Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Golemi: Ministria Kumbaro duhet të bëjë politikat e artit dhe jo politikat e saj personale

Sopranoja e mirënjohur Eva Golemi, një nga zërat më brilantë sot të muzikës lirike,  debutoi në skenën e TOB, para 20 vjetësh, me rolin e Dona Annës nga opera “Dasma e Figaros”, rol që i hapi dyert e këtij teatri dhe që u pasua nga interpretimi mjeshtëror i mëse 30 kryeroleve nga literatura botërore operistike. Toska e Puccinit, Violeta nga “Traviata” e Verdit, Norma nga Bellini, Mimi nga “La Boheme” etj, etj, janë role që janë vlerësuar si nga kolegët, kritika por edhe me çmime kombëtare e ndërkombëtare.  Suksesi i fundit për Evën vjen i dyfishtë, si vlerësim nga Akademia “Kult”, “Këngëtari më i mirë lirik i vitit”, me rolin e Mimisë nga “La Boheme” dhe interpretimi mjeshtëror i Violetës nga “La Traviata”, si premierë e re në skenën e TOB. Për Evën, në këtë intervistë ekskluzive për “360grade”,  “artistët lirikë dhe instrumentistët klasikë, shesim imazhin më të mirë evropian të shqiptarëve. Unë mendoj se shteti shqiptar duhet të zgjidhet e të hartojë politikat afatshkurtra e afatgjata për këtë gjini të artit, që na ngre kokën lart në skenat (vitrinat) më të mira të artit të botës mbarë”,Intervista e mëposhtme është pas këtij suksesi të Golemit.

  • Çfarë kishte të veçante kjo rivënie e “La Traviata”-s, kur ju e keni interpretuar që prej 15 vjetësh këtë rol, të paktën me tre regjisorë të ndryshëm. Ku qëndron suksesi juaj?

         Ashtu siç e thatë edhe ju, kam 15 vjet që e realizoj rolin e Violetës në skenën shqiptare, por edhe atë evropiane dhe çdo shfaqje ka veçoritë e veta që ndryshojnë në varësi të teatrit, regjisorit, dirigjentit etj. Sigurisht rivënia e këtij viti ka disa risi dhe një të veçantë për mua, pasi “Traviata” e këtij viti mbyll një epokë (para rikonstruksionit), në një sallë që ka pritur e përcjellë me qindra, mijëra spektatorë e me qindra artistë të cilët kanë performuar, dhënë e marrë emocione, kanë debutuar apo mbyllur karrierën e tyre artistike.

Përsa i përket produksionit, mund të them se ishte “Traviata” më ndërkombëtare e realizuar në TKOB. Dirigjenti spanjoll, regjia gjermane, solistët nga Italia, Franca e Gjeorgjia, të cilët, bashkë me solistë të afirmuar shqiptarë, i kanë dhanë një atmosferë që gjendet rëndom në teatrot më të mira evropiane. Skenat, ku teknologjia ndërthurej me tradicionalen, veshjet e bukura e plot stil të Ardi Asllanit, dhe mbi të gjitha përkujdesja në çdo detaj nga drejtoresha, bënë që kjo shfaqje të mbetet mend gjatë nga publiku dhe nga vetë artistët pjesëmarrës.

  • Ju morët përgëzimet më të mira nga kolegët artistë, mes tyre edhe nga Inva Mula, ndërkohë që pati një reagim negativ nga ministria Kumbaro, në keqorientimin apo orintimin diabolik të saj. Si e vlerësoni ju këtë gjë?

Vlerësimi pozitiv nga publiku nuk më ka munguar asnjëherë, madje ai është frymëzuesi më i madh, ashtu si për të gjithë artistët e operës, për të vazhduar punën me pasion, me përkushtim e profesionalizëm, pasi për të tjerat, si p.sh për anën financiare, kjo nuk do ia vlente gjithë ai mund e sakrificë.

Inva Mula ka qenë dhe mbetet për mua një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë artistët lirikë, prandaj vlerësimi i saj profesional është nota më e mirë (dhe më e saktë), për çdo njërin dhe sigurisht ka një vlerë të madhe për mua. Sa për politikanët (përfshi edhe ministren Kumbaro) duhet të bëjnë politikat e artit dhe jo politikat personale për të çuar përpara të vetmen fushë ku ne përballemi denjësisht me të gjithë botën. Rrallëkush mban mend emrat e politikanëve në Itali, kur Verdi kompozonte “Traviatën”, por të gjithë kujtojnë Antonio Barezzi-n, melomanin dhe bamirësin, i cili mbështeti Verdin në momentet e tij më të vështirë për zhvillimin profesional. Për të mbetur në Itali, Lorenco de Medici është një politikan që vlerësohet sot e kësaj dite si mbështetësi më i fortë e më entuziast i asaj që quhej Renaissance. Sigurisht që ka edhe politikanë që mbahen mend për djegie librash e shkatërrim të artit, si p.sh. Hitleri etj.

Unë mendoj se shteti shqiptar duhet të zgjidhet e të hartojë politikat afatshkurtra e afatgjata për këtë gjini të artit, që na ngre kokën lart në skenat (vitrinat) më të mira të artit të botës mbarë. Unë e kam prekur vetë dhe jam ndjerë mjaft e vlerësuar në të gjitha skenat ku kam performuar, nga SHBA në Korenë e Jugut, e duke përshkuar tërë Evropën ndërmjet. Besoj se ne artistët lirikë dhe instrumentistët klasikë, shesim imazhin më të mirë evropian të shqiptarëve, tjetër produkt cilësor “Made in albania”, përveç domateve dhe shalqinjve, gastronomisë e ndonjë prodhimi tjetër që na ka falur natyra, nuk ofrojmë. Edhe futbolli, deri në vend të 25 na çon (qesh),… ndërsa Inva Mula me shokë na ka çuar në vend të parë në La Scala, Paris e Londër, etj.

Ky sukses u parapri nga suksesi tjetër, “artistja e vitit” te çmmet “Kult”, me rolin e Mimisë. Sa të vlerësuar ndihen artistët dhe a ka vend për më shumë?

Çmimin “Kult” e marr për herë të dytë dhe thuajse kam qenë e nominuar çdo vit për këtë çmim. Akademia “Kult” ka krijuar një traditë shumë të mirë, e cila duhej paraprirë apo krijuar edhe nga shteti shqiptar, për të gjitha arsyet që thashë më lart e për t’i dhënë më tepër mbështetje për investime të zgjuara e përfshirëse. Arti serioz nuk është asnjëherë fitimprurës (për fitime kemi Play back-ët), por është identiteti evropian. Gjithë bota e qytetëruar dhe ajo pjesë që tenton të shkojë drejt qytetërimit, e prezanton veten, pikërisht në këtë pjesë të kulturës. Imagjinoni, Siria është në luftë, por pas çlirimit të Palmirës, u festua me orkestër simfonike!… Shtetet më të zhvilluara janë të famshme për gjithfarë produktesh të teknologjisë së lartë, por arti është i  privilegjuar nga shteti e kompanitë private, të cilat duhet ta reklamojnë veten nëpërmjet artit, pasi dhe shteti i mbështet  me iniciativa.

  • Cila është surpriza e radhës? A keni menduar ndonjëherë te largoheni nga TKOB?

Surpriza nuk është e tillë, nëse zbulohet (qesh)… Besoj se do e pasuroj gjeografinë e performancave të mia. Sa për largimin nuk e kam menduar asnjëherë, si zgjidhje të përhershme. Kam një familje të mrekullueshme dhe dy fëmijë që më plotësojnë të gjitha boshllëqet që Shqipëria të “ofron”.

Please follow and like us: