Albspirit

Media/News/Publishing

“Komitët” e Lane, si “Çeta…” e Spiro Xegës

Nga fotoja e këtij grupi komitësh shqiptarë, duke gjykuar nga veshjet e tyre, mund të thuash se janë nga jugu i vendit. Grupet e komitëve në foto, mënyra se si rrinë ulur, më kujtuan pikturën ‘Çeta e Shahin Matrakut’, e piktorit korçar Spiro Xega. Qëndrimet e figurave në pikturën e Xegës kanë ngjashmëri mjaft të madhe, madje edhe përputhen plotësisht me disa nga figurat e grupeve të komitëve në foto

Nga Eleni Laperi

Në artikullin e Lane ‘Çfarë mendojnë shqiptarët për Amerikën’, i botuar në revistën ‘World Travelers’, në shkurt të vitit 1927, një fotografi tregon një grup komitësh shqiptarë dhe ka këtë dixhiturë: Ashtu si pothuaj të gjithë malësorët në përgjithësi, apo skocezët në veçanti, edhe shqiptarët janë luftëtarë. Forcat e tyre të paorganizuara janë në gjë-ndje t’iu bëjnë ballë forcave të mirorganizuara në terren, shumë herë më të mëdha në numër se ata. Origjina e vërtetë e këtyre njerëzve humbet në mjegullën e historisë, po besohet se janë raca më e lashtë në Evropën juglindore. Por edhe pse as historia e as legjendat nuk na japin ndonjë kujtesë mbi mbërritjen e tyre në gadishullin e Ballkanit, është pranuar se ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të emigrantëve më të hershëm arjanë, të cilët formuan bazat e qytetërimit para-grek.

Rose Wilder Lane është një emër më shumë në radhën e atyre personaliteteve botërore, të cilat në kohë të ndryshme kanë vënë në pah origjinën e lashtë të shqiptarëve, vlerat e këtij populli dhe vendin e tij në historinë evropiane. Edhe sot ka mendime të ndryshme, shpesh të kundërta për këtë temë. Po për sa kohë nuk njihet, për sa kohë fshihet apo manipulohet historia e një populli evropian, mund të them se e gjithë historia e këtij kontinenti do duhet rishkruar. Megjithatë, dua të flas jo për dixhiturën, po për këtë fotografi.

Nga fotoja e këtij grupi komitësh shqiptarë, duke gjykuar nga veshjet e tyre, mund të thuash se janë nga jugu i vendit. Grupet e komitëve në foto, mënyra se si rrinë ulur, më kujtuan pikturën ‘Çeta e Shahin Matrakut’ të piktorit korçar Spiro Xega. Qëndrimet e figurave në pikturën e Xegës kanë ngjashmëri mjaft të madhe, madje edhe përputhen plotësisht me disa nga figurat e grupeve të komitëve në foto. Kjo gjë më bëri të mendoj se një rastësi e tillë nuk është rastësi. Nisa të bëj disa kërkime për të mësuar më shumë për këtë foto dhe për të parë në se piktura e Spiro Xegas kishte ndonjë lidhje me të. Kërkova një foto të pikturës, për të bërë krahasimin me fotografinë e artikullit. I telefonova Malvina Tashos, shefes së arkivit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, duke i kërkuar të më ndihmonte me një foto të pikturës dhe me datën e realizimit të saj. Znj. Tasho ma dërgoi foton me e-mail. Gjithashtu, më shkroi se piktura është realizuar në vitin 1930.

Sipas Dhimitër Xegës, fis me piktorin, Spiro Xega u lind në Lavdar të Korçës më 15 qershor 1876 dhe vdiq më 1953. Në rininë e tij ai punoi për disa vite si çirak në një punishte ikonash në Stamboll. Pastaj u kthye në Korçë dhe hapi atelienë e tij, ku edhe krijoi tablotë me tema patriotike, apo mbi figura të rëndësishme të qëndresës së shqiptarëve kundër pushtuesve. Për ne, sot më të njohurat ndër ato piktura janë: ‘Skënderbeu’ (1931) dhe ‘Çeta e Shahin Matrakut’(1930), të dyja në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. E pyeta Dh. Xegën nëse dinte gjë për mënyrën se si autori e kishte realizuar pikturën në fjalë. Dh. Xega më shkroi se piktori i ka vizatuar figurat e komitëve, të përdorura në kompozimin e tij, duke u nisur nga fotot e mikut të tij, fotografit Kristo Shuli (nga Dardha e Korçës, ndonjëherë i quajtur Sulidhi); ndërsa nga fotografitë e Marubit ka marrë portretet dhe veshjet karakteristike veriore, si: xhoke, jelek, armë brezi etj., të përdorura në figurën e Skënderbeut. Po Dh. Xega vetë nuk kishte gjetur fotografi të Shulit me këtë temë. Edhe Niko Kotherja, një koleksionist i ri korçar, më tha se Shuli ka bërë foto të çetave të komitëve të rrethit të Korçës, po deri tani nuk është gjetur ndonjë foto me këtë temë, ndoshta sepse sot kanë mbetur fare pak foto prej fondit të tij, pothuaj i gjithi i shkatërruar.

Nëse fotoja ishte bërë nga Lane, mendova se ndoshta piktori do e kishte parë foton në artikullin e botuar tri vite më parë. Piktori jetonte në Korçë – një qytet mjaft i lidhur me pjesën tjetër të botës me anë të tregtarëve e emigrantëve të shumtë – dhe ndoshta ndërkohë revista Traveler i kishte rënë në dorë. Kështu ai do ketë pasur rast të përdorte si model figurat e komitëve të fotografisë, për të vizatuar figurat e komitëve në tablonë e realizuar për çetën e mikut të tij, komitit Shahin Matrakut.

Duke u nisur nga mënyra si i realizonte kompozimet e tij me tema patriotike, pak mundësi ka që figurat e kompozimit Spiro Xega t’i ketë vizatuar nga natyra, edhe pse Dh. Xega thotë se ai ishte mik me Kajo Babienin, shok lufte dhe mik me Mihal Gramenon dhe anëtar i çetës së Themistokli Gërmenjit. Spiro Xega ishte një patriot shqiptar, i cili jetoi edhe periudhën e rënies së perandorisë osmane, edhe fillimet e aktivitetit të shtetit të ri shqiptar. Në se do ta quanim rilindës, si quhen shpesh gjithë pjesëtarët e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, si gjithë rilindasit ai vuri në shërbim të idesë së pavarësisë e mbarëvajtjes së vendit gjithë aftësitë e mundësitë e tij. Deri tani nuk është bërë një studim serioz për krijimtarinë e tij dhe për mënyrën se si i realizonte ai pik­turat e tij. Shqipëria e varfër, e masakruar e asaj kohe nuk ofronte shumë për artistët, po edhe nuk kishte çfarë t’u jepte atyre për t’i ndihmuar në zhvillimin e dhuntive të tyre.

Xega kishte një përvojë në pikturimin e ikonave, ndonëse nuk kishte arsimim për artet pamore. Ai frymëzohej edhe nga fotografi apo nga vepra të artistëve të huaj për të krijuar tablotë e tij me tema patriotike, ku nxitet e promovohet fryma e krenarisë dhe atdhe­dashurisë, duke ngritur në himn bukurinë e veshjeve dhe virtyteve shqiptare. Për të pikturuar figurën e ‘Skënderbeut’ të tij Xega e huajti kompozimin nga ‘Kalorësi i gardës’, i piktorit francez Theodore Gericault, pionier i lëvizjes romantike. Po ashtu ai ka marrë temën e tablosë ‘Lufta e Misolongjit’ nga kompozimi me të njëjtin titull i piktorit të parë modern grek, Theodore Vryzakis. Nga këta autorë Xega ka marrë jo vetëm formën e kompozimit, por edhe frymën romantike, lëvizjet teatrale të figurave, apo trajtimin e tyre në tablo si figura të pavarura nga njëra tjetra, duke vënë në pah sidomos detajet e veshjeve të figurave. Në historinë e artit botëror ka shumë shembuj të artistëve, të cilët për disa vepra të tyre janë mbështetur në krijimtarinë e artistëve paraardhës. Kështu Eduard Manet për tablonë e tij ‘Mëngjez mbi bar’ është mbështetur te Ticiani dhe te disa gravura të Da Vinçit. Edhe Pablo Pikaso pas vdekjes së Matisse pikturoi të njëjtat tema, që më parë i kishte trajtuar Matisse; mund të rendisim kështu një listë të gjatë rastesh e autorësh.

Pas shpikjes së fotografisë shumë piktorë në botë nisën t’i për­dornin edhe fotografitë si bazë për veprat e tyre: p.sh. piktori im­presionist francez Claude Monet i mori nga fotografitë e kohës tur­mat festive për kompozimet e tij me temë nga festa kombëtare e Francës. Edhe në Shqipëri që në vitet e para të ardhjes së fotograf­isë ka raste të përdorimit të saj si bazë për punime në pikturë; pik­tori Kol Idromeno ka përdorur disa herë fotot për të pikturuar disa prej portreteve e kompozimeve të tij. Pra Spiro Xega nuk kishte pse të mos përdorte edhe fotografinë, për të marrë motive për pikturat e tij.

Po cili është autor i fotografië së komitëve, të përdorur nga Lane për të ilustruar artikullin e saj?

Në 1926-1927 Lane u vendos në Tiranë, në një vilë dykatëshe të familjes Shehri, në rrugën e Kavajës. Bashkë me Traub – miken e saj Helen Boylston, me të cilën udhëtoi nga Parisi në Tiranë me ‘Zenobian’, ajo shëtiti e fotografoi nëpër Shqipëri. Në një prej le­trave, të drejtuara mikut të saj, shkrimtarit Clarens Day, mësova se ajo bënte dhe stamponte foto edhe vetë. Po nuk munda të gjej foto origjinale të asaj periudhe: nuk i gjeta në fondin e saj në arkivin e Librarisë Herbert Hoover në West Branch të Iowa-s, ndërsa në shtëpinë e saj në Mensfield të Missuri – sot muzeu ‘Laura Ingalls Wilder & Rose Wilder Lane’ – punonjëset e muzeut nuk dinin të më përgjigjeshin për pyetjet e mija lidhur me këtë temë. Në reliket e saj në muze nuk pashë ndonjë aparat fotografik. Edhe ciceronet e muzeut nuk e dinin në se Lane kishte patur ndonjë aparat fotografik, apo në se i bënte edhe vetë fotot për shkrimet e saj.

Në fillim, pra, mendova se fotoja ishte realizuar nga vetë Lane – dhe piktori mund të ishte mbështetur te revista ‘Traveler’ për figu­rat e pikturës ‘Çeta e Shahin Matrakut’. Por në revistën ku është botuar artikulli e fotot, nuk është dhënë emri i fotografit. Vetëm në njërën prej fotove, ku paraqitet një pejzazh nga Thethi, janë inicialet A.M. (Annette Marquis). Ka shumë mundësi që për të ilustruar artikullin, Llejn ka përdorur foto të marra nga fotografët vendas të atyre viteve. Sepse edhe për të shkruar e ilustruar me fakte artikujt e saj mbi Shqipërinë, ajo përdori materiale të mbledhura gjatë udhë­timeve nëpër vendin tonë. Më 1926 dhe 1927 ajo udhëtoi shumë, si në: Durrës, Pojan, Vlorë, Sarandë, Janinë, Gjirokastër, Përmet, Prespë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Tiranë, Shkodër, etj.

Në këtë artikull është përdorur edhe një foto tjetër, ku, e veshur me kostum tradicional shqiptar, është poetja e madhe amerikane Edna St. Vincent Millay. Poetja kishte qenë në Shqipëri në vitin 1921, duke kaluar nga Durrësi, Tirana, Elbasani e Shkodra. Atë foto të Ednës R. W. Lane nuk e ka marrë prej poetes, pasi faktin e ardhjes së poetes në Shqipëri ajo e mësoi vetëm në vitin 1926. Fotoja do jetë e ndonjë fotografi vendës, nga i cili ajo dhe e ka marrë. Prandaj mendoj se ka shumë mundësi që foto e komitëve të jetë e Kristo Shulit.

A vinte revista ‘Traveler’ edhe në Shqipëri?

Unë nuk e gjeta as në fondin e bibliotekës kombëtare në Tiranë, as në bibliotekën e Korçës.

Mid’had Frashëri, kur shkruan për librin ‘Majat e Shalës’ dhe për autoren, thotë: Tek jam duke shkruarë këto radhë, kam përpara syvet një artikull të saj në World Travelers (vol. XV., Nr 3, mars 1923) Unknown Albania – Shqipëri e panjohurë)’. Në atë kohë Mid’hat Frashëri ka qënë ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Athi­në. Prandaj mendoj se fotoja me komitët është e Shulit dhe Lane e ka marrë prej tij, ashtu si dhe Xega ka marrë nga kjo foto modelet për kompozimin e tij ‘Çeta e Shahin Matrakut’. Po të nisemi edhe nga të dhënat që jep Gëzim Qëndro për librin e Gjerasim Qiriazit ‘Rrëmbyer nga cubat’, të cilin e përmënd në shkrimin ‘Heronjtë janë të uritur’, të botuar në Milosao – 8 korrik 2012, atëherë në foton tonë ndoshta janë të 27 anëtarët e Çetës së Shahin Matrakut.

*Pjesë nga libri “Rose Wilder Lane dhe shqiptarë”, botim i UET Press

Në foto: detaj nga piktura ‘Çeta e Shahin Matrakut’ e Spiro Xegës dhe mbi të pjesë nga fotografia e komitëve.

Please follow and like us: