën historike në takimin këshillues me Presidentin Bill Klinton, përpara se të bombardohej Serbia, ashtu si dikur, paraardhësi i tij i famshëm,ish kryetari themelues i Vatrës, Fan S Noli, pat takuar presidentin Wilson, në takimin me përfaqësuesit e Kombeve në SHBA, dhe iu lut për shpëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë në prag të Konferencës së Paqës.
Po ashtu, ai ndjehet me fat që në ceremoninë për pranimin e Shqipërisë në NATO,organizuar në Shtëpinë e Bardhë nën drejtimin e Presidentit George Bush,mori pjesë bashkë me një grup vatarnësh.
Karagjozi do të mbahet mend edhe për faktin se ishte ai që e bëri Vatrën me një shtëpi stabël. Për rreth një shekulli Vatra ka vuajtur për ta pasur të vetën një shtëpi, por kjo u bë realitet vetëm në sajë të seriozitetit me të cilin e kreu Karagjozi detyrën e kryetarit për grumbullimin e fondeve të shtëpisë së Vatrës. Edhe pse kryetarët e Vatrës patën kërkuar me këmbëngulje që fondet të shpenzoheshin për gazetën dhe botime të tjera, apo për emërgjenca, ai kurrë nuk tha”PO”, por kundërshtoi me argumenta, dhe i sigurtë punoi dhe siguroi fondin e domosdoshëm. Po t’i shtosh këtij faktin edhe kontributin që dha i biri, Zyhdi Karagjozi, që gjeti një banesë që shitej përmes bankës, dhe duke mos marrë asnjë interes për vete, duhet thënë pa mëdyshje se vatranët u bënë me shtëpi nga Agim Karagjozi dhe i biri, Zyhdiu.
Për aktivitetin e tij atdhetar z. Agim Karagjozi është nderuar nga Qyteti i Lindjes,që e ka shpallë “Qytetar Nderi të Gjirokastrës”, është nderuar nga Presidentët e Shqipërisë me ” Shqiponjën e Artë” dhe me Urdhërin “Nder i Kombit”.

 

agimk1AgimK2AgimK3agimK4

 

Please follow and like us: