Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA – Rusi: Pa marrëveshje për Sirinë


Presidenti Barack Obama tha se ka patur bisedime “produktive” me homologun e tij rus Vladimir Putin për Sirinë por të dyja palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje armëpushimi që do të lejonte më shumë ndihma humanitare në vendin e shkatërruar nga lufta.

Presidenti Obama foli me gazetarët në mbyllje të takimit të G-20ës në Hangzhou të Kinës. Ai ishte takuar më parë me presidentin Putin.

Zoti Obama tha se e kishte instruktuar sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry “të vazhdonte punën gjatë ditëve në vazhdim” në diskutimet me rusët lidhur me Sirinë.

Një armëpushim i mundur do të përfshinte qeverinë siriane, aleate e Rusisë dhe rebelët që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar disa nga miliona sirianët në nevojë për ushqim dhe furnizime mjekësore.

Të dy vendet duket të ishin pranë një marrëveshje të mundur të dielën, por vazhdojnë të mbeten pengesa madhore.

“Ne kemi mosmarrëveshje të rëndësishme me rusët përsa i përket të dyja palëve që mbështesim por gjithashtu për procesin që kërkohet për të sjell paqen në Siri”, u tha zoti Obama gazetarëve të dielën.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se Rusia u tërhoq nga disa pika që Shtetet e Bashkuara mendonin se të dyja palët ishin dakort.

Presidenti rus Vladimir Putin citohet të ketë thënë se konflikti sirian mund të zgjidhet vetëm përmes rrugëve politike.

Moska mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad, por Shtetet e Bashkuara kanë punuar me forcat e moderuara opozitare që luftojnë Assadin.

Please follow and like us: