Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti i CIA, ja rreziku që i kanosej vendit nga rrëzimi i regjimit komunist, amerikanët frikë për pushtim nga Greqia e Jugosllavia

Shërbimi sekret amerikan për vite e vite të tëra luftoi që të rrëzonte regjimin komunist në Shqipëri, por, pavarësisht përpjekjeve nuk ia doli dot të bënte një gjë të tillë. Mirëpo, në vitin 1951, amerikanët nisën të tërhiqeshin disi, pasi i druheshin një lëvizjeje nga fqinjët, sidomos Greqia e Italia. Sipas një dokumenti të deklasifikuar nga CIA, ata kishin frikë se nëse rrëzohej regjimi i Enver Hoxhës, do mund të kishte një ndërhyrje ushtarake nga fqinjët. Për këtë arsye, me ndihmën e Britanisë së Madhe nisën negociatat me fqinjët për të parandaluar një gjë të tillë. Nga ana tjetër në dokument tregohen dhe interesat që kishte Bashkimi Sovjetik për vendin tonë.

20 qershor 1951

Ministria e Jashtme

Subjekti: Pavarësia e Shqipërisë; Dokument mbi pozicionin britanik

1.         Problemi

Nëse pushteti i brendshëm do të shembej apo nëse Jugosllavia do të sulmohej nga Cominform, ajo do të pushtonte Shqipërinë dhe të njëjtën gjë do të bënte edhe Greqia. Meqenëse jugosllavët e kanë prekur pak subjektin e bashkëpunimit me Greqinë, dhe grekët janë konsultuar me SHBA, duke bërë që rrjedhimisht të kërkohet edhe konsultimi me britanikët. Britania dhe SHBA nëse dëshirojnë që Shqipëria të mbetet e pavarur duhet të kërkojnë nga Greqia dhe Jugosllavia garanci, që pushtimi i tyre të jetë i përkohshëm. Ndërsa nëse pavarësia e Shqipërisë nuk është më e rëndësishme, përpjekjet tona duhet të fokusohen vetëm në parandalimin e një përplasjeje mes forcave të dy vendeve pushtuese. Gjenerali britanik do të preferonte një Shqipëri të pavarur miqësore me Perëndimin, por kjo jo me koston e dobësimit të Greqisë apo Jugosllavisë. Ai dëshiron gjithashtu një linjë të aprovuar demarkacioni kufitar mes dy vendeve.

Faktet e mëposhtme argumentojnë për një favorizim të pavarësisë:

1.       Arsyet etnike dhe historike

2.       Ekzistenca e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë

3.       Vështirësitë e një zgjidhjeje alternative dhe konflikti i mundshëm mes vendeve të interesuara si Greqia e Jugosllavisë

Faktet kundra pavarësisë:

1.       Vogëlsia dhe paqëndrueshmëria si shtet, që të bën të mendosh nëse do të ishte më mirë si një republikë e federatës së Jugosllavisë. Kjo mund të ishte e pranueshme për Jugosllavinë e madje edhe për Greqinë. Shqiptarët mund të distancoheshin nga Italia, por meqenëse jugosllavët po orientohen drejt Perëndimit, kjo nuk do të ishte një zgjidhje shumë e papranueshme për popullsinë shqiptare.

2.       Kjo mund të kryhet edhe me supozimin se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e pavarur

3.       Rekomandime:

Sa më parë të nxiten jugosllavët dhe grekët të mos hyjnë në Shqipëri nëse sulmohen nga satelitët e BRSS, por nëse e bëjnë, të pranojnë një linjë kufitare.

Sapo të nisin veprimin të deklarojnë publikisht se pushtimi është i përkohshëm.

Të këshillohen vendet se nëse regjimi bie, ne dëshirojmë të konsultohemi për regjimin pasues, me ta dhe me italianët.

Interesat jugosllave

Serbia kundërshtoi parimisht pavarësinë e Shqipërisë nga viti 1012, deri në 1918. Pas Luftës së Parë Botërore, jugosllavët pushtuan Shqipërinë deri në vitin 1921, ndërsa në vitin 1926, Jugosllavia pranoi kufirin shqiptar të përcaktuar në 1913. Deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, dominimi Italian e pengoi Jugosllavinë të ushtronte influencë. Por situata ndryshoi shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore kur regjimi i Titos me anë të komunistëve shqiptarë mori kontrollin e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare. Tito ushtronte kontrollin me anë të emisarëve të tij në Ushtrinë Çlirimtare Shqiptare, dhe prej vitit 1944 deri më 1948, Shqipëria ishte një kukull e Jugosllavisë. Në vitin 1948, Hoxha e ndau vendin nga varësia prej Jugosllavisë pas konfliktit mes regjimit të Titos dhe Kominform (Zyrës Ndërkombëtare të Informacionit të Vendeve Komuniste). Prej vitit 1948, Tito mbrojti parimin e një Shqipërie të pavarur e sovrane, duke dënuar pretendimet greke për ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Jugosllavia i trembet më shumë rivendosjes së influencës italiane në Shqipëri. Në muajt e fundit, mjetet jugosllave të propagandës kanë akuzuar Italinë për inkurajim të planeve etnike shqiptare të përfshirjes së Kosovës dhe Metohijes në Shqipërinë e pavarur, me anë të grupeve të shqiptarëve të emigracionit atje. Qëllimi i Titos duket se është krijimi i një regjimi anti-sovjetik në Shqipëri dhe rikthim i statusit të saj të viteve 1944-48. Me sa duket, për këtë qëllim u krijua në Jugosllavi në maj 1951, Lidhja e Refugjatëve Polirikë Shqiptarë në Jugosllavi. Lidhja pretendon të përfaqësojë me rreth 5000 shqiptarë në Jugosllavi dhe kontrollohet nga komunistët që u larguan nga Shqipëria pas vitit 1948. Ajo është krijuar nga Beogradi si një instrument i politikave jugosllave dhe ka si objektiv të deklaruar një Shqipëri “të lirë, të pavarur, të pandashme, demokratike e republikane”. Lidhja ka kryer disa operacione spiunazhi, kabotazhi dhe propagande, dhe zotëron potencial për operacione më të gjera. Por është ndoshta pozita e ekspozuar aktualisht e Jugosllavisë pas ndarjes me BRSS, që ka penguar Titon të përdorë Lidhjen me fuqi të plotë. Zyrtarët jugosllavë kanë thënë se përpjekje serioze për përmbysjen e regjimit të Hoxhës mund të bëhen pretekst për Bashkimin Sovjetik për veprime ushtarake ndaj Jugosllavisë.

Rëndësia e Shqipërisë për rusët

Politikisht, Shqipëria është e rëndësishme për sovjetikët si një tempull i komunizmit në Ballkan e në Mesdhe. BRSS do ta konsideronte humbjen e saj si humbje të prestigjit, veçanërisht pas dezertimit të Jugosllavisë. Por megjithëse ka një pozicion strategjik në hyrje të detit Adriatik, kushtet moderne për zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake janë të vogla. Ishulli i Sazanit ka qenë një bazë e vogël nëndetësesh italiane dhe sipas disa zhurmave edhe sovjetikët po përpiqen të rindërtojnë këto baza pas luftës. Ka raportime të pakonfirmuara për rindërtim të fushave ajrore nga sovjetikët. Shqipëria ka një pozicion të mirë për instalime paralajmëruese të mbrojtjes ajrore, por deri tani nuk ka prova të instalimit të radarëve sovjetikë. Që prej distancimit të saj nga Jugosllavia, Shqipëria ka humbur rëndësinë e saj strategjike për arsye të mungesës së komunikimit me orbitën sovjetike. Por ajo mund të jetë e rëndësishme për një fushatë tokësore në Ballkan, pasi operacione të mundshme në bashkëpunim me Bullgarinë, nëse janë të suksesshme, mund të ndajnë Greqinë nga Jugosllavia.

Stabiliteti i regjimit dhe masa e kontrollit sovjetik

Para përçarjes mes Jugosllavisë dhe Cominform në vitin 1948, Shqipëria ishte e lidhur ngushtë politikisht dhe ekonomikisht me Jugosllavinë. Por në vend që të ndiqte devijimin e marshallit Tito, Hoxha zgjodhi kampin e Moskës dhe nisi një fushatë të ashpër kundër nacionalistëve shqiptarë. Ai jo vetëm e përjashtoi vendin nga lidhjet me Jugosllavinë, por me këtë rast zhduku të gjithë konkurrencën për pushtet brenda Shqipërisë. Një rivalitet mes Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu, duket se është i parëndësishëm pasi të dy kontrollohen nga Kremlini. Shqipëria është totalisht e varur nga ndihma sovjetike. Pa të ekonomia e vendit do të tronditej brenda disa muajve. Kontrolli sovjetik në vend përforcohet nga rreth 1000 deri në 1500 “ekspertë” në pozicione të rëndësishme si ushtri, polici, administratë civile dhe në radhët e partisë. Me mbështetjen sovjetike, Hoxha dhe Shehu kanë qeverisur vendin deri tani me metodat policore të terrorit dhe me kontrollin e ashpër ekonomik. Megjithëse ka prova mungese besnikërie dhe oportunizmi në radhët e forcave të sigurisë dhe ushtrisë, ato kanë rezultuar efektive në shtypjen e opozicionit. Mbështetja sovjetike në Shqipëri nuk është shoqëruar me një pakt të përbashkët asistence, ndoshta ngaqë sovjetikët duan të lënë një situatë të hapur pa përkushtime që mund t’i vënë më vonë në siklet. Shqiptari ka një pakt të tillë  vetëm me Bullgarinë (16 dhjetor 1947). Por gjithsesi ndonjë ndryshim në situatën shqiptare që mund të kërcënojë kontrollin e Kremlinit do të prekte menjëherë prestigjin sovjetik, në një moment ku edhe një satelit tjetër iu shmang urdhrit të tij. Prandaj, një zhvillim i tillë do të sillte përkeqësim të situatës ndërkombëtare. Veprimi sovjetik, në rast të një zhvillimi të tillë, do të varej nga përparësitë e strategjisë së tyre botërore.

Please follow and like us: