Albspirit

Media/News/Publishing

Vatikani nxjerr dokumentat “tepër sekret” për Shqipërinë

25 vite pas rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Vatikanit (ku ende nuk kemi një ambasador), është vënë theksi te harmonia fetare, kontributi i kishës në Shqipëri si edhe janë publikuar dokumente deri tani të panjohura.

DESHIFRIM. Tepër sekret. Të rikthehet në organin e shifrës. Ndalohet me nxjerrë kopje.

“Kërkonte mbështetjen e tyre para rrezikut të forcave shkombëtarizuese të Serbisë dhe të kishës së saj. 4)Sipas gazetarit shqiptar në radion italiane, Albert Akshija, i cili ka konfirmuar përsa thuhet më sipër, Vatikani e ka vlerësuar heqjen e nenit për fenë nga Kodi Penal, por ditët e fundit forca të ndryshme (vijon në fletën tjetër) kanë shfaqur dyshime mbi këtë veprim. Burime të ndryshme kanë informuar se në Shkodër pas ekseseve që pati në fillim të vitit, janë dënuar me pretekstin për agjitacion e propagandë, disa persona që në fakt janë dënuar për propagandë fetare….

DESHIFRIM. Tepër sekret. Të rikthehet në organin e shifrës. Ndalohet me nxjerrë kopje.

“Të dorëzojë një kopje të mesharit të Gjon Buzukut. …Qëndrimi i Vatikanit do të sensibilizohej akoma më shumë ndaj Shqipërisë, nëse nga autoritetet shqiptare do të bëhej ndonjë gjest, duke dhënë ndonjë të dhënë mbi gjendjen e ish-peshkopit të Durrësit, Nikolla Troshani, me të cilin Vatikani ka humbur çdo lidhje dhe nuk di se ku ndodhet, nëse është gjallë, etj.”.

Në një letër të mëvonshme, data e së cilës nuk lexohet, shkruhet se “hapi i rëndësishëm, ishte korrespondenca midis Selisë së Shenjtë dhe Peshkopit Trashani, sepse ajo nuk është thjesht një kortezi, por një raport shpirtëror, që ka të bëjë me strukturat e organizimit të fesë”. Më tej vijohet në të njëjtën letër, “një javë pas letrës sonë, Troshani na ka dërguar një përgjigje me postë normale. Edhe ky fakt është me rëndësi, sepse tregon se ai pas shumë vuajtjeve lejohet të komunikojë, me neve”…

Ka pjesë ta palexueshme në këtë letër, por më tej vijohet: “Dëshirojmë që sa më parë të dërgojmë në Shqipëri një funksionar të (fjalë e fshirë)… Vatikanit, një vizitë të shkurtër njohëse. Mendojmë të jetë një njeri nga zëvendësit e mi, i cili të qëndrojë pak kohë, sa për një bisedë a drekë 2 deri 3-orëshe, në shtëpinë e Troshanit, apo diku tjetër…

Natyrisht, si kontakti i parë që është, në duam që të bëhet në kushte normale, pa zhurmë e bujë, pa asnjë shqetësim për qeverinë shqiptare. Nuk dëshirojmë të shkaktojmë asnjë provokim, duam thjesht të ndihmojmë që ky peshkop, tashmë në moshë të thyer dhe kaq mundimesh të ndjejë një sadisfaksion. Me sa dimë ne, Troshani nuk ka bërë ndonjë kritikë ndaj regjimit dhe ka shprehur thjeshtë kërkesa shpirtërore. Tha se i dërguari i Vatikanit për të realizuar takimin me Troshanin do të ketë nevojë për ndihmën e autoriteteve shqiptare… U lut që kërkesën e tij t’ia transmetojë qeverisë dhe kur të kem një përgjigje t’ia bëjë të njohur…”. Letra vijon, por leximi i saj është i pamundur – në të gjitha dokumentet në vend të “ipeshkëv” përdoret “peshkop”, ndërsa mbiemri del herë Troshani e herë Trashani.

Këto tri dokumente janë shkëputur nga ekspozita e çelur dje në Ministrinë e Jashtme në kuadër të konferencës ‘Çerek shekulli marrëdhëniesh të tjera mes Shqipërisë dhe Vatikanit’. Të sigluara në fillim si ‘Tepër sekret’, e sot të deklasifikuara, ato janë informacionet e para zyrtare për interesimin e Selisë së Shenjtë për të lidhur marrëdhënie me Shqipërinë, në muajt janar-dhjetor 1990, raportime nga diplomatët tanë në Romë për çfarë interesohej Vatikani madje, deri edhe kërkesa për ndihmë që Shqipëria i bënte Vatikanit për të ndërhyrë sa i takon gjendjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe afrimit të Shqipërisë me Perëndimin teksa komunizmi po binte. Ka qenë Drejtoria e Arkivit Historik dhe Dokumentacionit në MPJ që ka paraqitur një ekspoze historike me pasuritë arkivore të MPJ mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të shtetit shqiptar me shtetin e Vatikanit.

KUSH ISHTE IPESHKVI

Ipeshkvi (në letër peshkopi) për të cilin Vatikani interesohej e për të cilin Shqipëria e kohës qe e gatshme të jepte informacion, siç shihet edhe për të fituar një farë vëmendje nga Selia e Shenjtë, ishte Imzot Nikollë Troshani. Për të pak dihet nga publiku i gjerë. Është ndarë nga jeta në fillimvitet 1990. Historia e emërimit të tij, përbën interes, pasi ai u emërua nga komunizëm.

Pas përplasjes së shtetit komunist me Kishën Katolike në Shqipëri, “shteti kërkoi të rregullohen disi marrëdhëniet me të gjitha institucionet fetare e kryesisht me Kishën Katolike, përmes një statuti. Shteti paraqiti një statut të vetin. Në takimin e zhvilluar në Kryeministri mes Mehmet Shehut e Imzot Bernardin Shllakut, u ra dakord që emërimet të bëheshin nga Selia e Shenjtë, por komunikimi mes Selisë së Shenjtë dhe Kishës Katolike në Shqipëri do të bëheshin përmes qeverisë”, shkruante Imzot Zef Simoni.

Ipeshkvi për të cilin interesohej Vatikani, Imzot Nikollë Trashani ka qenë shuguruar ipeshkëv gjatë kohës së komunizmit. Mbas firmosjes së statutit të sipërpërmendur, ai u emërua nga Selia e Shenjtë, me propozimin e Imzot Çobës, në prill të vitit 1959, si ipeshkëv i dioqezës së Lezhës dhe i Durrësit, edhe pse dioqeza e Durrësit iu mbajt e fshehtë Imzot Nikollës, me presion të qeverisë. gazeta shqiptare

Please follow and like us: