Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj:1 milionë dollarët e Alfred Pezës dhe pushteti i katërt si përrallë me mbret

Gruaja e Alfred Pezës ka blerë aksione në vlerën 1 milionë dollarë. Deputeti thotë ‘i blemë me kursimet tona’. Për vite me radhë ka drejtuar media dhe emisione me emër.

Edhe të dhëna nga Open Albanian Data, thonë se paga e Pezës gjatë atyre viteve mund të arrijë shifra të tilla. Edhe unë jam i prirur të mendoj kështu. Por ka diçka tjetër, shoqërisht shumë më e rëndësishme, që po kalon thuajse në heshtje.

Thuhet se fitimet e mediave që ka drejtuar Peza, vështirë se kalojnë pagën që ai ka marrë. E njëjta gjë ngjan të jetë e vërtetë edhe për pagat e disa drejtuesve të mediave sot e kësaj dite. Në një ekonomi tregu kjo tingëllon absurde dhe mban erë.

Megjithatë fabula është ‘logjike’: Thuajse gjithë mediat tona nuk mbijetojnë me të ardhura nga tregu mediatik. Pronarët e tyre, njëkohësisht drejtues biznesesh, marrin fonde nga bizneset e tjera dhe i hedhin për gazetën a televizionin.

Jo për iluminizëm, por për të mbrojtur bizneset, për t’i rritur e shumuar. Me kulaç e me kërbaç: herë duke bërë hosana për pushtetarët dhe herë duke u bërë shantazh për tendera e konçesione.

Pjesë të konsuderueshme të fondeve që hidhen për mediat kanë shkuar e shkojnë për drejtuesit. Rrogat e gazetarëve të thjeshtë janë për të qarë hallin. Mëditës.

Parë kështu, duket se drejtuesit e mediave nuk shpërblehen, por blihen. Parapaguhen që të bëjnë kamikazin moral. Në këto kushte, të flasësh për pushtet të katërt është si të tregosh përralla me mbret.

Një amalgamë e përbërë nga të korruptuar: deputetë, pushtetarë, gjykatës, biznesmenë dhe drejtues mediash po asfikson zemerekun e demokracisë: ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve.

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’)

Please follow and like us: