Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj shqiptari, luftëtari i panjohur i kohës së Skënderbeut

DOSSIER/ Gjergj shqiptari, luftëtari i panjohur i kohës së Skënderbeut

Nga Marin Mema

Gjergj shqiptari është një luftëtar thuajse i panjohur i kohës së Skënderbeut. Nëse nuk do të ishte për albanologen italiane G.Lusu, për të nuk do të dihej ndoshta asgjë.

Në fakt, ajo, përmes një artikulli të botuar në revistën “La nuova Albania” (Shqipëria e re), në vitin 1974 zbulon figurën e këtij fisniku shqiptar të zonës së Fermos në Itali.

Gjergj shqiptari ka qenë financues dhe porositës i disa pikturave për altarin e kishës së Shën Gjergjit në këtë qytet, siç pohojnë edhe studiuesit Moikom Zeqo e Ilia Karanxha.

Ai ka shkuar në Itali, sipas albanologes, në të njëjtën kohë me shumë dërgata shqiptarësh të tjerë të periudhës së Skënderbeut. Gjergji mbante shqiponjën si emblemë të familjes dhe ishte krenar për origjinën e tij shqiptare. E kjo jo thjesht përmes fjalëve, pasi Lusu tregon se Giorgio skipëtario, siç e njihnin vendasit në Itali, u kthye sërish në atdheun e tij për të luftuar ndaj turqve. Pikërisht në një nga këto beteja të përgjakshme në tokën e tij ai u vra ballë ushtrive të sulltanit.

Asnjë detaj tjetër nuk vjen mbi këtë betejë që shënjoi rënien e fisnikut. Nuk dihet nëse ishte një prijës në ushtrinë arbërore apo një luftëtar i thjeshtë. Megjithatë, ka disa të dhëna që hedhin dritë mbi figurën e tij.

Si ishte pamja e Gjergj shqiptarit, këtij fisniku të panjohur nga historia jonë?

Për fat, ai gjendet në një pikturë të një artisti të famshëm të periudhës së Rilindjes Italiane. Piktori Carlo Crivelli, diku në vitin 1470, ofron një vepër mjaft të veçantë, që konsiderohet si një ndër më të vlerësuarat e tij.

Gjergj shqiptari paraqitet në një formë shumë të ngjashme me atë të veprës kushtuar shenjtit pajtor të vendit, Shën Gjergjit, për të mos thënë që janë paraqitur identikë.

Në fakt, artisti ka bërë një shkrirje shumë të veçantë mes shqiptarit dhe Shën Gjergjit. A ishte fisniku kaq i ngjashëm me shenjtin, apo ai thjesht porositi këto piktura pa kërkuar të ishte pjesë? Kjo është e vështirë të thuhet, por Lusu mendon se brenda pikturës ekzistojnë edhe elemente personale të pamjes së shqiptarit.

Përmes veshjes që ai mban e që dallohet mjaft mirë në kuadër, kuptohet lehtësisht edhe pozita e ngritur shoqërore që ai kishte. Fisniku shqiptar mbi një kalë të bardhë është gati për të goditur një përbindësh (siç paraqitet në çdo pikturë edhe Shën Gjergji), ndërsa nga pas qëndron kalaja e vërtetë e Fermos, një element që, sipas albanologes, është një tjetër tregues se piktura mbështetet edhe në pamjen e fisnikut shqiptar.

kalaja-e-fermos

Ndoshta përmes këtij hyjnizimi që shkrihet me figurën reale të fortifikimit dhe rrugën e njohur që të çonte drejt tij, piktori ka dashur të tregojë jo thjesht forcën, por edhe respektin e parisë vendase për të.

Të dhënat historike për Gjergj shqiptarin mungojnë. Ato janë të vakëta dhe kjo pikturë së bashku me detajet e pakta përmbushëse të albanologes italiane e të sjella nga Profesor Doktor Ferid Hudhri në veprën “Shqiptarët në artin botëror” janë elementet e vetme të njohura që mundësojnë krijimin e një profili të tijin.

Mendohet se Gjergj shqiptari ishte i pari i një familjeje fisnike të njohur në Italinë e mëpasshme. Familja mori një mbiemër tjetër, Salvadori, por duke ruajtur rrënjët e qarta shqiptare, që janë pranuar edhe nga studiuesit italianë. Kjo forcohet kur pas prishjes se kishës, famullitarët i njohën të drejtën e veprave familjes Salvadori.

Fakt mbetet se kjo pikturë tashmë ndodhet në muzeun “Isabel Gardner” në Boston. Shumë vepra të tjera të porositura nga fisniku shqiptar sot janë të shpërndara në vende të ndryshme të botës./Blitz.al

Please follow and like us: