Albspirit

Media/News/Publishing

Shënim për Eduard Zaloshnjen

Enkel Demi

Pak më parë pata një telefonatë nga profesor Eduard Zaloshnja. Kam njohje të vjetër me të, jo miqësi. E njoh qysh në themelimin e Partisë Demokratike si autor i një pjese të programit të kësaj partie. Megjithatë, biseda që bëmë në telefon nuk kishte të bënte me njohjet tona apo sa e çmojmë sho-shoqin. Ai më thirri, sepse faqja që unë drejtoj 27.al ka bërë një shënim editorial, pas një lajmi të çuditshëm, ku megjithëse në një sondazh të Follow Busines Albania PDIU rezulton me rritje votash, ajo deklarohet humbëse. Në fakt, qëndrimi redaksional është nisur nga një sërë komentesh të botuara në media të tjera. 27.al është e fundit që u përfshi në këtë hulli. Por, meqë në faqen e Top Channel deri në mesditë gjendeshin vetëm deklaratat e avokat Ngjelës për rritjen e PDIU-së, shënimi redaksional i është referuar mediave të tjera. Ky mund të vlerësohet si gabim, nxitim, megjithëse 27.al ishte e fundit që përcolli këto informata. Por, dinamika e një media onlineështë krejt e ndryshme nga mediat e tjera dhe profesor Zaloshnja, i cili mos gaboj drejton respublica.al, besoj që këtë e kupton. Kjo nuk vjen nga dembelizmi i gazetarëve, por edhe nga dëshira për të përcjellë lajmin dhe mbajtjen e një qëndrimi ndaj tij.

Nejse, biseda me profesorin ishte krejt qytetare, ku ai shumë çiltër më shprehu se nuk i pëlqente që në shkrim citohej formimi i tij bujqësor, sepse ai ka mbaruar doktoraturën për matje të opinionit në Shtetet e Bashkuara. Po kështu, zotit Zaloshnja nuk i pëlqente që në fund të shënimit përmendej modeli i tij i flokëve.

E para, formimi bujqësor i profesorit ka ndihmuar opozitën e parë shqiptare në programin e saj të themelimit. Unë, prandaj e njoh zotin Zaloshnja dhe nuk kam për ta harruar besoj kurrë për këtë. Në shënim është përmendur formimi i tij në Shtetet e Bashkuara, megjithëse pena e autorit ishte e mprehtë, pse jo e hidhur.

E dyta, përsa i përket modelit të flokëve mendoj që profesor Zaloshnja ka të drejtë. Nuk është puna jonë të merremi me pamjen e jashtme të askujt apo me shijet e dikujt. Ndaj, për këtë, megjithëse nuk jam autori i shkrimit (nuk para bëj shënime pa emër) i kërkoj ndjesë zotit Zaloshnja dhe jam i sigurtë që kjo faqe nuk do të merret asnjëherë as me pamjen e jashtme të askujt apo më keq akoma me cene fizike a dallime raciale.

Megjithatë, ky shënim shërbeu që profesor Zaloshnja të përgënjeshtrojë edhe media të tjera online, të cilat ju referuan lajmit që PDIU ani se kishte rritje votash, rezultonte me rënie. Ky ishte një keqkuptim që nuk e shpiku 27.al, meqë ishte media e fundit që e pasqyroi.

Please follow and like us: