Albspirit

Media/News/Publishing

Kongresi i Abu Dhabit, si konfirmim i vizionit modern të KLSH

Nuk ndodh gjithmonë që vizioni i ri i një institucioni të certifikohet shpejt si i suksesshëm dhe i dobishëm për publikun. Nganjëherë, nuk mjaftojnë as dekadat për të marrë vlerësimin e merituar, dhe në raste të tjera, për shkak të kohës së gjatë, që rrjedh, është historia vetë ajo që i mbyll llogaritë.

Nuk mund të mohohet se është përherë kënaqësi të konfirmohesh brenda vendit, por është disa fish krenari, kur ky vlerësim të vjen nga institucione dhe aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare.

Mund të thuhet pa frikë se Kongresi i XXII INCOSAI,i dha të drejtë projektit disavjeçar të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të qenë më pranë publikut shqiptar, natyrisht duke qenë gardian i fuqishëm i interesave të tij.

Në deklaratën finale të tij shpalosej qartë ambicia e kësaj organizate për të krijuar një zë global më të fortë mbi auditimin publik. Ajo përfshin një çështje të veçantë në strategjinë e re të zhvillimit të INTOSAI-t 2017-2022, duke e parashtruar si sfidë të organizatës për të ardhmen. Vlen të theksohet, se mënyra me efektive për të rritur impaktin dhe peshën e institucionit vlerësohet që të jetë rritja e transparencës dhe e komunikimit në publik të SAI-ve.

Është në fakt pikërisht ajo që ka bërë vit pas viti Kontrolli i Lartë i Shtetit në Shqipëri, duke filluar që nga viti 2012 dhe nuk e teprojmë po të themi se e ka realizuar këtë synim sipas standardeve më të mira europiano-perëndimore.

Në këto pesë vjet (2012-2016), KLSH, nga një strukture tërësisht e mbyllur e hermetike, e cila prodhonte kryesisht njoftime shtypi për dëme hipotetike, u shndërrua me shpejtësi në një komunikuese model me qytetarët. Në gjetjet dhe rekomandimet e KLSH-së, mbrojtja e interesit publik nëpërmjet kallëzimeve penale për abuzuesit e vërtetë me pronën e të gjithëve, ia rritën profilin institucionit dhe besimin e simpatinë në sytë e qytetarëve. Gjatë kësaj kohe, KLSH në kallëzimet e veta nuk kurseu askënd, duke kërkuar llogari për dëmet ndaj Buxhetit të Shtetit në të gjitha nivelet e hierarkisë së administratës, ministra, drejtorë të përgjithshëm, e deri tek nëpunës më të ulët të institucioneve shqiptare.

Me nismën dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Kryetarit të KLSH-së, u inkurajuan audituesit dhe gjithë stafi i KLSH që të shkruanin pa asnjë kufizim në shtypin e përditshëm për probleme të mprehta të administrimit publik, të hasura në auditimet tona. Ata u ftuan dhe u nxitën të jepnin opinionet e tyre individuale, duke ofruar rrugëzgjidhje për përmirësime legjislative, administrative dhe ato të mirëfunksionimit të sistemeve tona publike.

Gjatë katër viteve 2013-2016 janë botuar me qindra shkrime, analiza, editoriale, opinione dhe profile të punonjësve të KLSH në praktikisht të gjitha gazetat e vendit me qarkullim kombëtar. Çdo 6 muaj institucioni boton një përmbledhje të shkrimeve dhe opinioneve më të arrira të audituesve të tij. Kontrolli i Lartë i Shtetit zbaton një nga standardet më të larta të transparencës institucionale për SAI-t në rajon dhe më gjerë, nëpërmjet faqes së tij në internet www.klsh.org.al. KLSH publikon në këtë faqe të gjitha vendimet e Kryetarit për auditimet e zhvilluara, si dhe njoftimet për rezultatet e tyre dhe kallëzimet penale.

Në këtë faqe, kushdo që ka interes të shikojë, do të gjejë publikimet dhe botimet e shumta të institucionit. Nëse deri në fund të vitit 2011, për të gjithë periudhën 1992-2011, numri i botimeveKLSH ishte 12, për periudhën 2012-2016 ai arrin në 67 libra. Botimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, krahas regjistrimit besnik të përmbajtjes së auditimeve të institucionit, të gjetjeve dhe rekomandimeve të çdo auditimi kryesor, përçojnë drejtimet strategjike të reformimit të tij, që janë rritja e kontributit për përmirësimin e qeverisje publike, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe ngritja e kapaciteteve të audituesve të KLSH-së në nivelin e një audituesi evropian.

Faqja zyrtare e KLSH online është një media në llojin e vet, ku publiku mund të gjejë informacione të plota për auditimet e kryera dhe propozimet kryesore të dhëna në auditimet e përputhshmërisë, financiare dhe të performancës të institucionit, duke marre një pasqyrë të hollësishme për abuzimet dhe problematikën me pronën dhe përdorimin e fondeve publike.

Qasjen me publikun dhe standardin e arritur të transparencës KLSH-së ia kane vlerësuar si partneret e brendshëm, organizatat e shumta jo-qeveritare, ashtu dhe institucionet e tjera të pavarura, profesorati shqiptar, bota akademike, etj., por edhe partneret ndërkombëtarë kryesore të institucionit, si SAI i Polonisë, Kroacisë, Austrisë, Turqisë, etj. Më e rëndësishmja, rritja e personalitetit dhe imazhit të institucionit është reflektuar dhe në rritjen e adresimeve, letrave e ankesave të qytetarëve të ndryshëm që vijnë në adresë të institucionit, gjë që dëshmon për shtimin e besimit qytetar tek KLSH.

Për shkak të këtij vizioni të ri është rritur besueshmëria e qytetareve shqiptarë tek institucioni, si një mbrojtës i pakompromis i interesit publik, në luftë të vazhdueshme dhe të përditshme ndaj abuzimeve dhe korrupsionit në administratën shtetërore. Gjithçka ka ndodhur këto 5 vjet në rikonceptimin e rolit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Shqipëri, është në përputhje të plotë me moton qendrore të Kongresit të Abu Dhabit për ta kthyer SAI-n në një institucion publik tërësisht në shërbim të qytetarit.

Ndaj edhe mund të themi me plot gojën se kjo ngjarje e rëndësishme botërore për institucionet audituese legjitimoi suksesin e projektit tonë, duke dëshmuar në një farë mënyre se ne i kemi paraprirë Abu Dhabit. Dhe sigurisht që kjo për vlen më shumë se çdo medalje për Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Nga Amantia PATOZI

Please follow and like us: