Albspirit

Media/News/Publishing

Kina dhe Trump përplasen në Tiranë

Qëndrimet e ndryshme mes SHBA dhe Kinës në lidhje me zhvillimin botëror e vecmas globalizmin janë përplasur dje në Tiranë.

Gazeta më e madhe në vend “Panorama” ka botuar një shkrim të Ambasadores së Kinës në Tiranë Jiang Yu. me titull “Mençuria kineze ndriçon drejtimin e ekonomisë botërore”, në të cilin ndër të tjera fshikullohen idetë e Presidentit të ri të SHBA, Trump lidhur me tërheqjen nga globalizmi dhe zhvillimin e praktikave proteksioniste për Amerikën.

“Sikurse brenda një nate, globalizmi ekonomik, dikur i vlerësuar si shpella ku fshihej thesari pa fund i zbuluar nga Ali Baba në përrallat e librit “Netët arabe”, tani është shndërruar në “kutinë e Pandorës”. Fajësimi i tillë që i bëhet globalizmit ekonomik për kaosin nëpër botë është i njëanshëm dhe aspak objektiv”, shkruan ambasadorja që e sheh zgjidhjen natyrisht tek Presidenti i vendit të vet Xi Jinping.

Vetëm katër ditë pasi Presidenti trump mbajti fjalimin e tij “E para Amerika”, duket se Kina ndjehet e kërcënuar nga frenimi i globalizmit prej të cilit ka marrë e përfituar më shumë se cdo vend tjetër i botës.

Yu e qorton ashpër këtë përcaktim të Trump, pavarësisht se nuk e përmend me emër. “Pretendimi njerëzor për të frenuar ose ballafaquar këtë trend nuk është as akt i mençur, as i realizueshëm. Por kjo nuk do të thotë që duhet të vetëmbyllemi në dhomën e errët të proteksionizmit dhe izolacionizmit, përndryshe përveçse do të qëndronim larg stuhive, do të ishim gjithashtu edhe larg dritës dhe ajrit”, shkruan ajo.

Ndërkaq Presidenti Trump ka nisur udhëtimin e tij antiglobalist. Dje firmosi anulimin e marrëveshjes ekonomike të vendeve të Paqësorit në të cilën qeveria amerikane e Obamës ishte investuar shumë.

Please follow and like us: