Albspirit

Media/News/Publishing

Mel, sorkadhet zgjohen në orën 10

Sorkadhet zgjohen në 10 Mel

 

Nga Mira Kazhani

Një dron që xhiron vetëm mbi një plazh të Sirisë “së bukur” kaloi më shumë sesa reklamë për turizmin, një provokim për pjesën tjetër të botës. Megjithatë, përpjekja e një vendi në luftë ku priten koka e vdesin fëmijë të pafajshëm, ku sheh si të vetmen dritë, turizmin; mund të shërbejë edhe si një leksion për vende si Shqipëria që jetojnë në paqe.

Këtë verë nuk pushova gjatë për një mijë arsye që lexuesit e këtij shkrimi nuk kanë pse i interesojnë. Por në fund të gushtit shoqja ime më ftoi të bënim 3 ditë në jug bashkë me vajzën e saj të vogël. Në fund të udhëtimit desha të shkruaj. I kisha të gjitha fjalitë para syve por një ndjenjë patriotike më pengoi. -Epo u bë rrugë kjo marrje e Shqipërisë me të shara e kritika sa herë mbyllen sezonet dhe kështu vendosa të mos pickoj asnjë germë mbi tastierë.

Por ja, të del spoti i qeverisë siriane, me një dron, një motor uji, disa çadra të lodhura ku vetëm pak km më tutje luftohet, dhe me kurajë të shkruan në fund se prapëseprapë; Siria qe e bukur. M’u fanit Shqipëria e jonit. E bekuar me diell, guralecë, pa luftë dhe yje që diku andej nga Drimadhes kujt i ka rënë rasti të jetë i vëmendshëm, ato janë më afër se kurrë me tokën. Mbrëmjet janë si një ëndërr me fishekzjarre dhe mund të mendosh që ka ditëlindjen Armina. Por në fakt janë thjesht yjet e jugut tonë.

Nga Tirana u nisëm herët. Bëmë atë ndalesën për një kafe dhe për dridhurat e Melit të vogël në Fier. Kafja të vjen helm se meqë kanë punë marrin me siguri cilësinë më të dobët. Duke ngjitur Llogaranë, propozova se një ndalesë te sorkadhet duhet të ishte një magjepsje për të voglën. Fëmijët mrekullohen aq shumë më kafshët. Ishte ora 9 e pak minuta dhe dera e parkut të Llogarasë qe e mbyllur. Dallohej një letër e vendosur nga ana e kundërt që duhet të kishte diçka të shkruar me siguri por që nuk e deshifroje ashtu të varur, mbrapsht. Për fat u shfaq një burrë por që gjatë komunikimit kuptova se nuk ishte edhe aq fat. Me një ton nervoz u drejtua si kompetent: është mbyllur nuk e shikoni letrën?

Jo- u përgjigja unë. Letrën e keni vënë mbrapsht dhe e lexoni vetëm ju nga brenda. Në fakt donim të shihnim sorkadhet. Kam një vogëlushe që sot mund t’i shihte për herë të parë. Bëhet që të futemi?

-Jo, ka orar këtu goce. Sorkadhet vetëm në orën 10.

U largova, hapa derën e makinës dhe ju drejtova Mel si të ishte vajzë e madhe :- Sorkadhet zgjohen në 10 shpirt. Letrën njoftuese e kishin vënë të zotët por mbrapsht. Ai xhaxhi është më nerva edhe pse është ende Gusht, piku i sezonit turistik. -Mel qeshi si gjithmonë me mimikat e mia dhe nuk e çau kokën për sorkadhet gjumashe.

Në Drimadhes për shkak të mungesës së tabelave mezi gjetëm rrugën për te hoteli, i cili ishte i pashëm, i ri, i pastër dhe me një kuzhinier të mirë. Menaxherja ishte një vajzë e gjendur dhe të ofronte komoditet por ja që nuk varët çdo gjë as nga të zotët e hotelit. Në drekë të gjithë zonën deri te bregu e pushtoi era mut. Kamerieret nuk dinin ç’të na thonin. Pyesnim se çfarë kish ngjarë, kur mësuam se një gropë septike ishte menaxhuar keq dhe inxhinierët e ardhur me urgjence nga Tirana po e rregullonin. Mbrëmja kaloi po ashtu e parfumosur si më keq. Të nesërmen gjithçka ishte larë dhe kish shkuar në vend. Jeta rinisi në hotelin e bukur. Merrnim rreze, pinim frape me akull, dhe dëgjonim këngët e Alban Skënderajt në sfond.

Pasditen e ditës së dytë dhe ditën e tretë te çadra rikthehej herë pas herë një erë e rëndë. Melit ju bënë kontrolle të befasishme, por nuk ishte ajo. Madje shihnim dhe njëri-tjetrin me dyshim, se veç aromës së sikletshme asnjë gjurmë apo shenjë.

Edhe sot që po shkruaj nuk e di se e kujt ishte autorësia e erës te çadrat buzë detit. Mbeti enigmë! Ishte si një duhmë. Vinte dhe ikte në një formë kokëfortë.

Kur shoh fotot çdo gjë më duket kaq e bukur. Sepse aty është gjithçka veç erës. Dhe sa zili i kam sorkadhet që zgjohen në 10 dhe nuk kanë zbritur kurrë për të parë sesa “terroristë” jemi ne me pjesën më të bukur të këtij vendi. E gjitha që kujtoj tani është kur thonim se sikur mos vinte era m…do ishim shumë të lumtura. Le të flinin sorkadhet deri sa t’ju qepeshin qerpikët po të ndienim pak aromë deti dhe jo metabolizmi perfekt! Aq më tepër që ato ditë, deti në Drimadhes kishte një blu të mrekullueshme sikur kish dalë nga reklame e Cartier.

Ne kemi një Jon që nuk e trajtojmë si të ishte i Joni. Një Jon që nuk ka nevojë për dron, biznesmenë pasionantë dhe gazetarë që të shkruajnë për të. Mjaft mos i bëjmë m….

Please follow and like us: