Albspirit

Media/News/Publishing

Prej marksizëm-leninizmit në bullshitizëm

Veton Surroi

Populli e toleron “bullshitin” më lehtë, sepse nuk e konsideron, siç ndodh me gënjeshtrën, ofendim personal

1.
Një barsoletë e vjetër polake, e kohës së luftës së ftohtë, thoshte se faza e ndërmjetme në kalimin prej kapitalizmit në komunizëm nuk është, si na kanë mësuar, socializmi. Është alkoolizmi. Sepse vetëm i dehur mund të duash të kalosh prej kapitalizmit në komunizëm.

Në kontekstin e barsoletës polake, “Klani Pronto” kaloi prej një ideologjie në tjetrën, por në një formë, si çdo gjë tjetër në Kosovë, sui generis. Fillimisht, u iku rreziqeve të alkoolit, dhe në fjalët e përgjuara të prijësit të tyre, Hashim Thaçi, i hyri zbërthimit të proceseve me “hajde ulum dhe e pijmë ka i gjygym çaj”. Pastaj, e zgjidhi një sfidë konceptuale në formë po aq origjinale.

Sfida ishte se si të kalohet prej marksizëm-leninizmit (gjegjësisht enverizmit) në një ideologji a sistem tjetër mendor? Posaçërisht si të bëhet në kontekstin e dy shembjeve. Shembja e madhe, ajo e Murit të Berlinit, do ta ekspozonte marksizëm-leninizmin e “Klanit Pronto” si historikisht të pambështetje. Shembja e dytë, ajo e socializmit jugosllav (bashkë me shtetin e Jugosllavisë) e vuri marksizëm-leninizmin kosovar në një situatë absurde: me vite të tëra kritikuan komunistët kosovarë (shqiptarë) për shkarje nga interesat kombëtare, por në fund, u deshën edhe ata të ngrihen për të mbrojtur disi ajo që po u merrej me dhunë nga Serbia, institucionet e shtetit të Kosovës të integruara në emrin beninj të Krahinës Autonome.

Dhe, si të bëhen të gjitha këto, kur tashmë Kosova u çlirua falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, një aleance që u ndërtua (edhe) si digë ndaj marksizëm-leninizmit?

2.
Sfida e përcaktimit të ardhshëm ideologjik të marksistëve-leninistë kosovarë u zgjidh me lehtësi, dhe origjinalitet. “Klani Pronto” nuk do të merrej me çfarëdo çështjeje që kërkon zgjidhje konceptuale. Çdo gjë që kërkon zgjidhje formale do të jetë jorelevante. Pra, çfarë do të jetë Kushtetuta, çfarë do të jetë natyra e pronës publike dhe çfarë liritë e asaj private, çfarë do të jetë sistemi shëndetësor e pensional, çfarë do të jetë ai arsimor – që të gjitha këto që kërkojnë përgjigje (edhe) doktrinare, nuk do të gjejnë nga “Klani Pronto”. Klani qe dhe është i interesuar që në cilëndo çështje të jenë jo idetë e veta, por njerëzit e vet. Nuk është me rëndësi se çka shkruan Kushtetuta, por si e interpretojnë njerëzit e tij. Nuk është me rëndësi natyra e pronës publike, me rëndësi është që njerëzit e PDK-së ta kontrollojnë atë. Nuk është me rëndësi të saksionohen liritë e ekonomisë private, me rëndësi është që këto liri të jenë të mundshme vetëm nëse kalojnë nëpër sportelin e Klanit. Dhe sistemi shëndetësor e arsimor janë relevantë vetëm si hapësira zhvatjeje – prej organizimit të rrjetit korruptues të barnave deri tek ulja e përgjithshme e standardeve të arsimit me punësimin dhe avancimin e militantëve të saj.

Sfida e përcaktimit ideologjik u zgjidh me lehtësinë më të madhe: ish-marksistë -leninistët nuk do të kenë besim, doktrinë a ideologji.

3.
Por, si është e mundur që një grup i këtillë njerëzish, me nivel kaq të ulët arsimor, intelektual, politik, kulturor – dhe siç po dëgjohet në përgjime, moral – të angazhohen për kaq gjatë në Kosovë, duke u marrë me sukses me shkatërrimin e shtetit që është ende në fazë ndërtimi, duke i kapur institucionet e saj?

A nuk do të duhej që një gjë e tillë të zgjonte neveri te popullata?

Deri më tani jo. Dhe arsyeja është se kjo kastë politike, kur e ka braktisur ideologjinë, ka kuptuar se “bullshiti” (në versionin e Thaçit, “loja koqesh”) është forma më efikase e veprimit politik. Shembulli i Marrëveshjes së Brukselit ishte treguesi më i freskët i “bullshitit”, kur qytetarëve të Kosovës u flitej se kjo Marrëveshje, me përkrahje të “miqve ndërkombëtarë” e bën më në fund Kosovën shtet të njohur edhe nga Serbia. Një formulim i këtillë nuk mund të cilësohet si gënjeshtër, për arsye të thjeshtë se në besimin e qytetarëve, miqtë ndërkombëtarë nuk mund të na gënjejnë. Atyre u besojmë, sepse, fundja, edhe na kanë çliruar e edhe na kanë shpënë deri te shpallja e Pavarësisë. Për më tepër, edhe Marrëveshja e Brukselit qe shkruar për interpretim ambivalent- ideale për bullshit.

“Bullshiti” është ushtruar me sukses edhe në ekonomi. Kur rriteshin rrogat e sektorit publik, qytetarëve u thuhej se qeveritë tjera nuk donin t’i rrisnin me qëllim (e jo për faktin se nuk kishte rritje të mjaftueshme ekonomike që do të arsyetonte rritjen e rrogave). Manipulimi me të vërtetën, apo “bullshiti”, ishte evident: rrogat rriteshin në Kosovë duke e rritur borxhin e brendshëm, por këtë nuk e kishte parë kush, apo nuk e ka parë ende. Rrogat e rritura atëherë do t’i paguajmë që të gjithë qytetarët në vitet që vijnë, së bashku me çdo kilometër autostrade të çmimeve të tejfryra.

Qytetarët, deri më tani, e kanë pranuar “bullshitin” si model të “Klanit Pronto”, madje, edhe në kontinuitetin e Qeverisë së tanishme. Sipas Harry. G. Frankfurt, profesorit të filozofisë së Princetonit, ekziston një arsye për këtë.

“Njerëzit kanë tendencë të jenë më tolerantë ndaj bullshitit sesa ndaj gënjeshtrave, ndoshta, sepse jemi më pak të disponuar që ta konsiderojmë atë (bullshitin) si ofendim personal”.

4.
Përgjimet “Pronto” ndoshta do të rezultojnë me ndonjë procedurë gjyqësore. Por vlera më e madhe e tyre do të jetë nëse mbërrin të depërtojë impakti i pikës që e bashkon diskursin e brendshëm të Klanit (atë të përgjuar) me diskursin publik të tij. Është ai momenti kur Grabovci qesh në bisedë telefonike me fjalët e veta, ato që i përsërit me tërë seriozitet në paraqitjet publike, se po angazhohet në ndërtimin e institucioneve të shtetit demokratik të Kosovës.

Vlera më e madhe do të jetë nëse kuptohet se “bullshiti” që tashmë është ideologji e “Klanit”, quhet “bullshitizëm” dhe ka treguar sukses të paparë ndonjëherë në sistemet tjera politike të popujve evropianë. Në asnjë vend një nivel më i ulët njerëzish nuk kanë mundur të sundojnë për aq gjatë dhe me këso force shtetshkatërrimi. Andaj, thotë Frankfurt, “bullshiti është armiku më i madh i së vërtetës se sa janë gënjeshtrat”.

Please follow and like us: