Albspirit

Media/News/Publishing

Kush po e rrënon Shqipërinë?

Enver Robelli
Shqipëria e vitit 2017: një kandidat i padenjë u zgjodh president, zgjedhjet parlamentare janë në rrezik dhe kakofonia politike aq e zhurmshme, saqë mund t’i çmendë – sërish – njerëzit normalë.
 Politika në Shqipëri nuk është garë mes argumenteve më të mira, por luftë pothuaj për jetë a vdekje. Janë dy grupe politike: njëri bart etiketën “socialist”, tjetri “demokrat”. Me socializëm dhe demokraci kanë pak të bëjnë këto dy grupe. Nuk janë as parti normale politike. Në faza të caktuara të veprimtarisë së tyre publike më shumë u ngjajnë zyrave për përfaqësim të interesave partikulare, në rastin më të keq dirigjohen nga bandat parapolitike, oligarkët lokalë, baronët e drogës.

Kompromisi është i panjohur për klasën politike shqiptare. Kundërshtar politik është vetëm ai të cilin arrin ta pengosh me gati çdo mjet të palejueshëm për të ardhur në pushtet. Andaj lufta për të mbrojtur pushtetin ose për të luftuar atë (varësisht nga perspektiva) është e përhershme dhe e pamëshirshme. Nuk ka ngurrim në këtë betejë. Nuk ka maturi. Nuk ka urtësi. Ka zhurmë, kërcënime, akuza të rënda, shpifje edhe më të rënda. Arenë e kësaj shfaqjeje, kësaj maskarade është Parlamenti, tempulli i përfaqësimit të popullit. Polarizimi i tejskajshëm mes poleve politike paralizon shoqërinë. Kështu është, në të vërtetë, që nga rënia e komunizmit. Një gjendje e jashtëzakonshme që s’pezullohet kurrë, sepse klasa politike shqiptare, me ndonjë përjashtim të lavdërueshëm, është e paemancipuar, madje refuzon të emancipohet.

Në pranverën e vitit 2017 Shqipëria e lodhur nga krizat shpeshherë banale politike rrezikon të fundoset thellë e më thellë në kaos institucional. Tashmë është dashur të gjejë para disa muajsh disa kandidatë të denjë për postin e presidentit. Opinioni do të duhej të diskutonte për kandidaturat, për biografitë e tyre, për përshtatshmërinë e tyre për të qenë figura unifikuese, për imazhin e tyre në arenën ndërkombëtare. Kur edhe posti i presidentit është pjesë e pazareve politike, atëherë brenda një pasditeje, ashtu shpejt e shpejt, i lëshohen dy certifikata kandidatit tashmë president, ku thuhet: i pastër ka qenë në komunizëm, i pastër edhe pas rënies së komunizmit. Çdo shqiptar që ka fiqir e di sa emri dhe mbiemri i presidentit të ri të Shqipërisë janë vetëm dy fjalë toksike që përshkruajnë humnerën shqiptare të korrupsionit. Shefi i kësaj kazinoje tani pritet ta përfaqësojë unitetin e popullit.

Vijnë e shkojnë emisarë nga Evropa, flasin e bërtasin ambasadorë në Tiranë, shkruajnë e kritikojnë media të rëndësishme ndërkombëtare, por, me nder me thënë, elitat politike të Tiranës vazhdojnë të sillen me papërgjegjësi tribale. Opozita kërkon qeveri të përkohshme, e cila do të përgatiste “zgjedhje të ndershme”, qeveria refuzon, duke premtuar se është vetë në gjendje të organizojë zgjedhje. Siç dihet, zgjedhjet janë aventurë e ankthshme në Shqipëri. Që nga fillimi i viteve ’90 asnjë palë zgjedhje nuk kanë kaluar pa akuza për vjedhje.

Në këtë mes është vështirë të përcaktohet se kush është engjëlli dhe kush është djalli në politikën shqiptare. Kur shefi i partisë më të madhe opozitare flet për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe luftimin e korrupsionit, s’ka se si mos të na kujtohet se ai ka qenë në pozita të rëndësishme kur mediat zbuluan aferën e supozuar korruptive në lidhje me ndërtimin e “Rrugës së Kombit” (e cila s’ka përfunduar sot e kësaj dite). Drejtësia e padrejtë shqiptare e mbylli në konservë këtë lëndë të trashë. Kur shefi i partisë më të madhe opozitare flet për transparencë, përpara na shfaqen retë e frikshme mbi Gërdec. Kur shefi i partisë më të madhe opozitare flet për polici të dirigjuar nga Qeveria socialiste, shumëkujt mund t’i kujtohen emrat e katër qytetarëve të vrarë gjatë protestës së socialistëve në vitin 2011.

Kur kryetari i Qeverisë dhe i Partisë Socialiste lavdërohet me arritjet e mëdha gjatë mandatit të tij, duhet cituar arritjet që ia numëron gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”: “I mbështetur në një shumicë solide në parlament, (Edi) Rama premtoi se do të kujdeset për sistem transparent, për zbatim të reformave radikale, sidomos në drejtësi, dhe për zhvillimin e një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në fund të mandatit të tij nga kjo kanë mbetur vetëm fjalët boshe. Shqipëria prin në Evropë me prodhimin e kanabisit. Pavarësisht disa operacioneve spektakulare të policisë, me ç’rast janë djegur plantacione me kanabis, fushat e mbjella janë shtuar dhe po shfrytëzohen edhe më intensivisht, mes tjerash, me farën e bimëve vietnameze, të cilat rriten shpejt. Me prodhimin e hashashit rritet edhe ndikimi i baronëve të drogës, të cilët kanë mjaft para për të korruptuar politikanë, gjykatës dhe policë. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, po shndërrohet në rrezik për sigurinë”.

Ky fatalitet i neveritshëm, ku e kanë hedhur Shqipërinë politikanët e të dy partive të mëdha dhe shpërndarësi i sheqerkave Ilir Meta, ka një kosto të lartë: rënien në nihilizëm të shtresave të gjera shoqërore. Mbi 25 vjet pas rënies së komunizmit mijëra shqiptarë mendojnë vetëm të largohen nga atdheu i tyre, madje edhe duke shpikur rrëfime se po përndiqen nga shteti.“Ç’është ajo gjë brenda nesh që gënjen, vret, vjell?”, pyeste në vitin 1833 dramaturgu gjerman Georg Büchner. Një pyetje aktuale edhe sot për grupet politike shqiptare me etiketat “PS” dhe “PD”./koha.net

Please follow and like us: