Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Përpara zgjedhjeve të 2017

Nuk ka shumë që Kuvendi deklaroi të hapur punimet për vitin 2017, siç edhe seance parlamentare e dëshmoi, Parlamenti ka shumë punë për të kryer, duke filluar me reformën zgjedhore.

Por, qeveria pretendon se ka prodhuar Reforma që kanë ndryshuar vendin rrënjësisht, edhe pse ato kanë ngrirë njësoj siç kanë ngrirë rrugët dhe tubat që po i rikthejnë shqiptarët 25 vite më pas.

Përballë këtij mjerimi që ka prodhuar jo një shtet ligjor por një shtet të kapur, duhet të qendrojë pikërisht parlamenti, si e vetmja instancë e cila mundet të dëshmojë përballë qytetarëve jo vetëm kritikën por edhe alternativën. Mirëpo, me një mazhorancë të kapur në ngricë, kuvendi duket se ka nevojë për pushime të gjata e megjisthëse seanca e parë sipas kushtetutës filloi sot, nuk do të ketë seancë ditën e enjte ashtu siç është bërë traditë.

Unë nuk besoj se ka kuvend me raport më negativ se ai i sesionit të kaluar. Gjatë periudhës shtator – dhjetor janë votuar vetëm 22 projektligje. Një ligj në javë. 140 parlamentarë, gjysma e të cilëve as nuk marrin pjesë në diskutime kanë miratuar një ligj në javë. Sigurisht që është normale të dëgjojmë lavdërime nga ana e qeverisë për reformat, por të gjitha janë lënë përgjysëm, e të gjitha janë në letër, duke filluar nga Reforma Territoriale, që ka lënë si mall pa zot bashkitë e reja e deri tek Reforma në Arsimin e Lartë që ende është një karabina e shëmtuar që frytet e para i dha këtë vit duke lënë jashtë dyerve të universiteteve mijëra të rinj, pikërisht sepse mungonin aktet nënligjore.

Megjithëse pak ligje ky kuvend, fjala vjen, ka miratuar Ligjin e Lojërave të Fatit dy herë, për të cilin z. Ahmetaj pretendon se aktet nënligjore i ka në tavolinë por që zoti i parave e di se përse qëndrojnë ende atje e nuk miratohen.

Fatkeqësia e këtij Parlamenti është më e madhe, kur shqiptarët nga televizori shohin një mazhorancë që në krizën e numrave rekruton ato të cilët janë vërtetuar se janë kontigjent i ligjit të Dekriminalizimit. Janë këto deputetë që shërbejnë si paterica e një qeverie që nuk ka menduar asnjëherë për qytetarët e këtij vendi. Paterica e një kryeministri që konsideron punë përgjigjet në Facebook dhe jo angazhimin e qeverisë për të përmbushur prioritetet e BE-së ndaj vendit. Paterica e një demagohu që në mungesë faktesh prodhon dhunën verbale dhe atë fizike ndaj opozitarizmit.

Sikur kjo të mos mjaftonte, sot dëgjuam një tjetër apologji e cila tenton të mbajë sistemin tonë zgjedhor nën një kod elektoral që prodhon një parlament dhe mazhorancë të tillë! Sot refreni i seancës ishte jemi mirë, jemi shumë mirë! Jemi mirë me këtë parlament, jemi mirë me këtë përfaqësim, jemi mirë me këtë sistem! Jemi mirë nuk duhet të ndryshojmë asgjë!

Please follow and like us: