Albspirit

Media/News/Publishing

Të dhënat e CIA, nazistët morën në Shqipëri 1.5 tonë ar, ja pengesat që nxorën britanikët për rikthimin më 1993 dhe konflikti me Berishën për shpërthimin e dy anijeve në Korfuz më 1946, si Shqipëria u kthye më pas në vend trafiku nafte

Shërbimi inteligjent amerikan (CIA) ka hedhur dritë mbi negociatat që qeveria e Sali Berishës ka bërë me amerikanët për kthimin e arit nga nazistët, teksa janë dhënë fakte dhe se si në vend gjatë qeverisjes së tij lulëzonte trafiku i naftës me Maqedoninë. Gazeta publikon sot dy dokumente të deklasifikuara nga CIA mbi kthimin e arit, ku në dokumentin e parë të vitit 1991, tregohen të dhënat mbi sasinë e arit, ndërsa në shkresën e viti 1993 flitet për negociatat për kthimin e tij. Sipas dokumentit, Franca, Britania dhe SHBA ngritën një komision për të rikthyer arin e marrë nga nazistët gjatë luftës. Në total ishin 7 ton ar, nga këto 1.5 i takonin Shqipërisë, e përkthyer në vlera monetare, 17 milionë dollarë. Por në atë kohë, qeveria e Berishës ka pasur mosmarrëveshje me britanikët, pasi ata kërkonin 1 milion dollarë dëmshpërblim për dy anijet e tyre që u fundosën nga shpërthimet e bombave në Korfuz. Nga ana tjetër, SHBA kërkonte po 1 milion euro, pasi kishte pretendime se shqiptarët e amerikanizuar, që ikën gjatë regjimit, u ishin marrë pronat. Nga ana tjetër, gazeta sjell një dokument të vitit 1995 ku tregohet se si gjatë kësaj periudhe lulëzonte trafiku i naftës me Maqedoninë dhe se si thyhej embargoja e OKB.

Ari i marrë nga nazistët

Komisioni trepalësh i arit ka në gjendje të paktën 17 milionë dollarë në vlerë ari shqiptar, të marrë nga nazistët gjatë luftës së dytë botërore. Qeveria e Britanisë dhe disa qytetarë privatë amerikanë kanë kundër-pretendime në lidhje me arin dhe qeverinë shqiptare. Ambasada do të vlerësonte shumë çdo informacion për zgjidhjen e debateve të shpronësimeve të qytetarëve amerikanë nga qeveria shqiptare. Qeveritë e SHBA, Britanisë e Francës ngritën komisionin

trepalësh pas Luftës së II Botërore për rekuperimin dhe shpërndarjen e arit të marrë ilegalisht nga nazistët. Ari në dispozicion të komisionit ka një total prej 7,120 kg, nga të cilat 1,500 kg janë për t’u shpërndarë në Shqipëri si një pagesë para-përfundimtare. Pas kësaj pagese para-përfundimtare do të shpërndahen edhe 5.6 ton ar si pagesë finale për vendet pretenduese. Për arsye të mungesës aktuale të sekretarit të përgjithshëm të Komisionit, ne nuk jemi të sigurt nëse Shqipëria do të marrë pjesë në pagesën finale. Përveç ngrirjes së disa dekadave të marrëdhënieve me Perëndimin nga regjim i shkuar shqiptar, pengesa më serioze e kthimit të arit për Shqipërinë është pretendimi i Britanisë kundër Shqipërisë për shpërthimin e minave mbi dy luftanije të saj në kanalin e Korfuzit, në vitin 1946. Incidenti i kushtoi jetën 38 detarëve. Me sa duket vlera e pretendimit britanik është më pak se 1 milion paund.

Negociata me Britaninë e Madhe

Në kohën e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Britanisë në fillim ë këtij viti, BBC raportonte se dy qeveritë kishin pranuar rivendosjen e marrëdhënieve dhe zgjidhjet e debateve të hapura. Në një hetim të kohëve të fundit të përfaqësuesit amerikan të

Komisionit, homologu i tij në ambasadën britanike nuk ishte në dijeni të progresit të negociatave mes Shqipërisë dhe Britanisë për zgjidhjen e debateve të hapura, dhe premtoi të interesohej.

Përfaqësuesi britanik tha gjithashtu se disa pretendime private amerikane kundër Shqipërisë duhet të merreshin parasysh, përpara rikthimit të arit. Shumica e dosjeve të ambasadës mbi komisionin janë kthyer tashmë në Uashington dhe ne nuk gjejmë dot referenca për pretendimet private amerikane kundër qeverisë së Shqipërisë përveç rastit të përmendur në paragrafin b.

Aty thuhet se qytetarë amerikanë kanë pretendime pronash dhe financiare për dëme të pësuara nga konfiskimet e pronës prej qeverisë së pas Luftës së II Botërore dhe se qeveria amerikane dhe shqiptare kanë rënë dakord me rastin e rivendosjes së marrëdhënieve, të nisin negociatat për një zgjidhje të shpejtë të pretendimeve. Sipas referencave, vlera e përafërt e pretendimeve arrin në 1 milion dollarë. Pa llogaritur vlerën e kundër-pretendimeve nga Britania e SHBA, apo ndonjë pjesë të mundshme për Shqipërinë të kompensimit final, vlera e 1500 kg flori që do t’i jepet Shqipërisë arrin në 17.120.000 dollarë sipas tregut aktual. Kjo paraqet një masë të konsiderueshme rezervash nga të cilat Shqipëria mund të tërheqë në të ardhmen për programe të stabilizimit ekonomik. Duke menduar se qeveria britanike rrjedhimisht do të bjerë në marrëveshje me qeverinë shqiptare, ambasada kërkon t’i kalohet çdo informacion në lidhje me përpjekjet për marrëveshje në pretendimet amerikane kundër Shqipërisë, për kthimin e mundshëm të arit.

Negociatat 

Departamenti i Shtetit ka marrë aprovimin e brendshëm dhe autoritetin për të negociuar mbi marrëveshjen dhe pretendimet shqiptare, që rrjedhimisht i lejojnë SHBA të ketë të drejtën e fjalës në komisionin trepalësh të arit (për rikthimin e pjesës së caktuar të arit ndaj Shqipërisë. Përpara kontaktimit të Shqipërisë për bisedimet e negociatave, ne deshëm të konsultoheshim me anëtarë të tjerë të grupit si Britania e Franca). Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka marrë pjesën e caktuar të arit të rekuperuar, të grabitur nga nazistët me vlerë afërsisht 25-30 milionë dollarë, i cili është bllokuar pas rezolutës së pretendimit nga SHBA dhe Britania. Britania ka hyrë në bisedime marrëveshjeje me Shqipërinë në maj, 1992, por rezoluta e SHBA mbetet pengesa e fundit për lëshimin e arit nga komisioni trepalësh. Ajo bazohet në pretendimet e SHBA për shpronësime të qytetarëve amerikanë të pronave në Shqipëri dhe një pretendim i vogël qeveritar. Si autoritetet shqiptare dhe ato britanike kanë komunikuar me SHBA për të kërkuar avancimin e negociatave të pretendimeve. Departamenti i Shtetit tani ka marrë autorizimin e brendshëm për të vazhduar negociatat dhe ka në plan të sugjerojë mesin e prillit për raundin e parë të tyre. Ne dëshirojmë të informojmë Britaninë dhe Francën për situatën aktuale dhe të konfirmojmë se nuk ka pengesa të tjera për lëshimin e pritur të arit. Departamenti kërkon me mirësjellje informimin e zyrtarëve të duhur, se SHBA do të kontaktojë së shpejti me Shqipërinë për nisjen e negociatave. Ambasada duhet të konfirmojë me autoritetet britanike se nuk ka më pengesa të tjera (përveç pretendimeve amerikane) për lëshimin e arit nga komisioni trepalësh. Italia kishte sinjalizuar më herët se mund të kishte pretendime mbi arin bazuar në një përqindje interesi në bankën e Shqipërisë. Por në vitin 1982, qeveria italiane kishte dhënë garanci politike se nuk do të bënte pretendime të tilla. Por supozojmë se britanikët nuk kanë dëgjuar gjë për një ndryshim në pozitën italiane.

Kërkesat e SHBA për Britaninë

Departamenti i Shtetit dëshiron mendimin britanik në lidhje me nevojën apo mundësinë e kontaktimit të italianëve nga ne apo britanikët, për të marrë një rikonfirmim të këtyre garancive nga qeveria. Departamenti i Shtetit do të kërkonte të dinte nëse Britania ka menduar për mekanizmin e dërgesave të arit në Shqipëri dhe pagesat për Britaninë dhe SHBA. A ka ndonjë mundësi nga pikëpamja britanike, duke pasur parasysh mungesën e këmbimeve me jashtë të Shqipërisë, se ajo mund të autorizojë Bankën e Anglisë për të mbajtur mjaftueshëm ar, sipas tregut aktual, sa për të paguar Britaninë dhe SHBA, dhe të mbajë pjesën tjetër në një llogari të Shqipërisë, të transferojë pjesën e mbetur te një depozitues i favorizuar nga Shqipëria apo ta shesë për llogari të Shqipërisë në Britani?

TRAFIKU I NAFTËS MË 1995

Sanksionet e OKB kundër Beogradit

Sanksionet  ende japin efekt, megjithë zbutjen e masës së zbatimit. Zbutja e zbatimit të embargos nga vendet fqinje që prej janarit ka lejuar një rritje të trafikut të mallrave të ndaluara drejt Serbisë dhe Malit të Zi. Një rritje e kontrabandës së karburantit është me shumë gjasa arsyeja e uljes së çmimit të naftës në Serbi, muajt e fundit. Mangësitë më të mëdha të zbatimit të embargos duket se po kryhen në Shqipëri, Maqedoni e Rumani: Eksportimet e karburanteve të Shqipërisë janë rritur në mënyrë të konsiderueshme prej janarit. Trafiku i kamionëve të ngarkuar nga Maqedonia drejt Serbisë është rritur ndjeshëm këtë vit, dhe kjo është ndihmuar nga zyrtarët maqedonas.

Një operacion i shkallës së gjerë e i organizuar po kryhet nga rumunët për trafikimin e karburanteve drejt Serbisë përmes lumit Danub. Gjithsesi, sanksionet e OKB po vazhdojnë të dëmtojnë ish-Jugosllavinë, duke i mohuar asaj këmbimet tregtare detare, trafikun tokësor dhe rrugët e import-eksporteve. Sanksionet kanë ndaluar gjithashtu kompanitë e huaja bankare e tregtare të punojnë me ish-Jugosllavinë. Zbatimi dhe monitorimi i sanksioneve në kufirin e Serbisë me Malin e Zi është përkeqësuar që prej janarit 1995, duke përkeqësuar masën e zbatimit të vërejtur në 1994. Kjo ka sjellë një rritje të mallrave, duke përfshirë dhe karburantin, që hyjnë në ish-Jugosllavi. Mes kufijve, thyerja më e madhe e embargos është në kufirin shqiptar, maqedonas e rumun. Përfshirja e zyrtarëve të qeverisë dhe shkeljet dhe mundësia e fitimeve të mëdha të trafikut, po dëmtojnë zbatimin e masave. Shumica e shkeljeve përfshin produkte konsumi, por përfshihen gjithashtu edhe mallra të nevojshme për industrinë dhe bujqësinë.

Trafiku nga Shqipëria 

Transportuesit shqiptarë po trafikojnë sipas llogaritjeve 400-600 ton naftë (2900-4400 fuçi) në ditë drejt Maqedonisë. Megjithë shqetësimin e Tiranës për fatin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Jug të Jugosllavisë, Shqipëria nuk ka vullnetin të reduktojë trafikimin dhe ndalimin e fitimeve të tij të paligjshme. Shqiptarët janë të varfër, dhe fitimet e mëdha të trafikut të kontrabandës janë mjaft atraktive. Për më tepër, qeveria merr taksa të larta nga paratë të kontrabandës së naftës dhe zyrtarët e korruptuar kanë fitime personale nga trafiku. Edhe nëse Tirana dëshironte një ndalim të trafikut, asaj i mungon personeli dhe burimet për ndalimin e tij. Pas një rënieje në dhjetor 1994 dhe janar 1995, importet e karburanteve në Shqipëri janë rritur. Importet e qershorit në Shqipëri i kalonin nevojat e vendit për naftë me të paktën 16 000 ton (117000 fuçi) çka do të thotë se rreth 550 ton (4000 fuçi) kanë kaluar në ditë drejt ish-Jugosllavisë. Anije transportuese nafte kryesisht nga Greqia dhe nga Italia ndalojnë çdo ditë në portet shqiptare. Në qershor dërgesat detare në Shqipëri arrinin në 20 756 ton, me një mesatare ditore prej 700 ton (5000 fuçi) Kamionë transportues nafte dërgojnë gjithashtu produkte nafte në Shqipëri. Greqia pretendon se eksporton 150 ton (rreth 1100 fuçi) naftë në rrugë tokësore drejt Shqipërisë, por monitoruesit e sanksioneve nuk kanë të dhëna të plota mbi aktivitetin.

Embargoja ndaj Maqedonisë më 1995 

Zbatimi i embargos ekonomike në Maqedoni u përkeqësua në vitin 1995. Beogradi shfrytëzon varësinë e Shkupit nga Serbia, për të vazhduar tregtinë direkte me Maqedoninë dhe për ta përdorur si një korridor të tregtisë së saj të jashtme me vende të tjera. Përveç kësaj, përfitimet nga kontrabanda shtyjnë Shkupin të mos bëjë përpjekje për zbatimin e sanksioneve në mënyrë të vazhdueshme. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë pranoi kohët e fundit për kreun e misionit amerikan në Shkup, se ishte e vështirë zbatimi i embargos prej nevojës së lidhjeve ekonomike me Serbinë. Zyrtarë të lartë maqedonas duke përfshirë dhe kryeministrin Crvenkovski, ministrin e Financave, Miljovski dhe ministrin e Transporteve, Buzlevski, marrin pagesa për dhënien e domentacionit fals për dërgesat. Shumë kompani maqedonase përdorin dokumentacion fals për të ndihmuar që Serbia t’u shpëtojë sanksioneve, duk e listuar veten si marrëse të mallrave të importit, kur ato në fakt janë të destinuara për Serbinë, dhe anasjelltas. Në këmbim të shpërblimit të tyre, këto kompani krijojnë dokumentacionin e duhur për lëvizjen dhe magazinimin e mallrave. Megjithë një rënie të vogël në korrik, çdo javë gjatë muajit të kaluar rreth 1200 kamionë të ngarkuar kanë hyrë në Serbi, që është dyfishi i 635 kamionëve që kalonin në periudhën nga janari në mars. Produktet kryesore jo-ushqimore që importohen në Serbi janë metalet, kimikatet, dhe lubrifikuesit. Mallra të tjera të zbuluara që prej vjeshtës së 1994 përfshijnë makineritë, pjesët e këmbimit, kompjuterët etj. Gjatë mëngjesit të korrikut monitoruesit kanë dalluar nëntë dorëzime pajisjesh kompjuterike. Serbia ka fituar para me anë të eksportimit të produkteve bujqësore, çelikut, tekstileve dhe mobilieve nëpër botë, të etiketuar si produkte maqedonase. Disa kompani serbe mbajnë zyra edhe në Maqedoni për të asistuar në importet dhe tregtinë e jashtme.

Embargoja, kontrabandë nga Rumania 

Zbatimi i embargos në Rumani është përkeqësuar prej vitit 1995, megjithë disa masa të qeverisë:

Trafiku i shpeshtë i nivelit të vogël nga Rumania drejt Serisë me anë të lumit Danub është rritur shumë prej prillit, sipas ambasadës amerikane në Beograd. Deri në prill, monitoruesit e sanksioneve llogarisnin se 800 deri në 1000 barka po bënin udhëtime të shpeshta ditore drejt Serbisë. Lundrimet merrnin furnizim nga dërgesat me kamionë në stacionet e reja të karburanteve, që po nderohen përgjatë kufirit. Fshatra të tëra janë përfshirë në kontrabandën përgjatë lumit Danub. Edhe trafiku mbitokësor vazhdon, dhe grupet e monitorimit llogarisin se në fillim të korrikut kishte një rritje të mjeteve që hynin në Serbi të mbingarkuara me karburant. Në fund të marsit, një monitori fizik në një pikë kufitare, dalloi mjete fuoristrada që tërhiqnin ngarkesa me fuçi karburanti. Shumë prej zyrtarëve lokalë janë të korruptuar. Gjatë një kontrolli në prill, monitoruesit dalluan policinë lokale që refuzonte transportin e karburantit në një pikë kontrolli, por udhëzonte drejtuesit e mjeteve të përdornin një rrugë dytësore për trafikun. Linjat ajrore. Fluturimet e përditshme të linjave Yugoslav Airlines po vazhdojnë të kryhen me shumë pak apo fare pa pasagjerë, por të tejmbushur me karburant avionësh. Mangësitë janë më të vogla në kufijtë e vendeve të tjera Zbatimi i embargos dhe i dërgesave direkte drejt Serbisë duket më i zbatuar në kufijtë me Bullgarinë e Hungarinë.

Please follow and like us: