Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Bezhani: Ja si politikanët manipuluan dosjet e Sigurimit, dokumentet e rëndësishme u vodhën më 1997, SHISH zhduku të dhënat e bashkëpunëtorëve të UDB

 

Viron Bezhani, i biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit për verifikimin e zyrtarëve të lartë të shtetit si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, në një intervistë për gazetën “Sot”, rrëfen të vërtetën e fatit të dosjeve të komunizmit. Në një kohë kur institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve ka nisur punën, Viron Bezhani dëshmon se si politikanët i kanë manipuluar dosjet. Bezhani ka deklaruar se në kohën kur ishte ngritur komisioni “Bezhani”, i drejtuar nga i ati i tij, shumë deputetë majtas dhe djathtas i shkonin në shtëpi babait të tij, ku i kërkonin që të ndryshonte germa e parë e emrit të tyre në dosjen e Sigurimit të Shtetit. Një gjë të tillë babai i tij nuk e ka pranuar, por e sigurt që ka ndodhur gjatë këtyre viteve, ku politikanët kanë patur kohë të mjaftueshme për të manipuluar dosjet e tyre. Ndërkaq, Viron Bezhani ka deklaruar se në vitin 1997 janë zhdukur dosjet më të rëndësishme të politikanëve të sotëm dhe lista e emrave të bashkëpunëtorëve të UDB. Sa i takon punës së Autoritetit, Bezhani nuk pret asgjë nga hapja e dosjeve. Ai tha se ky institucion dhe ligji i cili nuk pranon lustracionin, është bërë me marrëveshjen e PD dhe PS, dy forcave politike që gjatë 26 viteve janë kujdesur që të asgjësojnë dosjet e tyre.

Në fund të vitit 2016, Kuvendi i hapi rrugë procesit për hapjen e dosjeve të Sigurimit, ndërsa ditët e fundit është vënë re se po punohet intensivisht nga Autoriteti për Informim. Çfarë prisni ju nga ky proces?

Procesi për hapjen e dosjeve do të jetë një zhgënjim për çdokënd. Askush nuk duhet të ketë një pritshmëri të madhe nga puna e Autoritetit; është shumë e qartë se çfarë do të sjellë ky proces! Klasa politike ka patur kohë të mjaftueshme në dispozicion për t’i zhdukur dhe përpunuar dosjet. Për të kontrolluar një dosje të dyshuar, duhet të kontrollosh të gjitha dosjet e tjera, për ta plotësuar dosjen. Sepse dosja në vetvete është zhdukur. Prandaj, ky proces është i parealizueshëm, vetëm do sjellë zhgënjim. Hapja e dosjeve nuk do të sjellë asgjë! Nga ky proces do preken vetëm disa njerëz që nuk kanë patur mundësi të zhdukin dosjen e tyre. Politika ka bërë gjithçka çfarë ka dashur me dosjet.

Me aq sa ju keni informacion nga komisioni “Bezhani”, a janë zhdukur apo manipuluar dosjet e Sigurimit të Shtetit? 

Janë asgjësuar dosjet që lidheshin me “agjitacion propagandën” dhe “tentativë arratisje”, në vitin 1997. Në atë kohë, doli një ligj se këto dosje nuk kishin interes historik. Viti ‘97 ka shërbyer për zhdukjen e dosjeve kryesore. Dosjet për “agjitacion dhe propagandë” janë quajtur dosje politike dhe, përveç dosjeve të agjitacionit, kishte edhe shumë dosje të tjera të rëndësishme, të cilat ishin edhe të politikanëve që janë sot. Ato dosje u asgjësuan me pretekstin se nuk kishin interes historik. Janë zhdukur dosje që kishin lidhje edhe me UDB, pra ka patur bashkëpunëtorë që kishin lidhje me UDB jugosllave. Në vitin 1997 janë vjedhur 73 dosje me informacione të rëndësishme në politikën shqiptare. Përveç dosjeve, janë vjedhur edhe disketa.

Kush i vodhi dosjet?

I vodhi ish-punonjësi i Shërbimit Informativ Kombëtar, që u caktua në ambasadën belge.

Sot që po tentohet hapja e dosjeve, çfarë dokumentesh ndodhen në arkivat e SHISH dhe Ministrisë së Brendshme? 

Në arkivën e Ministrisë së Brendshme ndodhen vetëm ato dosje që mund t’u leverdiste kryesuesve të ’97. Ata njerëz që donin të linin vetëm dosjen e X apo Y, vetëm ato dosje kanë lënë.

A pati ndërhyrje ndaj babait tuaj nga politika për të ndalur procesin e hapjes së dosjeve? 

Kanë qenë të rralla, sepse e dinin që me Nazif Bezhanin nuk mund të bëhej shaka. Mbaj mend vetëm një ministër i Jashtëm i kohës së Partisë Socialiste. Ata që e dinin se kishin një dosje, kanë patur vështirësi të madhe për të kaluar një person në komisionin “Bezhani”. As Fatos Nano nuk ka ndërhyrë, kur ka qenë edhe Pandeli Majko. Babai im thoshte: “dua më shumë detyrën sesa çdo lloj privilegji”. Nuk besoj të ketë njeri që të thotë se ka kaluar në komisionin “Bezhani”. Unë mbaj mend që ka qenë edhe kryeministri në shtëpi, dhe ka ikur i mërzitur bashkë me të tjerë sepse nuk u është realizuar dëshira e tyre.

A ka patur ndërhyrje edhe nga deputetë majtas dhe djathtas?

Po ka patur! Kishte deputetë që vinin dhe donin të ndryshonin germën e tyre. Duke ndryshuar germën mendonin se do të kalonin në atë komision, por ka qenë e pamundur.

Babai juaj tentoi për vite me radhë që të hapeshin dosjet e Sigurimit. A flisnit me të, çfarë ju ka treguar tjetër mbi këtë proces?

Komisioni punoi për 5 vjet dhe largoi nga detyra 104 funksionarë të lartë, nga 400 mijë shqiptarë që ishin të Sigurimit të Shtetit. Komisioni ka funksionuar normal dhe nuk ka patur probleme.

Komisioni “Bezhani” e arriti pritshmërinë e tij dhe objektivin për të cilin ishte ngritur?

Sigurisht që po! Komisioni arriti që të shkarkojë me emër dhe mbiemër, 104 funksionarë të lartë të shtetit. Për mua shumë më e rëndë është situata e sotme. Në atë kohë, vërtet spiunonin, por tani quhet nder. Kjo është arsyeja që këto dosje duhet të hapeshin me kohë, e jo sot. Ato që kanë bërë pushtetarët e sotëm janë akoma më të rënda. P.sh, deklarata e Bashës për UNMIK dhe deklarata tjetër për trafikimin e organeve të fëmijëve; qeveria e Bukoshit kishte dhënë 600 mijë dojçmarka kesh SHIK në kohën e Gazidedes; ose lidhja e Berishës me Arkanin. Pushtetarët e sotëm janë shumë më të egër se sa ata të djeshmit. Babai im thoshte: “Vërtet ata të djeshmit kanë bërë krime, por krimet e politikanëve të sotëm janë edhe më të mëdha”. Për këtë arsye donte të ndryshonte ligjin.

Me nisjen e punës së Autoritetit për zbulimin e spiunëve të Sigurimit janë ndeshur edhe problemet e para. Shumë dosje janë të painventarizuara. Sa kohë mund të marrë ky proces?

Ky proces nuk është aspak i lehtë. Babai im “hiqte të zinjtë e ullirit” për të inventarizuar një dosje. Nuk është e lehtë të gërmosh në ato dosje. Im atë ka bërë një procedim penal në prokurori për grabitjen e dosjeve dhe zhdukjen e disketave. Nga 73 disqe, 56 disqe kishin të bënin me veprimtarinë e politikanëve të sotëm, si agjentë të shërbimeve të huaja. Gjithashtu, janë zhdukur edhe dosje të shërbimeve sekrete; është vjedhur truri i arkivës së SHIK dhe lista me emrat e bashkëpunëtorëve të UDB në Shqipëri.

A mendoni se ligji për hapjen e dosjeve u ndërtua në mënyrë të tillë që të mos prekej klasa politike? 

Absolutisht po! Babai im ka kërkuar disa herë në Parlament që të ndryshonte ligji i dosjeve, dhe që të dyja partitë politike, si PD dhe PS, nuk pranuan. Babai im kishte mendim tjetër për ligjin. Ai mendonte se nuk kishte pse të diskutohej vetëm për spiunët. Mëkatarët më të mëdhenj janë këta të sotmit. Janë më të mëdhenj se ata që mund të kenë bërë një spiunllëk të thjeshtë.

Si e shihni faktin që politika nuk pranoi lustracionin, por vetëm hapje të thjeshtë të dosjeve?

Të gjithë e dinë se kush është njëri dhe tjetri. Ligji është bërë me mirëkuptimin e të dyja forcave politike, se nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Mjafton të lexosh dosjen e një kryetari të një partie, do ta urrenit veten që jeni shqiptarë. Po të lexonit dhe dosjen e një deputeti të Dibrës, do t’ju vinte keq që jeni shqiptarë! Dëgjova se do hapeshin dosjet nga ‘44-’50. Kjo do të thotë se do hapen dosjet e të vdekurve. Sot mund të jenë vetëm 2 vetë që mund të jenë gjallë. Çdo gjë është organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Please follow and like us: