Albspirit

Media/News/Publishing

PËRPLASJA NË CAS/ Kosova shënon fitoren e parë ndaj Serbisë në futboll

Pranimi i Kosovës në UEFA vitin e kaluar irritoi shumë serbët që e çuan çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Sot ka ardhur konfirmimi nga Federata e Futbollit të Kosovës se kjo kërkesë është rrëzuar dhe për këtë çështje organi më i lartë drejtues në Europë ka vendosur se nuk kthim mbrapa.
FFK thotë se argumentet e UEFA-s ishin më të forta se dëshira e Serbisë.
“Një lajm tejet i mirë në këtë ditë janari, për FFK-në, e cila fitoi edhe një betejë të fundit kundër shtetit të Serbisë, përkatësisht kundër federatës serbe. Sapo mora lajmim nga kryetari i UEFA-s z. Çeferin se CAS-i e ka refuzuar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit për pranimin e FFK-së në UEFA. Kjo ishte përpëlitja e fundit serbe që të ndryshojë vendimin, por argumentet tona në UEFA ishin më kokëforta se sa dëshira e Serbisë për ta na ndaluar pranimin tonë”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Federatës së Futbollit në Kosovë, Fadil Vokrri.
Vokrri vlerëson se skeptikëve iu mbyll goja me këtë refuzim të CAS-it.
“Edhe njëherë u dëshmua se kishim të drejtë dhe CAS-i e njohu vendimin e UEFA-s si të ligjshëm në favorin tonë, e që unë isha thellësisht i bindur se një vendim i tillë do të sjellë CAS-i, sepse në anën tonë e kishim të drejtën tonë të cilën jo vetëm ne por edhe miqtë tanë e mbrojtën. Me këtë edhe njëherë u mposhtë shteti serb, i cili kishte paguar alamet ekspertë për ta zhbërë vendimin e UEFA-s, si dhe iu mbyllë goja skeptikëve se gjoja mund të rikthehet vendimi i marrë nga Kongresi i UEFA-s i mbajtur më 3 maj 2016”, ka thënë ai.
Në njoftimin për media Vokrri thotë se ky vendim i CAS-it duhet ta fuqizojë Kosovën dhe futbollin e saj.

Please follow and like us: