Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, përplasje mes SHBA dhe Italisë mbi ndërhyrjet në Shqipëri, si u përça Balli Kombëtar dhe roli i Ali Këlcyrës, zbardhet letra e Halim Begesë në 1953

ktivitetet e CIA në Shqipëri për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës kanë sjellë përplasje të SHBA dhe me shtetet e tjera. Dihet se ka pasur shumë fërkime me britanikët, teksa në një dokument të deklasifikuar tregohet për përplasje edhe me Italinë. Sipas dokumentit, italianët kanë tentuar të ndërhyjnë në Komitetin për Shqipërinë e Lirë. Ndërsa në një dokument tjetër tregohen përçarjet e Ballit Kombëtar dhe roli i Ali Këlcyrës.

Memorandum për zëvendës-drejtorin e operacioneve speciale

Objekti: Shqetësimi italian për aktivitetet e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë

Memorandumi juaj me datë 15 dhjetor 1950 u lexua me interes të konsiderueshëm. Megjithëse italianët janë padyshim të interesuar në punën e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, duket se shqetësimi i tyre kryesor është aktiviteti britanik dhe objektivat e tyre për Shqipërinë, si dhe mënyra e shfrytëzimit britanik të Komitetit, në ndjekje të këtyre objektivave. Faktikisht, natyra e punës së Komitetit njihet dhe çdo depërtim italian në kryesinë e tij apo tentativë për të korruptuar anëtarë të tij do të ishin mundime të kota. Nga njohuria jonë e punës së Komitetit dhe në veçanti të bashkëpunimit të Komitetit me britanikët, ne besojmë se dyshimet italiane apo keqkuptimet për skenaret e tyre për ndarjen e Shqipërisë, janë totalisht të pabaza. Me sa ne jemi në dijeni, të gjitha broshurat e lëshuara mbi Shqipërinë janë përgatitur nga Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, dhe nuk dimë për asnjë rast kur ato janë përgatitur nga britanikët apo që këta të fundit të kenë ndërhyrë në tekstet e Komitetit. Në lidhje me këtë do të ishte me shumë interes nëse inteligjenca italiane mund të na jepte tekstin për të cilin bëhet fjalë në memorandumin tuaj.

Do të ishim mirënjohës nëse na mbani të informuar për zhvillime të tjera të çështjes.

Frank G. Wisner, Zëvendës-drejtor i politikave të koordinimit

15 maj 1953

Memorandum për zëvendës drejtorin

Nga kreu i Luftës politike e psikologjike

Objekti: Mundësia e një apeli ndaj senatorit Mçarthy për hetime ndaj NCFA

Prej dy vitesh, dega jonë SE ka bërë përpjekje për zgjerimin e Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë me përfaqësimin e dy grupimeve që aktualisht nuk përfaqësohen. Një prej këtyre grupeve, Balli Kombëtar i drejtuar nga Ali Këlcyra, është ndarë nga Balli Kombëtar Agrar në vitin 1950 dhe ka kërkuar të pranohet në Komitet si parti më vete. Por gjatë negociatave të zgjatura me NCFA u bë e kuptueshme se tentativat e mëtejshme për zgjerimin e tij kundër vullnetit të lidershipit do të sillnin trazira në vetë NCFA. Prandaj, divizioni ka marrë informata se përfaqësues të Ballit mund të apelojnë te senatori Mc Carthi për një hetim nga komisioni i tij.

Treguesit se grupi i Ali Këlcyrës mund të bëjë një veprim të tillë janë si më poshtë:

a) Një letër me datë 14 mars 1953 nga Halim Begeja, sekretar i përgjithshëm i Ballit dhe përfaqësues i tij në Nju Jork, për Ali Këlcyrën gjatë udhëtimit të këtij të fundit në Greqi, që u interceptua nga shërbimet greke dhe iu kalua CIA nga ndërlidhjet tona. Letra siguronte Këlcyrën se mes të tjerave, asgjë nuk do të bëhej për krijimin e një komiteti të vërtetë nacionalist me anëtarë anti-Prizren (të mbështetur nga Jugosllavia), deri sa çështja të sillej përpara senatorit McCarthy dhe nënkomitetit të tij të senatit.

b) Në një raport të marsit 1053, Halim Begeja raportohet të ketë shprehur padurimin e tij te NCFA mbi mospërfshirjen e vazhdueshme të Ballit Kombëtar në Komitet, duke thënë se nëse partia e tij nuk përfshihej, ai do të kërkonte rrugë të tjera për të luftuar komunizmin.

Megjithëse kërcënimi i mësipërm është vetëm një shantazh i vogël i Ballit, një hetim i tillë mund të jetë me interes për elementet disidente të emigracionit shqiptar, aq sa për të kërkuar dëgjesën dramatike me senatorin MecKarthy. Kërcënime të ngjashme për kërkesën e ndihmës nga liderë të kongresit janë bërë edhe më parë ndaj NCFA, por ato nuk janë ndjekur më tej. Divizioni ynë po përfiton nga kjo mundësi për të sjellë në vëmendjen e autoriteteve një sikletosje të mundshme, pas pasojave serioze të hetimeve të komitetit të Senatit mbi operacionet e drejtuara nga CIA për grupet e disidentëve në emigracion. Kjo ka të bëjë jo vetëm me rastin e shqiptarëve por edhe me grupime të tjera të Evropës Lindore, që mund të jenë të pakënaqur me trajtimet e tyre apo me pozita të ngjashme me atë të NCFA. Në lidhje me rastin në fjalë, një hetim shumë i publikuar mbi përbërjen dhe aktivitetet e NCFA në Romë, do të zbulonte përfshirjen dhe mbështetjen tonë ndaj Komitetit, dhe rrjedhimisht do të dëmtonte kontrollin tonë mbi të. Gjithashtu, publiciteti negativ që do të sillte një hetim i mundshëm i kësaj natyre, si mbi individët ashtu dhe kolektivisht, do ta bënte atë thuajse infektiv si një front politik. Me sa u tha më sipër, divizioni ynë kërkon që Këshilli Legjislativ të vihet në dijeni të situatës siç qëndron tani. Mund të jetë e mundur, me anë të kontakteve të autorizuar, të sigurohemi nëse është bërë një kontakt i tillë apo jo me Senatorin McKarthy, nga grupi shqiptar, apo të na njoftojë nëse një lëvizje e tillë ndodh.

Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë

28 Nëntor, 1951

Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, ju mirëpret në celebrimin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe dëshiron ta përdorë këtë mundësi për dedikimin e tij ndaj kauzës së çlirimit të Shqipërisë dhe për njohjen nga bota të aktivitetit të Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA). Shtatë vjet më parë, Shqipëria humbi pavarësinë e saj të fituar me shumë luftë, duke rënë nën regjimin e komunistëve dhe liderit të tyre kukull, Enver Hoxha. Kjo lëvizje e komunistëve la një shenjë të keqe në vendin që prej 2000 vjetësh ka luftuar për të fituar pavarësinë. Kjo shënon gjithashtu humbjen e lirisë së fituar në ditën e pavarësisë së vendit që ishte më 12 nëntor 1912. Në atë ditë, në mes të luftërave ballkanike, një grup fisnikësh të mbledhur në Vlorë lëshuan deklaratën e pavarësisë. Me këtë, akt këta njerëz bënë një hap madhor duke vazhduar trashëgiminë e heroit tonë kombëtar, Skenderbeg, i cili luftoi me fisnikëri për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e 15-të kundër hordhive pushtuese turke, duke shënuar një prej periudhave më të lavdishme të vendit. Nga kjo fitore vjen dhe flamuri i Skendërbeut që tashmë është emblema jonë kombëtare, ajo e shqiponjës me dy koka.

Bashkimi i emigrantëve

Në një përpjekje për të bashkuar të gjithë elementët shqiptarë të emigracionit në një front të bashkuar kundër terrorit komunist, u formua Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë dhe selia ndërkombëtare u hap në Nju Jork, më 17 korrik 1950. NCFA u krijua për të tejkaluar linjat e ndarjeve politike mes shqiptarëve dhe për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të mbajnë lart të drejtat e njeriut në vendin e tyre. Aktivitetet e Komitetit drejtohen nga selia e tij e Nju Jorkut. Ne mbajmë gjithashtu një zyrë në Romë, e cila përpiqet të qëndrojnë në kontakt me bashkë-atdhetarët tanë që vuajnë brenda Shqipërisë. Aktiviteti kryesor i NCFA është koordinimi i përpjekjeve të rezistencës së shqiptarëve në emigracion që luftojnë kundër komunizmit.

Përbërja e komitetit

Komiteti përbëhet nga dy njësi,  ajo ekzekutive dhe një trup i përgjithshëm këshillues.

(a) Hasan Dosti – president. Zoti Dosti është një anëtar i njohur i lëvizjes Bali Kombëtar dhe përpara Luftës konsiderohej si juristi më i aftë në Shqipëri. Ai vjen nga një origjinë e thjeshtë, por pati mundësi të studiojë në Francë dhe u kthye në Shqipëri për të t’u bërë një prej qytetarëve kryesorë të saj.

(b) Abas Kupi – aktualisht ndihmon aktivitetet e NCFA në Romë. Kupi konsiderohet si një prej heronjvetë luftës për drejtimin e tij të përpjekjeve guerile kundër pushtuesve italianë. Në vitin 1943, ai krijoi partinë e Legalitetit, që kishte si qëllim të ruante legjitimitetin e ish-mbretit Zog. Megjithë mungesën e shkollimit formal,  Kupi krijoi emrin e tij si një nga mbrojtësit më të ashpër të lirisë së Shqipërisë.

(c) Said Kryeziu – I emëruar në degën e NCFA në Romë, Said Kryeziu është gjithashtu president i Partisë Agrare Shqiptare. I arsimuar në Paris, Kryeziu ka punuar shumë për të vënë nën një flamur grupet shqiptare të emigracionit për të luftuar kundër pushtuesit. Për këtë, ai ka luftuar kundër gjermanëve dhe italianëve gjatë luftës dhe u bë një prej anëtarëve të Komitetit të Parisit, i cili ishte pararendësi i NCFA.

(d) Zef Pali – Anëtar i komitetit të NCFA në Rome dhe aktualisht në Nju Jork për konsultime. Pali është një lideri i njohur dhe aktiv i Ballit Kombëtar, i arsimuar në Kolegjin e Mësuesve në Elbasan. Ai respektohet si një njeri i letrave dhe i idealeve demokrate. Pali u detyrua të largohej nga vendi gjatë luftës dhe u bë një prej anëtarëve të parë të NCFA.

(e) Nuçi Kotta, është një zyrtar i NCFA në New York, dhe anëtar i partisë së Legalitetit. Ai ka qenë prej kohësh në shërbim të mbretit shqiptar në emigracion, Zog, dhe ka studiuar për drejtësi në France. Kotta u kthye në Shqipëri për të shërbyer si kryeministër i Zogut për disa vjet. Edhe ai është një prej anëtarëve të parë të Komitetit të Parisit në gusht l949. Ai është përgjegjës për publikimin e gazetës së komitetit Shqiperia.

Qëllimet e komitetit

(a) Të drejtojë dhe të inkurajojë njerëzit tanë trima për rezistencë ndaj regjimit mizor komunist dhe të organizojë në mënyrë efektive shqiptarët jashtë shtetit në ndihmë të rezistencës. Njerëzit tanë në Shqipëri duhet të bëhen të vetëdijshëm për opozicionit mbarëbotëror ndaj shtypjes komuniste dhe për fuqinë në rritje të kombeve me zgjedhje të lira parlamentare.

(b)Të gjitha aktivitetet e Komitetit drejtohen ndaj rivendosjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë.

(c) NCFA është e vetëdijshme për përgjegjësinë e madhe që merr mbi vete për llogari të popullit shqiptar dhe kërkon ndihmën e kombeve të lira dhe shteteve demokratike.

NCFA publikon gjithashtu një gazetë në gjuhën shqiptare, “Shqipëria”, e cila ka një tirazh prej thuajse 4,000 kopjesh.  Ajo publikohet një herë në dy javë në New York, dhe kopjet e ‘Shqipëria’ u dërgohen shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, Angli, Australi, Greqi, Itali e Turqi.

Një kopje e saj është bashkangjitur këtu për informacionin tuaj.

28 nëntor 1952

Mesazh për Ditën e pavarësisë së Shqipërisë

Historikisht populli shqiptar e ka mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e tij për shekuj me radhë, siç po bëjnë edhe sot derisa të çlirohen nga regjimi aktual kukull i sovjetikëve. Përpjekja e tyre ka nisur me heroin kombëtar Skënderbeu, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në 28 nëntor 1443. Pas vdekjes së tij, populli shqiptar vazhdoi të luftojë për pesë shekuj derisa pavarësia e Shqipërisë u shpall përsëri në Vlorë në nëntor 1912.

Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, shqiptarët e Shteteve të Bashkuara luajtën një rol të rëndësishëm në ruajtjen pavarësisë së Shqipërisë. Presidenti amerikan Wilson, mbrojti të drejtën e pavarësisë së Shqipërisë për llogari të qeverisë së SHBA në vitin 1920. Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore SHBA ishte vendi i parë mes Aleatëve që bëri deklaratën zyrtare për rivendosjen e Shqipërisë së lirë e të pavarur. Miqësia e vjetër mes popullit shqiptar dhe atij amerikan, vjen si rezultat i lidhjes së Shteteve të Bashkuara me aspiratat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Edhe sot populli amerikan e shikon me simpati përpjekjen e popullit shqiptar dhe mezi pret rikthimin e tyre mes popujve të botës së lirë. Zoti Hasan Dosti, president i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, për llogari të sekretarit të shtetit, dua të falënderoj Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për mesazhin e urimit me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria e populli i Shteteve të Bashkuara e njohin mirë traditën e miqësisë me popullin shqiptar, si dhe simpatinë dhe përpjekjet e Komitetit për të ruajtur parimet e lirisë dhe të pavarësisë në vendin e tij.

James E.Webb

13 maj, 1951

Mesazh i sekretarit amerikan të shtetit, Acheson, për popullin shqiptar, me rastin e hapjes së programit në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës.

“Më sjell kënaqësi të madhe t’i jap popullit shqiptar një mesazh nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Me hapjen e programit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, qeveria dhe populli i  SHBA duan të shprehin interesin e tyre te populli shqiptar. Lidhja mes nesh është rikonfirmuar prej miqësisë tonë të gjatë dhe ajo duhet të jetë forcë dhe kuptim të ri. Kjo miqësi vjen si rezultat natyral i lidhjes së ngushtë të SHBA me përpjekjen e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, populli dhe qeveria amerikane e kanë shikuar me simpati këtë përpjekje, duke kuptuar se reflekton aspiratat e tyre të vërteta. Në konferencën e Versajës në 1919, presidenti amerikan Woodrow Wilson u interesua personalisht në rivendosjen e Shqipërisë së pavarur dhe qeveria amerikane mbështeti përpjekjen e patriotëve shqiptarë. Gjithashtu, mes dy luftërave botërore, SHBA ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Shqipërinë, duke ndihmuar institucionet vendase me organizatat e saj si Kryqi i Kuq amerikan, fondacioni Rockfeller dhe Near East.

Kjo është historia, e kaluara, dhe tani Zëri i Amerikës do të flasë për të tashmen e të ardhmen. Të tashmen ju e dini më mirë se unë, teksa shpresoni që ëndrra juaj e lirisë e sovranitetit të realizohet së shpejti. Duke ju ndihmuar të krijoni të ardhmen tuaj si një anëtare e lirë  e komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara do të sjellin te ju me anën të këtij transmetimi gjykimin e fakteve. Zëri i Amerikës do t’ju sjellë atë që ju është mohuar prej kohësh, të vërtetën e botës së lirë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan ju dërgojnë urimet e tyre dhe zëri i Amerikës ju mirëpret mes dëgjuesve të tij.

 

Please follow and like us: