Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë fshihet pas shtyrjes së ligjit të lojërave të fatit

Historia e një ligji të vetëm, i cili synoi të stabilizonte një sektor dhe të sillte një model të ri në fushën e lojërave të fatit, ilustron qartë mendësitë e politikës shqiptare. Tre vite e gjysmë më parë, mazhoranca e sapoardhur në pushtet, nisi një aksion në të gjithë Shqipërinë për të luftuar informalitetin në këtë sektor e më pas për të mbyllur kazinotë dhe shumicën e pikave të basteve. Synimi ishte që lojtarët të argëtoheshin vetëm në zonat turistike, duke mbyllur një plagë të shumë familjeve. E njëjta mazhorancë votoi për ta shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit të ri të lojërave të fatit për në 2019-n. Si janë përjashtuar në heshtje bastet nga pagimi i tatimfitimit. Investitorët që mbetën pezull nga shtyrja e ligjit…

U duk si një nismë personale e disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, iniciativa për të shtyrë me dy vite të tjera ligjin e lojërave të fatit. Në Kuvend u depozitua një kërkesë nga 6 deputetë të mazhorancës, të cilët shpreheshin se ligji i ri për këtë sektor, i cili mori një vit e gjysmë punë, nuk ishte gati për të funksionuar në Shqipëri. Dakord dhe në një mendje me argumentet e deputetëve ishte edhe Ministria e Financave, që ishte nismëtare tre vjet më parë e aksionit “Fundi i marrëzisë” dhe, po ashtu, edhe deputetët të cilët më pas miratuan ligjin.
Deputetët mbështetën kërkesën e tyre në pamundësinë për të gjetur një zbatim konkret të ligjit, për shkak se respektimi i distancës së pikave të basteve nga njëra-tjetra do të sillte mbylljen e një pjese të tyre, ndërsa kontratat e qirasë më subjektet e tjera sillnin rrezik për këto biznese pasi ishin bërë për një periudhë më të gjatë kohe. “Për të shmangur këtë kontradiktë, shtyrja e afatit, njëkohësisht ndikon edhe në shmangien e konflikteve gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore”, thuhet në relacionin e kërkesës së deputetëve.
Por më shumë se pamundësinë e zgjidhjes së kontratave të bizneseve, këmbëngulja për të shtyrë ligjin, vinte me argumentin se nuk ishin bërë ende aktet nënligjore. Situata mund të duket disi e çuditshme, ku shtyrja në vend që të kërkohet nga institucioni që nuk ka bërë gati aktet nënligjore, kërkohet nga vetë deputetët. Përpara shtyrjes, Kuvendi duhet të monitoronte ecurinë e zbatimit të ligjit dhe të kërkonte përgatitjen e udhëzimeve që do ta bënin atë të zbatueshëm. Konsensusi ishte edhe nga ana e Ministrisë së Financave. Në një letër drejtuar Komisionit të Ekonomisë, ky institucion shprehej se shtyrja e ligjit të lojërave të fatit shërbente në dy pikëpamje: nuk kishte terren për t’u zbatuar pasi nuk ishin gati udhëzimet dhe mungesa e të ardhurave nga kjo kategori krijonte probleme për buxhetin e shtetit. Të gjithë ranë dakord për të zhbërë një nismë që vetë e nisën tre vjet më parë, dhe që punuan një vit e gjysmë për ta përfunduar…

Aktet nënligjore që mungojnë

Sa i pazbatueshëm është sot ligji për lojërat e fatit. Janë gjithsej 22 akte të cilat nuk janë publikuar, por që ministri Financave, Arben Ahmetaj, premtoi se do t’i sjellë në kuvend brenda 31 janarit 2017. Ai tha se nuk ishin aktet të cilat pengonin zbatimin e ligjit, por më shumë se ato, ka qenë infrastruktura e dobët e turizmit dhe mungesa e ndërtimit të resorteve turistike sipas sistemit me yje, që ka penguar këtë ligj. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Turizmit ka bërë ndarjen e klasifikimit të hoteleve sipas pikëve dhe yjeve, por ende nuk janë krijuar agjencitë që do të bëjnë akreditimin e tyre.
Në evidentimet që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë, një pjesë e mirë e ligjit të ri të lojërave të fatit nuk është zbatuar. Edhe pse për vendime të Këshillit të Ministrave dhe udhëzime të ministrit të Financave afati që lihej për hartimin, ishte tre muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, (duke nënkuptuar hyrjen në fuqi në janar të këtij viti), aktet nuk janë bërë. Qeveria ka nisur shkeljen e ligjit pa filluar mirë zbatimi i tij.
Një tjetër rast është edhe ngritja e një sistemi privat për monitorimin e lojërave të fatit. Kjo platformë do t’i shërbente më mirë zbatimit të ligjit, por Ministria e Financave ka përfunduar hartimin e dokumentacionit për hapjen e tenderit, pa bërë ende funksional ligjin. Ky sistem do të operojë tashmë me ligjin e vjetër. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se kjo do t’i shërbente luftës kundër informalitetit në këtë sektor.

Tatimfitimi, nuk ka për bastet, ka për depozituesit!

Një amendament në seancën e fundit të miratimit të ligjit të ri për lojërat e fatit në dhjetor të vitit 2015, i depozituar nga dy deputetë të mazhorancës, Esmeralda Shkjau dhe Robert Bitri, kërkoi përjashtimin nga tatimi për fitimet të atyre që luajnë në kategorinë e basteve. Ligji i ri për lojërat e fatit nuk do të mbante më tatim në burim për ata që luajnë. Lajmi kaloi në heshtje në atë kohë. Kjo solli një precedent të madh për një vend i cili taton depozitat (interesin që fitohet nga ata që kursejnë para në banka) punën, çmimet, dhuratat dhe kategori të tjera që janë jashtë fushës së kumarit, duke përjashtuar lojërat me baste, të cilat u luftuan që në ditët e para të qeverisë “Rama”. Fryma e ligjit të lojërave të fatit ishte shtrenjtimi i licencave dhe taksave për këtë sektor, në mënyrë që cikli i zhvillimit të aktivitetit të tyre të vinte në tkurrje, duke i hequr kështu “një plagë të madhe sociale”, siç është shprehur edhe vetë kreu i qeverisë gjatë prezantimit të kësaj nisme.
Spiro Brumbulli, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave dhe drejtor i kabinetit në Ministrinë e Financave gjatë kohës që është hartuar ky ligj, thotë se ky rregullim iu bë ligjit për shkak se nuk mund të llogariteshin dot shpenzimet e lojtarit. “Ne pamë disa modele edhe në disa kazino në vende të botës, taksa e tatimit mbi fitimin të mbahet, por të llogariten shpenzimet e lojtarit. Në momentin që lojtari ka hyrë në kazino, atij i llogariten shpenzimet që ka bërë në lojë gjatë ditës, dhe kur del tatimi mbahet i saktë. Por këtë nuk e arrin dot ta llogaritësh për pikat e basteve. Një lojtar që mund të ketë luajtur 1 milion lekë një ditë dhe i ka humbur, të nesërmen fiton 400 mijë, nuk ke pse ia taton, por nuk ke edhe një historik të tij që të të tregojë shpenzimet, në mënyrë që t’ia zbresësh”, thotë për ‘Monitor’, Spiro Brumbulli.
Ai nuk është dakord as me pjesën se nuk duhet që të tatohet interesi i depozitave. “Ato janë një fitim i pastër që qytetarët marrin duke lënë para dhe duke i kursyer. Nuk kanë risk për lënien e parave, sepse një pjesë e mirë deri në kufirin 2.5 milionë lekë të reja janë të siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe nuk kanë shpenzime. Nuk tatohet e gjithë vlera e kursimit, por diferenca që merr individi nga interesi”, – sqaron Brumbulli.
Por ekspertët e ekonomisë ndahen në këtë pikë. Një pjesë e tyre nuk janë dakord me përjashtimin e tatimit mbi fitimin të lojtarit të basteve. Duke sjellë si shembull tatimin e aksioneve në bursë, në momentin që një kompani humb një pjesë të aksioneve, tatimi nuk i njeh si shpenzim të zbritshëm vlerën e aksioneve të humbura. Edhe pse me insistimin e kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, që lojtarët e basteve të mos përjashtoheshin nga tatimi, gjatë diskutimeve për shtyrjen e ligjit javën e kaluar, ligji i ri për lojërat e fatit nuk ndryshoi asnjë pjesë të tatimit në burim. Ai sërish mbeti 0 për ata që luajnë në këtë fushë.

Të ardhurat në vite nga kompanitë e lojërave të fatit

Informaliteti në fushën e lojërave të fatit është i dukshëm. Pavarësisht kësaj, nuk mund të thuhet se ky sektor ka qenë më mirë në deklarimin e të ardhurave përpara aksionit “Fundi i marrëzisë”. Xhiro totale e këtij sektori që është deklaruar në tatime ishte në vlerën 67 milionë dollarë në 2012-n, dhe po aq edhe në 2013-n, duke përfshirë edhe deklarimet që bëri hapja e kompanisë së licencuar “Lotaria Kombëtare”. Vitin pasues, deklarimet e kompanive të licencuara në kategorinë e kazinove elektronike u rritën menjëherë duke kapur vlerën e 100 milionë eurove.

Sipas xhiros që kanë të raportuar, kompanitë më të mëdha në fushën e lojërave të fatit janë APEX me 25 milionë euro të ardhura, e ndjekur nga Astra me 21 milionë euro dhe e treta rezulton Adriatic Game.

Kontradiktat e shifrave

6 deputetët, të cilët bënë kërkesë për shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit, e mbështetën kërkesën e tyre në argumentin se buxhetit të shtetit do t’i mungojnë të ardhurat në vlerën e 125 milionë dollarëve. “Këto të ardhura për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte si dhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth125 milionë USD në vit”, thuhet në relacionin shoqërues të kërkesës së tyre.
Por në një memo të siguruar nga ‘Monitor’, disa kompani që duan të investojnë në këtë kategori në Shqipëri dhe prisnin hyrjen në fuqi të ligjit për të investuar në resorte e kazino, shprehen se situata që thonë deputetët e mazhorancës është absurde, pasi xhiro e këtyre kompanive është 98 milionë euro ose 110 milionë dollarë. “Asnjë e dhënë ligjore nuk ka mbështetur shifrën e taksave të mbledhura nga shteti në lidhje me këto subjekte. Siç paraqitet në listën e nxjerrë nga QKR, bilance të deklaruara (të ardhurat totale të të gjitha subjekteve së bashku kazino, kazino elektronike, baste sportive dhe Lotaria), duket qartë që të ardhurat totale të këtyre shoqërive mezi kapin vlerën e 98 milionë euro. Kur xhiro e tyre është 98 milionë euro, si mund të humbasë shteti 125 milionë euro taksa prej këtyre subjekteve? Mos vallë kemi në Shqipëri taksa 130% më të larta se të ardhurat?” thuhet në memon e nisur Ministrisë së Financave.
Ata japin kundërshti edhe për çështjen e vonesave në publikimin e akteve nënligjore. “Aktet nënligjore nuk kanë fuqi ligjore dhe vepruese për të tejkaluar dispozitat e ligjit dhe si të tilla nuk e pengojnë aplikimin e tij. Ka shumë ligje në fuqi aplikimi, të cilët nuk kanë ende aktet nënligjore dhe nuk përbën problem në zbatimin e ligjit. Aktet vetëm sqarojnë procedurat e aplikimit të tarifave përkatëse dhe pagesave të tyre, sipas përcaktimeve të të ardhurave në lojërat e fatit. Është përgjegjësi e Ministrisë së Financave t’i nxjerrë brenda tre muajve dhe asnjë shpjegim nuk është dhënë për këtë përgjegjësi të munguar nga Ministria e Financave» shkruajnë kompanitë investitore në memo.
Një tjetër përplasje është edhe pjesa e numrit të të punësuarve në këtë kategori. “Në kërkesën tonë kemi konsideruar edhe numrin e të punësuarve në këtë sektor, i cili kalon atë të 1800 punonjësve të cilët në datë 1 Janar 2017 do ta shohin veten të papunë dhe si të tillë të regjistruar në regjistrat e papunësisë, duke sjellë në këtë rast rritjen e kostove të buxhetit të shtetit për ndihma sociale për familje në nevojë» thonë deputetët në relacion. Por kompanitë investitore që kërkojnë zbatimin e ligjit e argumentojnë ndryshe: “Ashtu sikurse në pikën 3, nuk ka asnjë bazë ligjore nga Ministria e Financave apo deputetët palë të interesuara ku vërtetohet punësimi i 1.800 personave nga lojërat e fatit. Mjafton të shikosh punësimin në pikat e basteve dhe kazinotë për të kuptuar që 1 banakier dhe një1 shef salle për çdo pikë janë të punësuar direkt, me një rrogë minimale, kur ajo është e deklaruar”.

Shtyrja e ligjit pengon hyrjen e investimeve të mëdha

Ligji i ri për lojërat e fatit ka qenë një nga më të lobuarit në kohën që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe po vazhdon të mbetet i tillë. Shtyrja e hyrjes në fuqi të tij nuk pengon licencimin e ri për kazino në zona turistike. Historia e treguar nga kompania Amadeus Group (http://www.monitor.al/amadeus-group-projekti-150-milione-euro-qe-mbetet-ne-leter-2/) tregon qartë që një projekt me miliona euro investime nuk mund të implementohet dot. Por përse nuk mund të merret licenca jashtë territorit të qyteteve dhe në zona turistike. ‘Monitor’ ka mësuar se në Këshillin e Ministrave është depozituar një projekt, i cili cakton vetëm një zonë turistike si të favorshme për të aplikuar kategorinë ‘resort casino’. Kjo do të thotë se nëse ligji hyn në fuqi, atëherë do të jepet vetëm një licencë e vetme, duke krijuar situatë monopol në fushën e kazinove. Ministria e Financave është kundër kësaj. Ajo ka kërkuar ndarjen në 3 deri në 4 zona turistike ku mund të jepen licenca për hotele resort casino. Se kush do t’i fitojë licencat e reja pas hyrjes në fuqi, kjo do të vendoset pas dy vitesh…

/Monitor/

“Shqipëria nuk është serioze, ndryshon ligjet në pafundësi”

Letra e çuar nga investitorët e huaj Ministrisë së Financave:

Mungesa e vazhdueshmërisë së fakteve me ligjin krijon destabilitet social, ekonomik dhe politik. Asnjë Grup Ndërkombëtar SERIOZ nuk mund të marrë në konsideratë Shqipërinë si një destinacion turistik për zhvillimin e lojërave të fatit dhe investimet përkatëse, përderisa paraqiten ndryshime ligjore ende pa u aplikuar ligji i votuar. Kjo situatë parashtron mundësinë e ndryshimeve të ligjit në pafundësi, në çdo moment, sipas dëshirave të deputetëve apo palëve të interesuara për të lënë situatën identike me 15 vitet e shkuara.
Ligji i ri jepte mundësinë për shoqëritë serioze të krijojnë investime në Shqipëri duke i përdorur këto investime të rëndësishme për të tërhequr një klientelë ndërkombëtare, duke krijuar të ardhura për shoqërinë investuese, punësime të niveleve të larta, taksa për shtetin dhe devizë të huaj në arkat e shtetit si dhe një imazh totalisht europian të Shqipërisë.
Me prezencën e shoqërive të listuara nga AMLF, të cilat deklarojnë të ardhura në bazë vullnetare me ligjin e vjetër, që nuk kanë investuar asgjë për vendin, nuk kanë tërhequr asnjë turist të huaj dhe vetëm kanë përdorur ato pak fonde të familjeve shqiptare duke i kthyer “të varur” në lojërat e fatit, ASNJË SHOQËRI NDËRKOMBËTARE nuk mund të pranojë të punojë dhe të investojë në një treg informal, të çrregulluar dhe nën standarde (deloyal).
Shoqëritë e lojërave të fatit janë të gjitha nën atributet e shoqërisë NOVOMATIC e cila furnizon me pajisje (makineritë) duke pasur tregun më të gjerë për Europën. Me mbylljen e këtyre pikave nëpër qytete, kjo shoqëri humbet një biznes indirekt duke marrë të ardhura direkte nëpërmjet akordeve për furnizimin me këto pajisje.
Nuk kuptohet perse kjo shoqëri ndërkombëtare (me qendër në SHBA dhe për Europën në Austri)nuk investon në hotele, aktivitete në industrinë e turizmit, të punësojë dhe të sjellë turistet nga e gjithë bota në Shqipëri, ashtu sikurse ligji e ka detyruar të bëjë në vende të tjera (Maqedoni, Bullgari, Mali i zi, Kroaci etj., për të mos shkuar më larg)??
Projektligji që kërkon shtyrjen e afatit, nuk bën gjë tjetër veç legjitimon vazhdimin e informalitetit, thellimin e problemeve sociale me të rinj shqiptarë që shohin lojërat si mundësi pasurimi, dhe përfundimisht largon çdo lloj investimi serioz në fushën e turizmit duke e listuar Shqipërinë në republikat bananiere, ku çdokush mund të ndryshojë ligjin në çdo kohë sipas interesave vetjake.

Please follow and like us: