Albspirit

Media/News/Publishing

DUHET TË NGREMË ZËRIN KUNDËR FONDAMENTALISTËVET

Intervistë  e gazetarit  Antonio Ferrari me Mbretëreshën RANIA të Jordanisë/

E përktheu për DIELLIN Eugjen Merlika/                                      

Është një grua që shumë e ëndërrojnë si bashkëshorte, si bijë, si nënë, si motër. Duhet të pranoj se bukuria e saj nuk është e para në cilësitë e saj. Mbretëresha Rania e Jordanisë është e zgjuar, e ditur, bujare, thellësisht njerëzore. Është një grua e vërtetë, një myslimane që e din dhe e dëshmon çdo të thotë Islam, fe e jetës e jo e vdekjes. Në pritje për të arritur n’Itali, në Firence, për të marrë më 11 shtator Humanitarian Award nga i madhi Andrea Bocelli, ka vendosur të më japë një intervistë eskluzive e, duke mbajtur parasysh kohët e vështira, tepër të rrallë për Corriere della Sera, që e priti si mike në Milano, në Via Solferino, më 2001. Por është edhe pohimi i një ndjenje të madhe admirimi dhe dashurie që Rania ushqen për Italinë.

Madhëri, bota është në pështjellim, me dhunë e rrëmuja që kërcënojnë jetën tonë të përditëshme. Ju jeni një grua guximtare, një optimiste e lindur. Si mendoni, çfarë duhet të bëjë secili prej nesh për të gjetur pak qetësi e kthjelltësi?

Po, duket se çdo javë na sjell një tmerr të ri. Terrorizmi, njerëzit që hidhen n’erë, e të tjerë fakte dhune pa dallim, kanë krijuar një realitet të ri global që, jo vetëm tejkalon kufijtë kombëtarë, por, siç kujtuat juve, edhe caqet vetiake të jetës sonë. Muajt e fundit na kanë lënë ndiesinë se jemi të gjithë në vijën e parë. Civilët e pafajshëm nuk janë më “dëmet anësore”, por “shënjestra të kërkuara”. Frika është një kundërveprim i natyrshëm dhe i arsyeshëm, por mund të frymëzojë mendime e veprime të paarsyeshme. Ndikon vendimet që marrim : ku të udhëtojmë, për kë të votojmë, cilat vlera e parime janë më të rëndësishme për ne. Nëse do të lemë frikën të mbizotërojë, ajo do të minojë besimin, hapjen kundrejt të tjerëve, bashkëpunimin…E, n’analizë të fundit, përparimin njerëzor. Ja sepse mendoj se është themelore të kujtojmë se vlerat e bindjet tona janë më të fuqishme se ato të skajorëve. Dhe është po aq e rëndësishme që të mos bëhemi të pandjeshëm, të mos humbasim mëshirën dhe njerëzinë tonë, të mbetemi të ngarkuar mjaftueshëm për të synuar të ndërrojmë gjërat, a së paku të provojmë.

Juve, Madhëri, keni hartuar projekte të rëndësishme në mbështetje të grave e fëmijëve. Është e llahtarëshme të shihen kaqë viktima të reja në kaq luftëra pa kuptim në botë. Jemi të tronditur nga padrejtësia e gjithë kësaj. Ҫfarë do t’i thoshit fëmijëve tuaj më të vegjël ?Ҫfarë dëshironi të bëni për t’i mbrojtur?

 Madhësia e tragjedive më të fundit është e papërfytyrueshme dhe fëmijët, më pak përgjegjësit për luftën, paguajnë çmimin më të lartë. Kundërveprimi im i parë është zemërimi : kjo është një botë që ka çveshur miliona fëmijë nga fëminia e tyre. Por pastaj fëminia kalon  dhe nguti e përgjegjësia për të kundërvepruar mbizotërojnë, dhe kjo është që e ndaj me fëmijët e mij, duke u kujtuar atyre se janë të privilegjuar, por së bashku me privilegjin vjen edhe përgjegjësia për të ndihmuar ata që nuk janë aq fatlumë. Flas me ta për mirëkuptimin e të tjerëve, se si nuk duhet të largojnë nga mëndja historitë vetiake dhe vuajtjet që qëndrojnë mbrapa lajmeve e të dhënave statistikore e, mbi të gjitha, se çdo gjest fisnikërie vlen, sado i vogël qoftë.

Jordania është një mbretëri shumë bujare dhe tolerante. Madhëria e Tij, Mbreti Abdullah ka deklaruar se pothuaj një e katërta e popullsisë përbëhet nga emigrantë  dhe refugjatë. Në të shkuarën janë strehuar tek juve shumë irakenë, sot po i jepni një vatër sirianëve. Si mundet Vendi i juaj të përballojë një zotim të tillë financiar?

Jordania ka qenë gjithmonë një strehë e sigurtë për të gjithë ata që largohen nga dhuna. Me sa mbaj mënd Lindja e Mesme ka qenë gjithmonë në një lloj pasigurie. Sot  po strehojmë një milion e treqindmijë të ikur sirianë për shkak të luftës në Siri. Në të shkuarën kemi pritur palestinezët, pastaj irakenët e të tjerë, duke e bërë Jordaninë  mikpritësin e dytë të refugjatëve në botë, simbas frymëve. Vendimi i ynë për të lejuar hyrjen e refugjatëve nuk ka qenë kurrë strategjik apo politik. Nëse do të kishim bërë zgjedhjen e arsyeshme dhe logjike nuk do të kishim marrë asnjë të ikur. Thjesht sepse nuk kemi mjaft rezerva për të ndarë me ta. Vendimi ynë ka qenë humanitar dhe moral. Kemi bërë gjithshka që ka qenë në dorën tonë për t’u dhënë këtyre të ikurve strehë dhe mundësi, por Jordania është një nga Vendet më të varfëra të rajonit dhe aftësia jonë për t’a përballuar këtë gjëndje është vënë në provë të fortë, deri në pikën e thyerjes.

Ҫfarë doni të më thoni, Madhëri?

Se kjo është arsyeja për të cilën kemi ftuar shpesh herë bashkësinë ndërkombëtare për t’i dhënë ndihmën Jordanisë të përballojë stresin shumë të madh që peshon mbi Ekonominë, infrastrukturat dhe pasuritë. Dhuruesit kanë qenë bujarë, por kërkesat tejkalojnë shumë, për sasi e shpejtësi sendërtimi, këta numra.

Ju jeni një mbështetëse e bindur e Arsimit. Mendoj për të gjithë fëmijët e refugjatëve në Vendin tuaj, që nuk munden të kujtojnë zbavitjen me lodrat e tyre, por janë mësuar me zhurmat e shpërthimeve, e kanë parë vetëm armë e vuajtje pa fund. Ҫfarë mund të bëhet për të shpëtuar këtë brez?

Arsimimi është rrugëdalja e tyre. Nuk ka dyshim se çdo ditë e kaluar jashtë shkollës është një ditë e vjedhur mundësive të një fëmije. Fëmijët kanë më shumë nevojë formimi, sidomos në gjëndje të jashtzakonëshme si këto. Kur kanë frikë e vuajnë, kur kanë humbur të dashurit e tyre, kur gjënden në vënde të çuditëshme, të përndjekur nga makthet, kur kanë parë gjëra që asnjë fëmijë nuk duhet t’i shohë kurrë. Pikërisht atëherë kanë nevojë për të zakonshmen e ditës shkollore, hutesën e mësimeve, qeshjen në këndin e lojrave, dhe shpresën në një t’ardhme më të mirë. Më besoni, jam shumë e kënaqur që Jordania ka marrë së fundi fondet për të mirëpritur 90.000 fëmijë të tjerë sirianë, që kishin mbetur jashtë shkollës, por që hyjnë në klasat e këtij viti. I shtohen 145.000 fëmijëve sirianë që gjënden në shkollat tona nga viti tjetër. Ky është fillimi, por për të shmangur “brezin e humbur” duhet bërë më shumë punë. Këta fëmijë kanë qenë dëshmitarë të tmerreve të papërshkrueshme dhe shumë prej tyre janë plagosur fizikisht, psikologjikisht ose në të dy mënyrat, që e bën shumë të lehtë për ta të braktisin shpresën. Jetët e tyre janë shkatërruar në shumë nivele. Shërimi do të jetë  një proçes i ndërlikuar sa s’bëhet më. Me ndihmën e agjensive humanitare ndërkombëtare kemi përgatitur programe terapie psiko – sociale për fëmijët sirianë dhe për të rriturit nëpër kampe e në të gjithë Vendin, për t’i ndihmuar të përballojnë atë që kanë parë, të fitojnë përvojë e të shohin përpara, drejt një t’ardhmeje më premtuese.

Madhëri, Mbretëria e Jordanisëpo paguan një çmim shumë të lartë për bujarinë e saj në mbrojtjen e refugjatëve – në terma financiare e shoqërore – dhe kjo po prek të gjithë sektorët e shoqërisë. A mendoni se Vendi i juaj do të jetë në gjëndje të mbështesë një mund të tillë për shumë kohë?

Jo, kemi arritur pikën tonë të thyerjes. Fatkeqësisht Jordania është një vend i varfër në rezerva dhe nuk mund të marrim përsipër të vetëm, një katastrofë njerëzore kaq të pamasë. Ndërsa bashkësia ndërkombëtare, me rastin e konferencës së Dhuruesve të Londrës, në shkurt, kishte premtuar 3 miliardë dollarë ndihma, ne nuk na ka arritur pjesa m’e madhe e këtij fondi. Edhe populli jordanez po paguan një çmim  të lartë, sepse infrastruktura jonë publike e shoqërore ka shkuar në fund. Duhet të kuptoni se kriza e refugjatëve në Jordani nuk është e kufizuar në kampet e t’ikurvet. Më shumë se 90 % e tyre jetojnë në fshatra e qytete, duke ushtruar një trysni të pamasë mbi shkollat tona, spitalet, shërbimet komunale e shumë të tjera. Vetëm 35 % e shpenzimeve për refugjatët është përballuar nga bashkësia ndërkombëtare, e qeverisë jordaneze i është dashur të mbushë zbrazësirën, me më shumë se një të katërtin e bilancit tonë. Vendet në zhvillim, përfshirë Jordaninë, mbajnë 86 % të popullsisë refugjate të botës, ndërsa gjashtë  Vendet që, së bashku, përbëjnë 60 % të ekonomisë botërore strehojnë më pak se 9 % të tyre. Kjo është një prishje barazpeshe e dhimbëshme. Gjëndja është e papërballueshme dhe prandaj po punojmë për të përhapur e drejtuar një tjetër përçapje mbi krizën e refugjatëve në Jordani. Nëse do të ketë sukses mund të përsëritet nga të tjerë Vende pritëse. Kemi krijuar 18 zona ekonomike të veçanta, me nxitje për ndërmarrjet, për të inkurajuar shumëkombëshet të vijnë në Jordani dhe të hapin vende pune e mundësi, si për jordanezët ashtu edhe për sirianët.

Jordania i ka paguar një çmim shumë të lartë terrorizmit. Si mund të ndalojmë sulmet e fondamentalistëvet ? Madhëria e Tij, Mbreti Abdullah dhe ju vetë, me të drejtë keni dënuar këtë dhunë pa kuptim, duke thënë se nuk ka të bëjë aspak me Islamin. Papa Françesku, që ju e keni takuar, pohon se nuk ka luftë mes fevet, por në çdo fe duket se ka ndonjë element skajor. A jeni në një mëndje?

Para së gjithash do të donja të thosha se e admiroj me të vërtetë punën që Papa Françesku ka bërë dhe bën për të forcuar lidhjet mes fevet. Ai është një shembull për bashkëbisedimin ndërfetar dhe bashkëjetesën. Zëri i tij është aq i nevojshëm për botën e copëtuar sot. Kemi nevojë për një numur më të madh zërash si i tij. Tani më shumë se kurrë.

Si Madhëria e Tij, si une, kemi përsëritur shumë herë se këta grupe skajore nuk kanë të bëjnë fare me fenë. E kanë kthyer Islamin në një peng për të vënë në lëvizje programet e tyre dhe për të na përçarë. Në këtë mënyrë, nga ana tjetër, kanë shfrytëzuar një besim fetar, themelet e të cilit janë paqja, falja dhe toleranca. Në sajë të ideologjisë së tyre të dhunës kanë shkaktuar një valë të përgjithëshme islamofobie, që bazohet mbi një përceptim të gabuar e me paragjykime të Islamit e të myslimanëvet. Përfundimet ushqejnë obiektivat e armikut : duan të shohin të ndarë botën e qytetëruar. Duan që bota të mënjanojë myslimanët e që myslimanët, nga ana e tyre, të bëhen objekte të fushatave të tyre të rekrutimit.

Po, besoj se është e rëndësishme të kujtohet që çdo fe ka fondamentalistët e vet, për të cilët mungesa e tolerancës mbetet busulla, më shumë se sa vetë feja. Si myslimanë kemi përgjegjësinë për të ngritur zërin kundër këtyre skajorëve e për të folur lirisht e pa frikë për mësimet e vërteta të Islamit. Nuk mund të qëndrojmë në heshtje përballë kaq padrejtësie.

Mbas vrasjes së një prifti katolik në Rouen, shumë myslimanë në Francë, Itali e në të tjerë Vende kanë marrë pjesë në meshën e së djelës në solidaritet me të krishterët. A mendoni se kjo mund të jetë rruga e drejtë për të veçuar ata skajorë që përdorin besimin fetar për interesat e tyre?

Shiko, këta grupe skajore kanë shpallur armike gjithë botën e qytetëruar. Pra duhet të jemi të gjithë të bashkuar në luftën kundër tyre. Sa më shumë ata i veshin Islamit veprimet e tyre, aq më shumë provokojnë mungesë tolerance kundër gjithë myslimanëve që duan paqen. Në praktikë, jo vetëm kemi frikë nga terroristët, por fillojmë të kemi frikë edhe  nga njëri tjetri. Prandaj aktet e solidaritetit, që përmëndët ju, janë aq të rëndësishme. Kemi parë, edhe në shumë anë të Evropës, akte të panumurta solidariteti të njerëzve të zakonshëm kundrejt refugjatëve myslimanë. Myslimanët e gjithë botës kanë përjetuar zinë e Francës dhe, në zinë, gjithë tragjeditë që u janë shkaktuar të pafajshmëve. Bashkësia myslimane hedh poshtë themelisht këta akte dhune. Besoj se e dini se myslimanët kanë pësuar deri 97 % të fataliteteve të lidhura me terrorizmin, në pesë vitet e fundit. Dhjetra mijra myslimanë janë vrarë nga grupet skajorë. Urojmë që gjithënjë e më shumë njerëz në botë të duan t’u shfaqin solidaritetin edhe atyre. Është thelbësore që ne të mos hedhim benzinë mbi zjarrin e mos pajtimit të mendimeve, siç bëjnë skajorët.

Madhëri, çdo herë që ju vini n’Itali, gjindja është entuziaste dhe përshkon rrugë të gjata për t’u parë. Italia ju dashuron, por dij që ndjenja është e ndërsjelltë. Ҫfarë ju pëlqen më shumë në vendin tonë?

Faleminderit, me të vërtetë e çmoj shumë. Siç e dini, arsyeja më e rëndësishme për të cilën kthehem shpesh tek juve, është gjindja. Italianët janë gjithmonë aq të njerëzishëm, dhe bujaria e shpirtit të tyre ka fuqinë të bëjë të kthehet gjithkënd. Dashuria për jetën që kanë italianët është ngjitëse. Pastaj, natyrisht, është bukuria e Italisë. Me të vërtetë ka shumë për t’admiruar në Vendin tuaj. Ndjej një emocion të fuqishëm e të vazhdueshëm, thjesht për faktin se eci mbi këto rrugë të shtruara me gurë, duke admiruar arkitekturën dhe artin e lënë trashëgim nga Rilindja, që i dha njerëzimit dhe qytetërimit shtysën e saj të madhe zhvilluese. E së fundi : kush mund t’i qëndrojë guzhinës italiane ? Shpresoj që shumë italianë të vijnë për të vizituar Jordaninë, edhe sikur të bënin një shëtitje gjatë shpellave të shkëmbit të Petras, e pastaj të lundronin mbi ujrat e Detit të Vdekur, për të parë bukuritë e Vendit tim, të gëzonin mikpritjen jordaneze dhe të shijonin, mbi të gjitha, veçantitë tona të këndëshme ushqimore.

“Corriere della Sera”, 9 shtator 2016

Please follow and like us: