Albspirit

Media/News/Publishing

Pro amerikanizmi dhe ish “prosovjetizmi shqiptar”

Pro amerikanizmi dhe ish “prosovjetizmi shqiptar”

Po, është e vërtetë, shqiptarët janë proamerikanë, në të shumtën e tyre. Dhe kanë realisht përse të jenë, të tillë. Në shekullin e kaluar, janë demostruar të paktën 2 prova të mëdha të mbështetjes gjeopolitike dhe egzistenciale amerikane për shqiptarët. Parimet e presidentit Uillson në Konferencën Ndërkombëtare të kufinjve të Ballkanit dhe qëndrimi USA-Clinton për Kosovën dhe Shqipërinë njëherësh. Qëndrime që u përputhën me të vërteta të mëdha dhe 100 vite të varrosura, nga historia dhe zigzaket gjeopolitike.

Një komb serioz, di të bartë në kujtesë dhe duhet të dijë të ruajë me xhelozi, një aleancë të qëndrueshme me faktorin më të rëndësishëm pro, të egzistencës së vet historike. Dhe kjo është padyshim kategorike dhe e patundshme në themelet e veta gjeopolitike.

Mirëpo Shqipëria është përgjithësisht një vend pa rregulla dhe pa busull gjeopolitike të mirëfilltë. Mjerisht ka mbetur një vend kamaleon, në të përditshmen e vet dhe Rilindjen e vet historike dhe peshërëndë, e ka zëvendësuar me një karikaturë, më të rëndomtë se ato që dikur botoheshin te revista Hosteni.

Në kujtesë të më të vjetërve, që po shuhen, mbahet mend edhe zjarrmia e një kohe tjetër. Koha kur flitej, këndohej dhe brohotiej me pathos, për ish Bashkimin e Lavdishëm Sovjetik. Mijëra vargje dhe dhjetëra këngë e rapsodi, sot të harruara. Pikërisht sepse ishte kjo “miqësi” me Moskën dhe BRSS, një realitet propagandistik dhe në interes të diktaturës që shtypte dhe komandonte botën shqiptare. “Katjusha”, “Galinka” dhe këngë të tjera ruse ose sovjetike, përcilleshin me zë të lartë në Klubet e miqësisë Shqiptaro-Sovjetike. Ku flitej gjysëm rusisht dhe gjysëm shqip dhe ku shumica bëhej xurxull me vodka, me të cilën shqiptarët kishin zëvendësuar rakinë. Doli edhe moda e martesave fatlume me gra ruse. Sepse Rusia, pas Luftës së Dytë Botërore, kishte humbur të paktën 15 milion meshkuj, boshllëk që studentët shqiptarë në ish BRSS nuk kishin si ta mbushnin, megjithëse dhanë maksimumin e tyre.

Madje Kinostudioja kolosale sovjetike, instrumenti kryesor i propagandës sovjetike, që imitonte Hollivudin, Mosk-Film u bëri në vitet ’50, edhe një “dhuratë të madhe shqiptarëve” dhe sidomos pro-stalinistit Hoxha, duke prodhuar dhe xhiruar, superfilmin e shtrenjtë “Skënderbeu”. Një film dukshëm me frymën e patriotizmit socialist, antiperëndimor, ku Oksidenti përfaqsohej nga “Republika dredharake dhe e pabesë” e Venedikut, ku një popull barinjsh, e nënvizuar kjo në film, bëhet qëndrestar kundër 2 superfuqive Mesjetare të asaj kohe: Perandorisë Osmane dhe Republikës së Venedikut. Gjithësesi ky film, “Skënderbeu”, fitues i Palmës së Artë në Kanë, shënoi dhe një nga kulmet e miqësisë së atëhershme shqiptaro-sovjetike.
Vodka, këshilltarët sovjetikë, gratë bionde ruse, nëndetëset dhe armët e Traktatit të Varshavës, ish Blloku Lindor ushtarak anti-Nato, në të cilin Shqipëria bënte pjesë dhe thurrte këngë, parrullat e Miqësisë së pathyeshme shqiptaro-sovjetike, ndihmuan Hoxhën të bëhej një gjysëm mbret i mirëfilltë në Shqipëri. E ndihmoi të mos kishte frikë në shfarosjen e “klasës” kundërshtare dhe ne nënshtrimin e ish komandantëve partizanë, që bënin rezistencë morale ndaj batërdisë që ra mbi popullin e coroditur.

Kjo “frymë” e stisur dhe e komanduar pro-ruse dhe pro-sovjetike, ishte e komanduar nga lart-poshtë, përmes ideologjisë leniniste dhe Enver Hoxhës dhe nuk përfaqsonte, asgjë reale, qoftë në aspektin historik dhe qoftë në aspektin gjeo-politik për shqiptarët.
Rusia si ish Perandori, në kohën e Carëve, apo si ish Bashkimi Sovjetik nëndrejtimin e Stalinit, apo aktualisht si Republikë federale, nën Putinin, ka interesa natyrale gjeoplotike që nuk janë përputhur asnjëherë dhe nuk përputhen as sot, me ato të Shqipërisë dhe të Kosovës. Dhe shqiptarët kudo që ata janë, e dinë tanimë mirë këtë gjë. Sllavët dhe shqiptarët në Ballkan, kanë patur mjerisht, një bashkëjetesë të vështirë. Shqiptarët, kanë shpëtuar nga masakra përfundimtare, falë ndërhyrjes energjike dhe të ndershme të SHBA dhe pas tyre, të BE.

Rusët bënë për shqiptarët një super film të kushtueshëm, përkëdhelës dhe madje antiserb, mjafton të kujtojmë këtu tradhëtinë e Mbretit serb Brankovic, në filmin Skënderbeu, ndërsa amerikanët, bënë, në favor të së Drejtës dhe të shqiptarëve një Luftë të Vërtetë dhe Clirimtare, në vitin 1999. Një Luftë që mbrojti Shqipërinë dhe që shpëtoi Kosovën, që është sot, në të vërtetë një Shqipëri e dytë.

Thënë të gjitha këto, që janë të vërteta themeltare, përdorimi i sotshëm i proamerikanizmit, për politikën e ditës, është në të vërtetë një déjà vu, që nuk gëlltitet dot pa neveri. Është një tendencë e përdorur dikur me këshilltarët sovjetikë, me ambasadorin sovjetik apo me miqësinë e “pathyeshme sovjetiko-shqiptare”.

Janë të neveritshme deklaratat e sotme te qeveritarëve, se “janë amerikanët” ata që certifikojnë se sa mirë apo se sa keq, po qeveris përshembull Rama, cështjen e kanabisit, se si shohin apo nuk shohin ata, pistat dhe aeroportet e vegjel të drogës, që janë mbjellë sot nëpër Shqipëri.

Sigurisht që amerikanët i shohin me shqetësim këto pista uljeje dhe aeroporte të vegjël, si ai i Ishmit, sepse aty mund të transportohet kanabis, por edhe kokainë dhe heroinë. Por jo vetëm kaq, pistat e drogës shpesh gërshetohen me pistat e terrorizmit ndërkombëtar, të armëve, lëndëve plasëse apo atyre radioactive të terrorizmit ndërkombëtar. I shohin pra, mbajnë shënim dhe nuk është cudi të kenë drejtuar ndonjë nga satelitët e tyre vëzhgues mbi territoret tona. Vizita e buzëqeshur e ish ambasadorit Arvizu, që takoi të gjithë krerët shqiptarë dhe mesazhet konfidenciale që transmetoi, nuk përjashtohet të ketë lidhje edhe me këtë aspekt.

Është pra, ky “pro-amerikanizmi” i përdorur si një alibi e politikës së ditës, apo deklamimi se amerikanët janë me ne dhe kundra jush, që bën establishment Rama, një palo përdorim, që dëmton marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Duke e keq përdorur deri në ekstrem përshembull, dashamirësinë e ambasadorit Lu, për të Majtën shqiptare si një e Majtë me prirje reformiste, të duket se janë duke aplikuar mësimet e një shkolle të vjetër, atë të kohës sovjetike. Ambasadori amerikan sot, nuk është një mburojë apo një gjykatës, që nxjerr të pafajshëm njerin krah dhe rëndon subjektivisht në krahun tjetër.

Kush e lexon kështu, bën herët a vonë autogol. Amerikanët, në strategjinë e tyre globale, janë pro-Shqipërisë dhe pro një Shqipërie dhe Kosove të shëndetshme, sepse Shqipëria, është dhe do të jetë, një Ishull oksidental i qëndrueshem në Ballkan.

Dhe kjo është e natyrshme dhe është një fill historik dhe gjeopolitik, që vijon që nga koha e Gjergj Kastriotit, dikur i pagëzuar “mburojë e Krishterimit”, dhe “Kryekalorës i Perëndimit”.

Rilindja autentike Shqiptare, kishte gur themeli tezën e vet se :”Dielli i shqiptarëve lind nga Perëndimi!”, tezë që u vërtetua mirëfilli me luftën epike amerikano-europiane, për Clirimin e Kosovës.

Zvoglimi dhe përdorimi i amerikanizmit, si një lugë dhe një pirun, për gjellën e përditshme dhe të neveritshme të politikës shqiptare, është në vetvete, injorancë, idiotizëm dhe Antiamerikanizëm. Tundimi i kësaj qeverie për ta bërë këtë është një rrekje e dështuar, por që dëmton interesat afatgjata dhe gjeopolitike shqiptare, ne lidhje me aleatin e tyre të madh. Që nuk ka asnjë ngjasim, në formë dhe në përmbajtje, me ish-BRSS.

Please follow and like us: