Albspirit

Media/News/Publishing

Edhe Shqipëria duhet ta zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem

Elton Myftiu

Ka një kohë, në mjaft forume rrjetesh sociale të shqiptarëve, të Kosovës, të Shqipërisë, në diasporë e gjetiu, mund të hasim në jo pak shpërthime anti hebraike. Është interesante se kjo dukuri shqetësuese shkon paralel me zhvillime si ndalimi në Kosovë, me ligj, i literaturës anti hebraike (gjë që në Shqipëri akoma nuk ka ndodhur) dhe shumë përpjekjeve tona si komb që të rikonfirmojmë miqësinë historike me popullin hebre. Pos dimensionit historik, riafirmimi i raporteve tona me hebrenjtë, ka edhe dimensionin e zgjuarsisë politike, pasi që gjithsecili nga ne e di shumë mirë rolin dhe ndikimin e lobit hebraik në politikën amerikane që kulmoi me ndërhyrjen e NATO-së dhe më vonë edhe me pavarësinë e Kosovës. Nuk duhet të harrojmë as protestën masive popullore në Tel Aviv, në prill të vitit 1999, e vetmja e këtij lloji në të gjithë historinë e Izreaelit, kundër përndjekjes dhe vrasjeve masive në Kosovë dhe që asokohe tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës.

Dhe, ne, si po e kthejmë këtë mirësi? Me falangat e Lavdrim Muhaxherit me shokë? Vërtet, vallë vetëm Lavdrimi ka zë mjaftueshëm të fortë të përfaqësojë mbrapsht shqiptarët apo kemi edhe ne të tjerët?

Të kesh disa budallenj që shprehin lirshëm mendimin e tyre, qoftë edhe tërësisht të gabuar, nuk është fundi i botës, por kur kësaj i shton dimensionin e luftëtarëve shqiptarë që kanë marrë në dorë flamurin dhe hanxharët e ISIS si dhe budallenjtë vetmitarë që duan të kryejnë sulme në Evropë, përfshirë edhe rastin e të riut shqiptar me origjinë nga Kosova që këto ditë deshi të kryente sulm terrorist në Austri, mësuesen tonë që u thoshte nxënësve se ISIS është një organizatë e mirë e shumë të tjera, komplotin terrorist për të sulmuar ndeshjen Shqipëri – Izrael, gjithë kjo situatë merr përmasat e një diçka të frikshme.

Ka diçka që nuk shkon te ne si popull! Dhe nuk mjafton që përpjekjen tonë për ta ruajtur imazhin tonë ta kufizojmë vetëm me ca aksione policie apo emisione trendi në televizione. Jo, problemi ynë me këta eksponentë të ideologjive të poshtra nuk është si i popujve të tjerë të Evropës. Te ne kjo çështje është jetike, është ekzistenciale për të gjithë brezat e ardhshëm të shqiptarëve të rinj. Është koha e fundit që, me ligj, të ndalojmë çdo propagandë anti-semite, çdo literaturë të tillë dhe çdo shpërfaqje të urrejtjes anti-semite në të gjitha forumet e mundshme, përfshirë edhe ato në rrjete sociale. Duhet ta bëjmë këtë tani, para se të bëhet vonë!

Pse? Dikush mund të thotë kjo është ekzagjerim!

Nuk duhet të harrojmë se ne shqiptarëve Evropa vazhdon të na shohë me dyshim dhe mbase jemi të vetmit në Evropë që kemi edhe rolin e fajtorit kolektiv. Te të gjithë popujt e tjerë përgjegjësitë janë individuale, ndërkaq kur është fjala për shqiptarë ato dinë të jenë kolektive. Shkaku i një grushti njerëzish të çmendur që bëjnë krime të sëmura, shkaku i një grupi tjetër të papunësh që shfryjnë epshet në forume interneti me teori të sëmura komploti dhe për të cilët Izraeli është e keqja e botës, nuk guxon të pësojë një popull i tërë.

Tani që bota po ndryshon, tani që Presidenti Trump ka bërë të qartë synimin e tij për një luftë përfundimtare me terrorizmin islamik, të fuqizojë lidhjet e Amerikës me Izraelin, tani që ka rrezik nga afrimi i mundshëm i Amerikës me Rusinë, tani që Serbia dhe Greqia i janë rikthyer retorikës së shqiptarët janë pararojë e ekstremizmit islamik në Evropë, duhet të bëjmë çmos që ta dëshmojmë të kundërtën. Sidomos tani kur Presidenti Trump mendon ta zhvendos ambasadën amerikane në Jerusalem, kur pikërisht shtypi izraelit paralajmëron për rreziqet që i kanosen Kosovës nga Serbia, duhet ta rikonfirmojmë edhe njëherë miqësinë dhe përkushtimin tonë për raporte dhe miqësie me popullin hebraik dhe me Amerikën. Politika e vëllazërisë me Turqinë e të ngjashëm, duhet të jetë në tavolinë për aq sa kjo i shërben interesave shqiptare në rajon dhe të interesave të shqiptarëve që jetojnë në Turqi, por partneritetin strategjik, atë që vërtet është jetik për shqiptarët, duhet ta mbështjellim rreth aleancash historikisht të dëshmuara.

Politika shqiptare duhet të bëjë atë gjë vërtet të guximshme, të parën këto 25 vitet e fundit, dhe ambasada shqiptare në Izrael të jetë ambasada e dytë, pas asaj te SHBA-së, që do të zhvendosej në Jerusalem, pavarësisht reagimeve dhe kërcënimeve që mund të kemi. Shqipëria nuk ka asnjë borxh ndaj Palestinës, aq më tepër që kjo e fundit ashpër angazhohet kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkaq ky veprim i guximshëm i qeverisë shqiptare do ta rikonfirmonte partneritetin tonë strategjik me Amerikën, tani që një gjë e tillë është më e nevojshme se kurrë. Jam tërësisht i bindur se miqtë e dëshmuar të shqiptarëve, në lobin hebraik në SHBA, do të dinin të vlerësonin këtë rikonfirmim miqësie dhe sinkronizim të politikës sonë me atë të aleatit tonë të vetëm, SHBA-së.

Please follow and like us: