Albspirit

Media/News/Publishing

“Koncerti i Vjenës” në Tiranë dhe Vasili “si kofini pas të vjelit”

 Image result for albspirit

Nga Artur Bego

Petrit Vasili është i vetmi politikan shqiptar që e ka filluar “aktivitetin” e tij për këtë viti të ri. Në fakt, nuk duket ndonjë fillim i ri, por thjesht vazhdim i sjelljes së forcës politike që ai përfaqëson, e tipit “i qan hallin popullit”.
Por këtë vazhdon ta bëjë me “vonesë faze”, e thënë ndryshe, “si kofini pas të vjelit”.
Pas kërcënim/votimit të taksës së gazit të lëngshëm, pas edhe votim/kërcënimit për lojërat e fatit, Petrit Vasili sot, sërish “i vonuar” zgjodhi të ironizonte “Koncertin e Vjenës” në Tiranë.
“Orkestra e RTSH-së mund ta bëjë që Koncerti i Vjenës të flasë shqip. Orkestra e RTSH është formacion muzikor dinjitoz. Danubin blu shqiptarët e kanë dëgjuar falë kësaj orkestre”, lëshoi sot Petrit Vasili, batutat e tij të radhës për këtë fillim-viti të ri.
Por Petrit Vasili mund ta kishte bërë këtë “konstatim”, “shprehej dëshire”, apo “sugjerim”, të paktën që në fillim-qershorin e vitit që sapo iku, kur ministrja e Kulturës “firmosi” 135 milionë lekë (të vjetra), për orkestrantët e “Koncertit të Vjenës”, mbrëmë në Tiranë.
Do të ishte në nderin e Petrit Vasilit të “ngrinte zërin” muaj më parë për atë koncert.
Sot nuk ka asnjë vlerë.
Të gjithë e dimë se ai koncert i mbrëmshëm u realizua falë “trajnerit të Kombëtares së futbollit” Edi Rama, i cili pas një ylli më tepër në spaletat “e meritës së tij” për prezantimin “dinjitoz” me vetëm një fitore në finalet e Europianti “Francë 2016”, e filloi vitin e ri me prezantimin “dinjitoz”, 135 milionë lekësh, të 36 nga 222 orkestrantëve të Filarmonisë së Vjenës, në “të papërsëritshmin” “Koncertin e Vjenës” në Tiranë.
Petrit Vasili mund të na e kishte kursyer, jo vetëm ne këtë “qarje halli të vonuar”, por edhe Edi Ramës, një tjetër yll në spaletat e “meritës së tij”…
Për më tepër Petrit Vasili mund të na kishte kursyer 135 milionë lekë (të vjetra)… Se sa për t’ia dhënë këto lekë orkestrës së RTSH-së…, këtë nuk mund t’ia kërkojmë sepse nuk e ka ai në dorë…, ndërsa Edi Rama, si politikan i fasadës, e sigurt që nuk do t’ia jepte këto lekë një orkestre “që flet shqip”…

Please follow and like us: