Albspirit

Media/News/Publishing

11 vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës

Sot bëhen 11 vjet nga vdekja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ishte zgjedhur presidenti i parë i Kosovës gjatë votimeve të mbajtura në vitet e 90-ta, ndërsa edhe pas luftës është zgjedhur po ashtu presidenti i parë i vendit.

21 janar 2006 – Vdiq Ibrahim Rugova -akademik, politikan, presidenti i parë i Kosovës; kur ishte 6-javësh (janar 1945) babai i tij dhe gjyshi u vranë nga forcat komuniste. Por ndryshe nga udhëheqës të tjerë të Ballkanit që zgjodhën luftën, Rugova përqafoi politikën e rezistencës paqësore në fushatën e tij për një Kosovë të pavarur, duke ndjekur shembullin e Mahatma Gandit dhe Martin Luter Kingut

Me të folurën e tij të butë, i diplomuar në Sorbonne – dhe shallin e tij karakteristik – Rugova tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare ndaj padrejtësive dhe shtypjes që u bëheshin shqiptarëve në Kosovë. Si kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partia e parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist, Rugova iu përgjigj valës së shtypjes dhe dhunës serbe me krijimin e pushtetit paralel në arsim, shëndetësisë dhe vendor; diaspora shqiptare në perëndim ndihmoi financiarisht në këtë drejtim.

Rugova lindi në fshatin Cerrce, Kosovë; ndoqi shkollën e mesme në Pejë; studioi filozofi në Universitetin e Prishtinës, një vit akademik 1976-77 në Sorbonne, Paris. Autori i 10 librave, Rugova punoi si redaktor i gazetës Bota e Re, dhe revistës Dituria në vitet 1970 në Prishtinë. Për dy dekadat e ardhshme, ai u përfshi në Institutin për Studime Shqiptare në Prishtinë, në fushën kërkimore. Në vitin 1988, Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, organizatë që u bë fokusi i rritjes së opozitës shqiptare ndaj sundimit serb në Kosovë. Një vit më pas, ai u zgjodh kryetar i LDK-së.

Në fillim të viteve 1990, Jugosllavia federale u përfshi nga luftërat në Kroaci dhe Bosnje. Ndërsa kroatët dhe pastaj myslimanët e Bosnjës luftonin për të dalë nga mbizotërimi serb-jugosllav, disa shqiptarë të Kosovës argumentuan se ata duhet të hapin një “front jugor” për të fituar lirinë e tyre. Rugova iu përgjigj se kjo do të ishte katastrofë për shqiptarët. Pasi qindra mijëra njerëz ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre në Kroaci dhe Bosnje, Rugova kishte frikë se e njëjta gjë mund të ndodhte me popullatën shqiptare të Kosovës.

Sistemi i tij paralel i qeverisjes kishte mbështetje të gjerë mes shqiptarëve, por ata kaluan në zhgënjim mes të viteve 1990, kur çështja e statusit të Kosovës u injorua nga marrëveshjet e Dejtonit hartuar mes Millosheviçit dhe udhëheqësve perëndimorë për të shënuar fundin e konfliktit boshnjak në nëntor 1995.

Deri në fillim të vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte bërë organizata kryesore e rezistencës në Kosovë, duke përkrahur luftën në vend të taktikave paqësore. Gjatë luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s, popullariteti i dr. Rugovës u zbeh. Por pas çlirimit të Kosovës, shumë gjëra kishin ndryshuar, përfshi e mendësitë; Rugova zgjidhet President në zgjedhjet e marsit 2002 duke fituar 58 për qind të votave. Disa javë më vonë, ai doli ballë për ballë me Millosheviqin, kur dha prova si dëshmitar në Hagë, në gjyqin për krime lufte ndaj ish-udhëheqësit jugosllav.

Please follow and like us: