Albspirit

Media/News/Publishing

David IGNATIUS*: Lufta e Ftohtë ka mbaruar, lufta kibernetike ka nisur

ignatius

Duke parashikuar kërcënimet bërthamore ruse gjatë Luftës së Ftohtë, strategjisti Herman Kahn kalibroi një shkallë makabre të zhvillimit të tyre, me 44 pika që varionin nga kriza e sajuar deri tek lufta pa skrupuj.

Në epokën e luftës kibernetike e cila sapo ka aguar, rregullat e lojës nuk janë vendosur ende me një saktësi kaq gjakftohtë. Kjo është arsyeja përse kjo periudhë e marrëdhënieve ruso-amerikane është kaq e pakuptueshme. Korniza strategjike që mund të sjellë stabilitet ende nuk është gjetur.

Hakerat rusë duket se po i kalojnë limitet. Në javët e fundit, shënjestrat kanë përfshirë dosjet elektronike të komitetit kombëtar të Demokratëve, postën elektronike private të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Powell si dhe informacione personale të testit për drogë të atletëve më të njohur amerikanë.

Administrate Obama po merr në konsideratë mënyrat sesi të përgjigjet. E si në pjesën më të madhe të debateve strategjike, ka një ndarje mes skifterëve dhe pëllumbave. Por në të gjithë qeverinë e Shteteve të Bashkuara ka një mirëkuptim se situata aktuale, në të cilën po vidhet informacion në mënyrë elektronike dhe më pas po iu jepet mediave për të dëmtuar dhe destabilizuar shënjestrat amerikane, është e papranueshme.

“E kaluan kufirin. Pjesa e vështirë është të dimë sesi të përgjigjemi efektivisht”, argumenton një zyrtar amerikan. Hakmarrja me të njëjtën mënyrë mund të mos jetë lëvizje e zgjuar për një vend që varet shumë më tepër nga infrastruktura dixhitale sesa Rusia. Por derisa të përçohet një sinjal i qartë, ekziston rreziku se hakerimi dashakeq dhe nxjerrja e infomacioneve mund të bëhet një normë.

Ashtu si gjithmonë me problemet e politikës së jashtme, një pikënisje e mirë është të përpiqesh të vendosësh veten në mendjen e kundërshtarëve potencialë. Qëllimi i kësaj përpjekjeje nuk është të justifikosh sjelljen ruse, por ta kuptosh atë dhe të mësosh sesi mund ta frenosh.

Rusët kanë një patate të skuqur në shpinë. Ata e shohin veten si pjesa e viktimizuar. Shtetet e Bashkuara, në pikëpamjen e tyre, kanë destabilizuar politikën ruse duke mbështetur grupet pro-demokratike që sfidojnë autoritetin e presidentit Vladimir Putin. Për amerikanët, aktivistë të tillë kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe të drejtat universale të njeriut. Por, për Kremlinin paranojak dhe të etur për pushtet, ata janë “informantë” të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët rusë e mohojnë ndërhyrjen në politikën amerikane, por është e qartë nga disa komente të tyre se ata mendojnë se Shtetet e Bashkuara hapën zjarr të parat në këtë duel të destabilizimit politik.

Kjo temë hakmarrjeje ishte e qartë në nxjerrjen e informacioneve  të vjedhura nga hakerat në agjencinë botërore kundër Dopingut për gjimnastin olimpik, Simone Biles dhe yjet e tenisit, Serena dhe Venus Williams. Rusët kanë qenë të zemëruar për publikimin e të dhënave të tyre për anti-dopingun që solli edhe skualifikimin e shumë atletëve olimpikë rusë. Dhe kështu- vjen hakmarrja – në publikimin e të dhënave për Biles dhe motrave Williams.

Nëse je rus me një ndjesi se vendi yt është poshtëruar dhe është trajtuar padrejtësisht me keqdashje që nga fundi i Luftës së Ftohtë, – dhe kjo duket të jetë thelbi i pikëpamjes së Putinit për botën – atëherë mundësia për kundërpërgjigje në hapësirën kibernetike, duhet të duket tërheqëse.

Si duhet të përgjigjen Shtetet e Bashkuara ndaj ndërhyrjes kibernetike ruse përpara se ajo të kthehet vërtet në diçka të rrezikshme? Unë pyeta zyrtarë të lartë amerikanë përgjatë këtyre javëve, dhe kam dëgjuar prej tyre pikëpamje kontradiktore. Strategjia kibernetike e Departamentit të Mbrojtjes, publikuar vitin e shkuar, pohon se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë sulmet keqdashëse përmes kombinimit të tre qasjeve: “përgjigje… me mënyrën dhe në vendin e zgjedhur nga ne, me mohim të mundësive për sulm duke përforcuar mbrojtjen, dhe me zhvillim, duke krijuar sisteme që mund t’u mbijetojnë sulmeve”.

Por, çfarë do të sugjeronin “magjistarët e Armagedonit” nga Lufta e Ftohtë? Terrori  nga balancimi bërthamoremë në fund i hapi rrugën marrëveshjeve të kontrollit të armëve që sollën stabilitet. Por ky model me gjasa nuk funksionon në hapësirën kibernetike. Marrëveshje të tilla nuk do të mund të verifikoheshin në një botë ku luftëtarët kibernetikë do të rifurnizoheshin në ndalesën e parë në dyqan.

Normativat e sjelljes globale dalin nga kalvaret dhe gabimet – pas një periudhe me telashe të sulmit dhe mbrojtjes, shoqëruar nga diskutime publike dhe private. Nisja e këtij procesi me gunga do të jetë sfida e fundit e madhe për presidencën e Barack Obamës.

* David Ignatius është opinionist në gazetën “Washington Post”, ai ka hapësirën e tij dy herë në javë për zhvillimet e politikës së jashtme dhe kontribuon edhe për blogun PostPartisan. Opinioni u publikua po në këtë gazetë.

Përktheu: Juli Prifti

Please follow and like us: