Albspirit

Media/News/Publishing

“Tepër Sekret”, Kadare në shënjestrën e kolegëve dhe Sigurimit të Shtetit

Edhe një herë Kadare në shënjestrën e kolegëve, Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të Partisë. UET PRESS dhe gazetari e studiuesi i arkivave, Dashnor Kaloçi, sjellin botimin më të ri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Ëndrrave’”. Janë 101 dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, të klasifikuara “Tepër Sekret”.

Ato kanë procesverbale të mbledhjeve së Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike të K.Q. të PPSH-së, me analiza, kritika, propozime, dëshmi, informacione, raporte, relacione, letra, akuza, spiunime e denoncime ndaj shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, të gjitha të papublikuara më parë.

 

Dashnor Kaloçi

Më 24 tetor të vitit 1990, nëpërmjet valëve të radios “Zëri i Amerikës”, e cila asokohe ishte bërë “Meka”, ku kishin drejtuar sytë dhe veshët të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin, në edicionin e lajmeve të orës 18:00, drejtuesi i seksionit shqip, Elez Biberaj, dha njoftimin e bujshëm se shkrimtari i njohur Ismail Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë. Pas kësaj, z.Biberaj u lidh drejt për drejt me shkrimtarin Ismail Kadare, me të cilin zhvilloi një intervistë disaminutëshe, që thuhet se ka pasur një audiencë të jashtëzakonshme.

Në atë intervistë shkrimtari Ismail Kadare shpjegoi se arsyeja, për të cilën ai detyrohej ta ndërmerrte atë veprim, ishte politika që po ndiqte Tirana zyrtare dhe deklaroi se do të kthehej në Shqipëri vetëm kur këtu të vendosej një demokraci e vërtetë. Ky lajm, i cili pati një jehonë të madhe jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shqipërisë, kudo që jetonin shqiptarë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë etj., në ditët që vijuan, u pasua edhe me reagime të shumta nga intelektualë të ndryshëm të njohur të asaj kohe, ku disa prej tyre si Gramoz Pashko, Adem Demaçi, Rexhep Qosja etj., u prononcuan me intervista në radion “Zëri i Amerikës”, duke shprehur pikëpamjet dhe mendimet e tyre rreth asaj çka kishte ndodhur me shkrimtarin Ismail Kadare.

Pjesa më e madhe e të intervistuarve të gazetarit Biberaj, direkt apo tërthorazi, solidarizoheshin me veprimin që kishte ndërmarrë shkrimtari Ismail Kadare, por kishte dhe prej tyre, (si p.sh. Adem Demaçi), që shpreheshin disi konfuzë në mendimet e tyre. Apo më saktë, ata shpreheshin se nuk arrinin ta kuptonin përse Kadare e kishte bërë atë gjë, ndërkohë që mund të kishte gjetur rrugë të tjera për të realizuar atë që ai synonte të arrinte etj., Ndaj veprimit të Kadaresë që kërkoi azil politik në Francë është i njohur edhe qëndrimi zyrtar i regjimit komunist të Tiranës, i cili u mjaftua me një njoftim të shkurtër në gazetën “Zëri i Popullit”.

Po kështu, në të gjithë vendin, që të nesërmen e asaj dite, (25 tetor 1990), nga qendra në bazë u mblodhën të gjitha organizatat bazë të partisë, si dhe organizatat e tjera të masave (Bashkimi i Rinisë së Punës Shqipërisë, Organizata e Gruas, Bashkimet Profesionale. Organizata e Veteranëve etj.) dhe e dënuan veprimin e Kadaresë, madje duke hedhur ndaj tij akuza mjaft të ashpra, si “bukëshkalë”, “dezertor”, “armik”, etj., etj… Por në ato mbledhje nuk u harrua të thuhej “porosia” se “gjesti i Kadaresë dënohet, vepra e tij mbetet”.

Dhe të gjitha këto bëheshin natyrisht jo pa një urdhër të Komitetit Qendror të PPSH-së të udhëhequr nga Ramiz Alia. Ato ditë vjeshte të vitit 1990, të mbingarkuara nga ana sociale dhe politike, edhe për shkak të ngjarjeve që kishin ndodhur dhe po ndodhnin në Europën Lindore, në Tiranë dhe kudo nëpër Shqipëri, qarkullonin lloj-lloj versionesh, si për ikjen e Kadaresë dhe kërkesën e tij për azil politik në Francë, ashtu dhe për qëndrimin që po mbante ndaj tij regjimi në fuqi me në krye Ramiz Alinë.

Por, që nga ajo kohë e deri më sot, pra plot 26 vjet, nuk ka dalë asnjë dokument zyrtar nga arkivat që të hedhë sadopak dritë rreth qëndrimit të Tiranës zyrtare ndaj Kadaresë, lidhur me veprimin e tij e kërkesën për azil politik në Francë. Ndaj, dokumenti që po publikojmë, ku ish-sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, Lisen Bashkurti, i ka dërguar në atë kohë shefit të kabinetit të Ramiz Alisë, është me mjaft interes. Por, cili ishte reagimi dhe qëndrimi i Ramiz Alisë ndaj veprimit të Kadaresë, ende dhe sot e kësaj dite ka mbetur i mbuluar me mister.

Nga investigimet që kemi mundur të bëjmë, duke kontaktuar me disa burime, ka disa versione që janë tejet kontradiktore dhe përsëri mbesin të paqarta. Thuhet se në orët e para të mëngjesit të datës 24 tetor 1990, pra të nesërmen e dhënies së lajmit se shkrimtari Ismail Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë, Ramiz Alia ka thirrur tre-katër nga ndihmësit e tij (Xhelil Gjoni, Abdyl Backa dhe Spiro Dede), me të cilët ka pirë kafe dhe ka diskutuar lidhur me atë ngjarje. Ky fakt konfirmohet edhe nga njëri nga këta persona, me të cilin kemi kontaktuar, që tregon se Ramizi kishte vërtet njëfarë shqetësimi jo të vogël për atë që kishte ndodhur, por mundohej të mos e jepte veten. Mes të tjerash, duke shprehur një gjest habie, ai u tha tre ndihmëseve të tij: “Po pse na e bëri Ismaili këtë gjë; ato çka ai na kishte kërkuar apo parashtruar edhe me shkrim, ne ia plotësuam”.

Kaq kanë qenë pak a shumë fjalët e vetme të artikuluara nga Ramiz Alia atë mëngjes tetori të vitit 1990, teksa pinte kafe me ndihmësit e tij. Sipas burimit në fjalë, me atë gjë, pra me shprehjen “ato çka ai na kishte kërkuar apo parashtruar edhe me shkrim”, Ramizi kishte parasysh jo vetëm disa biseda konfidenciale që Kadare kishte bërë me të në atë kohë, por edhe një letër të gjatë që ai, (Kadare), i kishte dërguar Ramizit në marsin e vitit 1990, ku i shprehte hapur të gjitha pakënaqësitë e tij ndaj kursit zyrtare që ai po ndiqte, si në politikën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Ajo që mbetet përsëri mister është fakti se përse udhëheqja e lartë e Komitetit Qendror të PPSH-së së asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë, duke përjashtuar njoftimin në gazetën “Zëri i Popullit”, nuk mbajti një qëndrim zyrtar ndaj veprimit të Kadaresë.

Themi kështu, pasi në arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së, nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë këtë gjë… Të paktën nga kërkimet që kemi bërë, nuk rezulton të jetë një dokument të tillë. Dhe këtë version, pra faktin se Ramiz Alia nuk bëri asnjë mbledhje të forumeve të larta të PPSH-së, si sekretariatit të Komitetit Qendror, Plenumit, apo Byrosë Politike, e lidhin me faktin se pikërisht një ditë pas ikjes së Kadaresë, më 25 tetor 1990, në Tiranë po mbahej një mbledhje e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit, ku realisht regjimi komunist i Tiranës kishte aderuar si për të treguar se po ndryshonte kursin politik, apo më saktë se po ndërmerrte disa reforma, qoftë dhe në planin ekonomik e social si fillim.

Dhe kjo gjë duket se “ia lidhi” duart Ramiz Alisë, që “të merrej shtruar” me “çështjen Kadare”. Nisur nga ky fakt, thuhet se Ramizi “Çështjen Kadare” ia la në dorë rinisë, gjë e cila, në njëfarë mënyrë, konfirmohet edhe nga dokumenti që po publikojmë në këtë shkrim. Një tjetër version që shumë vetë rreken të besojnë, është dhe ai që, Ramizi, nuk mund të dënonte dot zyrtarisht Kadarenë, pasi atë gjë nuk e kishte bërë as Enveri.

Por të tjerë i besojnë asaj që Ramiz Alia (i shtytur dhe nga Nexhmije Hoxha) ka bërë një mbledhje në Komitetin Qendror të PPSH-së, ku ka dënuar ashpër veprimin e Kadaresë, dhe nuk e përjashtojnë versionin që të ketë pasur një dokument dhe ai mund të jetë hequr… Kjo me gjasa mund të ketë ndodhur jo në Arkivin Qendror të Shtetit, por gjatë kohës që dokumenti ka qenë në zyrat e PPSH-së dhe nuk ka shkuar kurrë arkivin e PPSH-së, dhe kësisoj ai nuk ka mbërritur kurrë as në Arkivin Qendror të Shtetit.

Gjithsesi, kjo mbetet vetëm në kuadrin e hamendësimeve dhe hipotezave, por ajo që është e saktë është fakti se në lidhje me ikjen e Kadaresë deri më tani ekziston vetëm një dokument, ky që po botojmë në këtë shkrim, i cili u përket dokumenteve që ndodhen në Fondin e Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës Shqipërisë. Një nga ish-funksionarët e këtij aparati tregon se në bazë të porosive që u ishin dhënë nga sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, (që mbulonte organizatat e masave), edhe Lisen Bashkurti, ka bërë një mbledhje me Komitetin Qendror të Rinisë, ku ka folur dhe ka dënuar gjestin e Ismail Kadaresë.

Dhe pas fjalëve të tij në sallë ka pllakosur heshtja, pasi askush nuk kërkonte të merrte fjalën. Dhe mbledhja u mbyll, pasi folën edhe dy-tre persona të tjerë, apo më saktë iu kërkua fjala dhe ata thanë nga dy-tri fjali që nuk u kuptuan jo vetëm nga salla, por as dhe nga ata vetë… Ish-funksionari i aparatit të Komitetit Qendror të Rinisë kujton se ajo çka po ndodhte në atë sallë dukej si një lojë, apo si teatër.

Dhe këtë gjë, ai e lidh edhe me faktin se vetëm dy-tre muaj më pas, vetë Lisen Bashkurti dha dorëheqjen nga funksioni i sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Bashkimit Rinisë së Punës së Shqipërisë. Duke u distancuar krejtësisht edhe nga politika që kishte ndjekur ndër vite, ajo organizatë rinore, e cila konsiderohej si “fidanishte e PPSH-së”.

 

BASHKIMI I RINISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË KOMITETI QENDROR

Tiranë, më 29. 10. 1990

Nr…….Prot

 

SHOKUT VASKË ÇIFLIKU

KOMITETI QENDROR I PPSH

Tiranë

Bashkangjitur ju dërgojmë njoftimin: Mbi pyetje, opinione e vlerësime për projektligjin, Konferencën Ballkanike dhe problemin Kadare”.

SEKRETARI I PARË I KQ TË BRPSH

LISIEN BASHKURTI

NJOFTIM MBI PYETJE, OPINIONE E VLERËSIME PËR PROJEKTLIGJIN, KONFERENCËN BALLKANIKE DHE PROBLEMIN KADARE

Nga takimet e bisedat me të rinj intelektualë.

Vlerësime e pyetje

E prisnim këtë veprim, në një mënyrë apo tjetër, nga Kadareja.

  1. Kadare iu përgjigj në mënyrë të poshtër akuzave të Perëndimit se gjoja si shkrimtar oborri në Shqipëri, duke shkuar pikërisht në oborrin e Perëndimit.
  2. Kadare, siç duket, ishte një nga gjeneralët që priti bota perëndimore dhe organizatorët e 2 korrikut. Ai, siç nuk do të dëshironim, kapitulloi para veprimtarisë armiqësore e presioneve që mund t’i jenë bërë. Të mendosh se veprimi i tij lidhet me interesa të larta kombëtare, thuajse është e pabesueshme. Historia, në të vërtetë po na mëson se ka edhe ndonjë krijues që ëndërron të jetë edhe burrë shteti, si për shembull Haveli, i cili është vetëm një kukull e Perëndimit që ka fituar popullaritet më tepër të rremë. Po ashtu, në këto halle të mëdha të kombit, ndër më të privilegjuarit nga inteligjenca ishte pikërisht I. Kadareja, ndaj nuk justifikohet gjithsesi veprimi i tij.
  3. Kadare e tregoi, siç edhe pati dhënë shenja, se është egoist i rrallë. Habitemi, u shprehën mjaft të rinj, se si mund ta bënte këtë veprim
  4. Kadareja, sepse deri tani ka qenë nacionalist i shfaqur dhe i njohur në opinion, përmes tërë veprës së tij.
  5. Kadareja u ngrit kundër jetës së vet dhe një pjese të madhe të veprës së tij. Është e rëndë braktisja e vendit në situatë kyçe, po akoma më e rëndë braktisja e vetes.

Veprimi i fundit i I. Kadaresë trazoi ndërgjegjen e një kombi. Qëndrimi ndaj tij lypset të jetë i kujdesshëm, i matur dhe korrekt. Në qëndrimin ndaj problemit Kadare, është e mira të ndahet jeta e tij e derisotme nga akti i fundit i shëmtuar; të ndahet vepra e tij letrare e konfirmuar nga pozicioni politik i gabuar. E gjykojmë se po të njehsohen këto aspekte kontradiktore të Kadaresë në mendimin e qëndrimin tonë, jo vetëm s’do të ishim realistë e korrektë, por edhe do të binim në grackën e reaksionit.

Nëse për ne ky është rast pa precedent, për botën është i zakonshëm. Realizmi, korrektësia e toleranca e kapërcen këtë rast me më pak probleme. Pastaj, e gjykojmë se duhen parë edhe mendimet e veprimet e tij të mëtejshme. Si të thuash, ai vetë do të vazhdojë të bëjë autoportretin, nga do të përcaktohen marrëdhëniet e tij politike me ne. Lajmi për të mund të jepej më shpejt, qysh në ato të orës 10:00 të mbrëmjes. E themi këtë që të evitohen thashethemet. Është në natyrën e njerëzve tanë që s’mund të rrinë dot pa folur, s’rrojnë dot pa lajme. Kur ka lajm e informacion në kohë, ndihen më të qetë. Në të kundërt, thashethemet s’kanë të sosur. Nuk është mirë t’i mësojmë gjërat më parë nga “Zëri i Amerikës”.

Me “Ftesë në studio” I.K. e dha sinjalin për tundimin e tij, ku parashtronte mënyrat dhe frikën se si një shkrimtar i sotëm mund të vritet nga Parisi. Me këtë libër duket sikur le testamentin e tij të shkëputjes nga Shqipëria. Diçka reale e shqetëson I. K. që bëri këtë veprim, të cilin mund ta dënonte vetë ai po të ish nga të tjerë.

A është e vërtetë se I.K. ka pas korrespodencë me shokun Ramiz Alia, i ka bëtë një letër Atij, andaj është në Francë? “Zëri i Amerikës” dëgjohet sistematikisht dhe besohet nga një pjesë e madhe njerëzish. Në kontakte që patëm vërenim se afroheshin shumë disa lajme. Ka opinione brenda vendit që, ose duan ta zhdukin pa nishan veprën e Ismailit për hir të këtij akti politik, sikundër ka të tjerë që e përligjin edhe këtë akt të shëmtuar.

Këto qëndrime ekstreme duhen goditur me një pozicion disi zyrtar, sepse pritet nga të gjithë. Por ka shumë zëra, edhe në njerëz me peshë, që akuzojnë “javashllëkun tonë”, “përdorimin e dy gjuhëve, një për brenda dhe një për jashtë”, “forcat konservatore që janë më të rrezikshme sepse kanë pushtet, ato do na shpien në Rumani”, “demokratizimi s’është real, po sabotohet” etj.

Aktualisht shoqëria jonë është vënë para hallesh të papara ndonjëherë, përpara një lufte të vërtetë. Këto halle shtypi e propaganda duhet t’i japin më realisht, sepse ka një rrumbullakosje të papranueshme, sidomos nga “Zëri i Popullit”, që po shpie në abandonimin e këtij organi qendror për masat, inteligjencia dhe rinia. Projektligji është një ndryshim i dukshëm në tërë procedurën e zgjedhjeve të deputetëve; ai krijon premisa që demokracia të jetë më e gjerë, që forcat intelektuale të kontribuojnë më shumë për zhvillimin e vendit e që rrjedhimisht të bëhen më pak gabime.

A nuk do të ish më mirë që organizata e rinisë, po edhe organizatat e tjera shoqërore të kenë status juridik e kushtetues krejtësisht të barabartë me PPSH? A do qe më mirë që roli i Partisë të mos sigurohet me Kushtetutë, por nga aftësia e programi i saj? A nuk fillon Partia te centralizimi i gjithçkaje? A duhet ndarë Partia nga shteti; nga ekonomia, nga organet e diktaturës që do të duhej t’i drejtonte Shteti juridik dhe Kryetari i Shtetit? A duhet të jetë me të vërtetë figurë e parë Presidenti që përfaqëson popullin dhe ligjin e, për rrjedhojë, a duhet të ketë ai kompetenca shumë më të mëdha se ç’i afrojnë organizatat e veçanta politike?

A duhet të pranojmë në Kushtetutë ideologjinë e vetme sunduese ose pluralizmin, apo më mirë të mos përmendet asnjëra? Këto pyetje ziejnë kudo dhe prandaj duan zgjidhje urgjente, që mund ta ndërmarrë vetëm Partia dhe askush më tej. Tek inteligjenca e rinia ka bindje të patundur te shoku Ramiz Alia dhe mbështetje unanime, siç kërkohet prej tyre ritëm më i shpejtë e i pandërprerë.

Disa kuadro, madje shumë të rëndësishëm, janë transferuar me punë në rrethe të tjera e, megjithatë, nuk i kanë lëshuar vilat në Tiranë. Kjo bie erë të keqe. Pse ndodh kjo? Si po shkon vendimi i Këshillit të Ministrisë për ngushtimin e privilegjeve, që është marrë në muajin gusht? Është fitore që në komunikatën e përbashkët të Ministrave të Ballkanit propozimet më kryesore gjetën miratim të plotë. Studentët e vitit IV të IL Arteve thanë se nuk i njihnin lajmet e shtypit. Kanë vetëm një gazetë për dy godina dhe asnjë altoparlant. Metodistët e rinj, që janë marrë për kohën e lirë dhe edukimin, janë kthyer në kujdestarë të dytë për higjienën e rreckat.

Urgjentisht metodistët duhet të kenë programin e tyre ku në plan të parë të vihet informimi gojor i studentëve për çështjet më kryesore. Organeve shtetërore që i mbulojnë u është bërë prezent shqetësimi, por nuk kanë vënë ujë në zjarr. Duan më shumë kujdestare sesa instruktore. Si do të vejë çështja e Kosovës pas kësaj mbledhjeje të nivelit të lartë? Shumë mirë e ka pritur opinioni ngritjen e problemi të Kosovës nga shoku Ramiz para Lonçarit. Po mbledhim me kujdes edhe opinione, mendime, pyetje e paqartësi të tjera për t’ju njoftuar sërish.

SEKRETARI PARË I KQ TË BRPSH

LISIEN BASHKURTI

Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 714. Komiteti Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë-së (organet udhëheqëse), Dosja 43. Viti 1990.

Please follow and like us: