Albspirit

Media/News/Publishing

Mozaiku i “Vajzës Cigane”, me bakllava hyn në “Guinness”

60 mjeshtra bakllavaje, 15 artistë mozaikësh dhe 100 fëmijë kanë punuar së bashku në Turqi për të prodhuar “mozaikun më të madh në botë me bakllava”.

Agjencia turke e lajmeve “DHA” citon sponsorin e këtij mozaiku, mjeshtrin e bakllavasë Levent Aktas, i cili thotë se për të ndërtuar mozaikun e “Vajzës Cigane”, prej 39,5 metrash katrorë, janë përdorur 750 kilogramë bakllava, të ndarë në 6 160 pjesë.

Mozaiku u paraqit në një qendër tregtare në qytetin Gaziantep, afër kufirit me Sirinë, i njohur për prodhimet e bakllavasë.

Përveç autoriteteve vendore, në paraqitjen e mozaikut mori pjesë edhe një grup i kryesuar nga përfaqësuesi i “Guinness”-it Orhan Kural, i cili bëri matjet e nevojshme dhe certifikimin e rekordit.

Grupi, i cili punoi pesë ditë për ndërtimin e mozaikut, koordinohej nga piktori Mustafa Bencan. Në prodhimin e bakllavasë u përdorën ngjyrosës ushqimi për t’i dhënë pamjen e “Vajzës Cigane”.

Mozaiku i “Vajzës Cigane” të Zeugmës, qytet antik që shtrihej në provincën e sotme të Gaziantepit, u ri-zbulua gjatë gërmimeve të dimrit 1998-1999 dhe aktualisht është një ndër pjesët kryesore të Muzeut të Gaziantepit.

Please follow and like us: