Albspirit

Media/News/Publishing

Evropa ime: Një vështrim i shpejtë

Evropa ndodhet në një qorrsokak. Por rreziku nuk vjen nga e majta.

Deutschland Eleni Torossi bei der Buchmesse in Frankfurt 2009 (picture-alliance/Frank May)

Unë druaj, se ne grekët e kemi fokusuar vëmendjen tonë tek Greqia, sepse tashmë jemi të zënë deri në fyt me problemet e vendit tonë, e kësisoj hedhim vetëm një vështrim kalimthi ndaj Evropës.

E megjithatë ne i ndjekim zhvillimet dhe konstatojmë, që Bashkimi Europian gjithnjë e më shumë po futet në qorrsokak. Shumica nga fusha e politikës, e ekonomisë dhe e medias pas Brexit prisnin, që Anglia do të ishte vendi që do të përballej me problemet më të vështira. Por tani ne konstatojmë, që Brexit në fakt po i nxjerr në pah të gjitha pikat e dobëta dhe defektet në BE.

Para dhjetë ditësh në prag të samitit në Bratislavë dolën në pah nga një sërë deklaratash prej politikanëve dhe nëpunësve të nivelit të lartë të BE-së, shprehja e një farë sëkëlldie, e po ashtu edhe mungesa e kurajos së drejtuesve të Evropës. E njëjta gjë ndodhi edhe në samitin e Bratislavës: politikanët drejtues të Europës preferuan të gjithë së bashku më shumë një marrëveshjepa guxim dhe sipërfaqësore. Ata ishin për emëruesin më të vogël të përbashkët. Rezultati është, që ky emërues i përbashkët nuk i zgjidh aspak problemet, por vetëm i shtyn ato.

Papritur: Një gjuhë pa doreza

E para prej këtyre deklaratave erdhi nga ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. Ai mendon, se Hungaria me gardhin e dyfishtë me tela me gjemba në kufi dhe injorimin e plotë të rregullave të Brukselit nuk ka vend në Bashkimin Evropian. Papritur ne patëm ministrin e një vendi të BE-së që fliste për herë të parë pa doreza lidhur me një vend tjetër evropian duke bërë të qartë kështu mendimin e tij. Deklarata e tij nuk kishte të bënte me temën e zakonshme, politikën ekonomike, por me qendrimin etik të vendit si një shtet anëtar.

Deri tani ne çdo ditë ishim ambjentuar me akuzat e reja lidhur me politikën ekonomike dhe mosrespketimin e marrëveshjeve, në radhë të parë ne në Greqi, por edhe vende të tjera të jugut. Përkundër kësaj deklarata e ministrit të Jashtëm të Luksemburgut ka të bëjë tani me rregullat e përbashkëta etike të bashkëjetesës së shteteve anëtare të BE-së dhe respektimin e këtyre rregullave nga vendet anëtare.

“Përse duan ata t’i përjashtojnë refugjatët?”

Me këtë ai nuk ishte vetëm. Një ditë pas takimit në Bratislavë Thorsten Denkler, një redaktor me përvojë i Süddeutsche Zeitung, shkruante, se për të gjitha vendet, që kërkojnë zbatim me “fleksibilitet” të rregullave për shpërndarjen e refugjatëve duhet që ky “fleksibilitet” të vlejë edhe për avantazhet që gëzojnë këto vende nga BE-ja.

Këtë propozim unë e lexova për herë të parë, ndonëse një fjali e tillë dëgjohet prej gojës së shumë qytetarëve, që thonë: “Përse duan ata t’i përjashtojnë refugjatët? Të shijosh vetëm avantazhet e BE-së, por pastaj të mos bësh asgjë për të përndjekurit? Jo! Kjo është kundër traditës sonë kristiane! Atëherë edhe ne duhet të kemi kujdes, që atyre të mos u garantohen avantazhet e BE-së!”

Meqënëse ne në Greqi vuajmë nën një qeveri populiste dhe oportuniste me diskurs të majtë, disa tentojnë të besojnë, që problemi në Europë është e majta. Por ne tani po shohim, që kjo nuk është me vend. Ne shohim disa vende të ish-bllokut lindor, si Hungaria dhe Polonia, që po lëvizin drejt një nacionalizmi të djathtë, direkt ose indirekt, ato po e refuzojnë demokracinë liberale. Ata synojnë regjime á la Putin. E ky është problemi.

Shkrimtarja greko-gjermane Eleni Torossi ka lindur në Athinë. Ajo u largua nga Greqia gjatë diktaturës ushtarake dhe jeton qysh nga viti 1968 në Mynih. Ajo ka botuar disa libra në gjermanisht dhe greqisht, së fundi romanin “Kur unë të tregoja, se si tingëllon bota”. Në vitin 2009 ajo u nderua me Medaljen e Republikës për Merita.

Please follow and like us: