Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Hila: Shqiptarët nuk e meritojnë Ylli Manjanin

 

Kjo nuk është një frazë ironike dhe as tallëse me z. Manjani, por është mendimi pas reagimeve ndaj shkarkimit të tij. Ndër të gjitha mbizotëronte lloji “mos sha gjellën që hëngre deri tani”.

Është nocioni më parapolitik që ekziston në popullsi dhe shpjegon pse demokracia shqiptare ka nivel të tillë banal. Nuk vjen vetëm për shkak të liderëve tanë apo masës por sepse kështu gjykon edhe shtresa e mesme. Dhe kur njerëzit që e shfaqin janë me orientim politik të majtë dhe kundra Edi Ramës, lë në gojë shijen e baltës se e shumta e njerëzve dhe të majtëve që e kritikojnë kryeministrin, nuk ka lidhje me politikat dhe idetë e Edi Ramës, por pse ky ka preferuar disa të tjerë në vend të tyre.

Nuk rezuton asnjë tentativë për të parë përtej individit Ylli Manjani. Madje ka një lloj kënaqësie që e shkarkuan, pa arsye racionale. Eshtë cmira e pakontrolluar ndaj njeriut që arriti diçka të cilën urrejtësit nuk e kishin aritur. Askush nuk merret nëse qëndrojnë ato që thotë Ylli Manjani, por ka kënaqësi ndaj shkarkimit të tij.

A e ka kritikuar Ylli Manjani më përpara qeverinë? Po, e ka kritikuar, dhe nuk mund të thuhet për të pse nuk foli më përpara. Pse rrinte në qeveri? Nuk ka gjykim më rudimentar dhe primitiv sesa ky.

Dikush hyn dhe nuk del dot se ka frikë apo mbaron punët e veta; dikush vendos të qëndrojë dhe përmirësojë gjërat nga brenda, dhe dikush të iki. Por nuk mund të akuzohet Manjani pse nuk foli. Ai ka folur gjithë kohën. Gjithçka thotë ai për mënyrën si funksionon qeveria dhe qasjet ndaj problemeve, janë të vërteta.

A ishte i shtyrë nga Ilir Meta? Ka shumë gjasa që ka qenë i mbështetur, pasi Ylli Manjani ka qenë kritik i Edi Ramës edhe kur ka qenë pjesë e PS ndaj nuk kishte nevojë ta nxiste kush.

Ylli Manjani nuk është karizmatik. Por është inteligjent. Ka qenë anëtar i PS dhe u largua duke e akuzuar Edi Ramën për qasje të tij ndaj demokracisë së brendshme të partisë dhe pushtetit të cilat sot janë evidente.

Shkoi tek LSI, si çdo njeri që ka të drejtën të vazhdojë karierën e tij politike. Nuk njihet për i korruptuar. Por nuk është një shenjt. Një ditë përpara se Ilir Meta të bënte koalicion me Edi Ramën, nuk linte gjë pa thënë kundër Ramës, për ta ndërruar gjuhën të nesërmen e koalicionit.

E megjithatë aktit të tij të fundit sado bishta ti vihen, ka vlerë. Pas kësaj ne do të kemi më shumë ministra të tredhur, pa zë, pa personalitet që do të jenë vazhdime pa identitet të vullnetit të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

A është Ylli Manjani një hero? Nuk besoj. Ralf Valdo Emerson thoshte se “një hero nuk është më guximtar se një njeri i zakonshëm, por është kurajoz pesë minuta më shumë.”
Edhe unë besoj se nuk është hero. Eshtë njeri i zakonshëm që ka folur ndaj problemeve që ka qeveria pesë minuta më shumë se të tjerët që nuk flasin fare. Por ndoshta nuk duhet ta kishte bërë fare.

Please follow and like us: