Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: JO VETËM PËR ARONIN

Mos ma përmend shpesh emrin –
më thotë Aroni…
vlonjat dhe hebre njitash,
ditët që ne përcollëm
na afrohen
sepse
i deshëm, na donin
kujtesa e tyre s’është emër
por gdhendje
në gjak.

Si thua Aron, hebreu im vlonjat?!

***

Beersheva
afër shkretëtire
pa shkreti njerëzore përkrah.

I iki shkretëtirës
jetoj mes gdhendjeve, mes korrjeve
rrallë në Beersheva, shpesh, kalli Vlore.

***

Me krahë fluture
ky qytet i të bukurave
ky qytet më shpesh i të mirëve
ky qytet i ngjarjeve, plot melodive.

Fluturat rrallë kujtohen
për mua … aq rrallë
sa kur kujtohem
për t’i takuar
s’janë më flutura
por mirësisht fjalë.

***

Të eci përpara
s’më le gjithçka mbrapa
krahët e drurëve, syri në gjah
rrugët e urta, shkreptimat e vagullta.

Pas po kthehem,
përpara më ecin këmbët
më çojnë vrulltie tutje, më tutje,

Etja
mes shkretëtire thahet
ujërat rrëmbehen
burojnë
nga buzët
prej gruaje…

Sa dal nga bota prej rëre
mbrapa lë gjithçka
s’e lë mbrapa,
I gëzohem
qytetit endje

Syrit në gjah
gruas plot flatra.

***

Dita digjet në diell pa flakëza e tym
era fryn në të gjitha shtigjet
asgjë nuk rrëmben
tek ty në gjurmë.

Shigjeta të padukshme lëndojnë erën,
Dita të përqafon pa tym, veç flakëz,
në Vlorë dallgës i gëzohem
i bie në gjunj’ herët

në Beersheva i lutem natës.

***

Unë, në mëngjes, jetoj me një hebre,
dhe në mesditë me një palestinez,

në mbrëmje përhera jemi tre …

N’atdheun tonë
Jeruzalem…

Në Vlorën time dhe tënden Aron…

***

Premtimi i ri buit thellë njeriut
gjithandej përhapet
paskëtaj,
jemi afër dhe larg
si jugu me veriun
në ndërgjegjet tona
fitimtarë dhe humbës
herë shumë, herë cak.

Caku ecën në rrëpirat e thekëta
me një rropatje të madhe
ndonjëherë qëlluar
me plumb,
Bota e madhe
është e vogël
për hekurat
Njeriu përtërihet
besimeve të vërteta
pa asnjë teh, asnjë gungë.

***

Negev…. shkretëtirë,
fytyrë e zymtë
Negev,
erërat
rreth e rrotull
duna rëre të lëpijnë
ndonjëherë
edhe në qiell.

Asnjë shkreti
sot s’ka qielli
mbi shkretëtirë,
Negev
të prekim, na prek
dot s’na mbërrin.

***

Beersheva – Rripi i Gazës
41 km. larg, sa afër.

Atje
asokohe
vrapim atleti
me hovje n’ajër
shpejt mund të shkohej,

tani këtu
gjer në fund të botës
helmeta mbi troje.

Gjithandej, gjithkah
nga toka më shpejt
mbërrihet tek qielli

se nga Rripi i Gazës në Beersheva.

***

U çarmatos dimri, thurrimat iu shkrin –
Atleti vrapon, ndër gishta
një degëz ulliri
paqe e lidhur
paqe e bimë.

O atlet i gjithkohshëm
plot xixa bujarie
ti mvenjtesh e rrëzohesh
nga pengesa e pabesë,

U çarmatos dimri
në qytetin
plagë kujtese
troje

Në qytetin
plot mjaltë
hoje … Jeruzalem.

***

Ajri plot qëndisma ndër gishta –
Ndonjëherë këtu pa pandehur
njerëzit edhe frikën
e ndalin
të bëj pak kozmetikë
t’i mbledh gërshetë flokët
të verë vath dhe karfica.

Ku humbi frika, përsëgjalli?
Këtu edhe frikën
e qendiska
Ajri…

***

Sot iki diku
q’andej askurrë
ikur
të kthjellohem
më tepër,

vetëm e le hijen
megjithatë
edhe hijen e le
me laps e me letër.

Tek të verbërit jetoj
me tjetër sy drite,
rrëpirat para meje
nuk kanë roja zgërbonje
po thepisje e gjemba
me vdekjen
pas shpine.

***

Ky muze i ka themelet në det
çatinë rrezëllitëse
gjer në kodër,
faqe dorëshkrimesh
për fatin e rëndë
të njerëzve
mijëra vjet
Muze me makina qepëse
paja nusesh argjend
kostume dhëndurësh
bosht i madh, i vogëlth.

Unë, nga Sheshi i Kateqit
këtu hyja dhe dilja shpesh
fëmijë edhe prindërisht,
tek rrugica e çifutëve
rrobaqepës
më pak të vetes
më shumë të tjetrit

rrugica muze
sot ndoshta dhe kishë…

***

Lumi Nahal luhatet nga këmbët
drithëron paksa
nga vetullat,
nga buzët,
me sy të kulluar të sheh
s’të sheh shtrembër
edhe në s’je
i këtushëm.

Nuk ka asnjë ngastër hijesh
asnjë thirrmë e përmbytje
ndër të gjallë
jo të unshëm,
lum a përrua
pëshpërimë
a përshpirtje
rrjedh tek mua
rruga ujore Nahal -Durrës.