Albspirit

Media/News/Publishing

Aleksander Meksi: Letra ime për Berishën ku i kërkoja mbylljen e piramidave

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Aleksandër Meksi, në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku ka folur për prapaskenat e ngjarjeve të vitit ’97 dhe problemin që lindi nga firmat piramidale. “Në Vlorë vetëm një depo mbeti pa hapur, ku nuk funksiononte qeverisja. Thuhet që te Pusi i Mezinit, regjimenti i Xhenios, ku komandanti i të cilit tha “jo, depot nuk do hapet” nuk vajti njeri me zor. Ndërsa tërë të tjerët qenë me armë” kujton Meksi.

Çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë keq ne shqiptarët? Pasi në kohën kur keni ardhur ju në pushtet, ka qenë pothuajse e njëjta situatë si të rithemelohej shteti?

Kur e kam marrë unë pushtetin, ka qenë një përmbysje dhe kemi filluar nga e para, megjithëse të gjithë kryeministrat këtë thonë. Gjatë viteve kur kam udhëhequr unë kapërcyem gjendjen e vështirë për shkak të seriozitetit të reformave. Këtu qeveria merret me punën e mëparshme, jo me të vetën. Të gjithë njerëzit po t’i vësh t’i bëjnë gjërat së dyti do t’i bënin ndryshe. Zotësia është të ndërrosh rrugë, kur e kupton që je gabim.

Për çfarë jeni krenarë për kohën kur keni qenë Kryeministër?

Kam harruar që kam qenë Kryeministër. Ka qenë një detyrë e imja dhe ato 5 vjet në moshën time janë një e treta e kohës.

Pse ju nuk i hapët dosjet?

Ne e morëm qeverinë kur shqiptarët nuk kishin bukë të hanin. Edhe kjo qeveri ka dy vite e gjysmë dhe s’i ka hapur. Ne morëm në dorëzim arkivat, filluam t’i sistemojmë dhe vetëm pas këtij procesi mund t’i hapnim. Ne filluam lustracionin, këtu gënjehet opinioni publik. Për t’u hapur dosjet, ato duheshin sistemuar. Shifrat që jepnim ne, jepen dhe sot. Shumica e dosjeve janë likuiduar.

Sa është numri i dosjeve të zhdukura?

Thuhet që janë 29 mijë të mbetura.

A arritën agjentët e Sigurimit të Shtetit të ishin afër jush dhe ju i keni zbuluar? A ishin aktivë?

Edhe kishte dhe ne bëmë një pastrim të tyre dhe për këtë na kanë sharë dhe vazhdojnë të na shajnë, sidomos kur gjen ndonjë libër të Fredi Abrahams që ankohen për këtë punë.

Një nga thëniet tuaja në maj ‘97 me Fevziun, ju keni thënë “unë jam i gatshëm të shkoj kudo në Vlorë, nuk jam nga ata që trembën. Nëse demokracia vjen duke vrarë Meksin, gabohen”…

Dihet që unë atëherë dilja rrugëve të Tiranës pa rojë, që atëherë dhe deri sot. Unë gjithnjë kam dalë nëpër Shqipëri e jashtë pa roje. Frikë kanë ata të cilët kanë bërë mëkate, që kanë dhunuar njerëz, unë vetëm kam zbatuar ligjet e shtetit, asgjë më tepër.

A keni bërë ju ndonjë gabim në qeverisjen e 5 viteve?

Nuk e bëmë që në fillim ligjin e lustracionit, por e zbatuam pa e bërë si ligj. Dhe dyta nuk patëm mundësinë në çështjen e pronave. Them që vepruam mirë në trajtimin e të përndjekurve. Mund të kishim luftuar më shumë jashtë për ndihma për shfrytëzimin e pasurive shqiptare.

Mund të na tregoni momentin kur ju keni mbajtur fjalimin në Moskë, jeni i pari Kryeministër që ka folur rusisht dhe me Kryeministrin rus…

Kemi folur rusisht me Kryeministrin rus, sepse ne kemi mësuar rusisht edhe në libra. Delegacioni shqiptar ka qenë me pak njerëz, në pritjen që u bë unë fola rusisht. Fjalimin e kisha në shqip, ia kishim dhënë atasheut kulturor, një burrë i shkurtër me syze. Ai e shkroi me makinë shkrimi, ne nuk kishim makinë shkrimi dhe ai e ktheu rusisht. Unë e kontrollova ajo që thosha unë, dhe sa fillova fjalimin, ata u habitën që ishte në rusisht dhe më duartrokitën me shumë për qejf. Tërë fjalimi u mbajt në rusisht..

Ju keni thënë që ishin sebep fajdet, por fajdet nuk iu rrëzuan. Nëse ndokush kërkon luftë civile, është detyra e qeverisë që t’i kundërpërgjigjet për të ndaluar luftën civile. Mund t’i rikomentoni këto dy thënie?!

Pasi u qetësua Shqipëria në zgjedhjet tejet demokratike të kallashit të ’97-s. Nuk dëgjuam një herë pse po ndahen para, apo pse s’po na jepni para, pra kuptohet që nuk qe një problem parësor për ato që ndodhën. Mënyra se si u bë, tregoi që kishte një sfond politik dhe vendet që u bënë trazirat. Dhe ata që u treguan aktivë, dihet që ishin me sfond politik. Populli me të drejtën e tij ishte disponibël për paratë. Pati një reagim ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare, zgjidhja nuk qe e përshtatshme. Sigurisht do të duhet dhe njëfarë kohe sa të hapen dokumentet, siç tha edhe Fred Abrahams.

Ish-presidenti Berisha ka thënë që një nga përgjegjësitë e mia janë lejimi i fajdeve. A jeni dakord?

Unë jam nga ata që kërkonin mbylljen e tyre sa më shpejt. Gabim i qeverisjes së PDsë ishte sepse nuk i mbylli. Unë kam luftuar që të mbylleshin.

Po pse nuk i mbyllët, zoti Meksi?

Nuk varej nga unë mbyllja e tyre. Me ligjin e shkurtit ’96, pas interesimit në fund të dhjetorit për t’u njohur me këtë fenomen, se nuk e dinim ç’bëhej. Unë s’e dija. I kërkova Gazidedes, Vrionit e Junikut të më informojnë, në dhjetor të ’96. Dhe më 15 a 16 janar Gazidedja me një raport shumë të hollësishëm, pastaj më vonë u përgjigjen të tjerët. Ka pasur mbyllje në prill-maj dhe gjyqe në qershor dhe korrik. Ato u rizhvilluan kur ndërkombëtarët kërkonin mbyllje dhe ndërkombëtarëve iu premtua mbyllja. Dhe meqenëse nuk po mbylleshin, unë bëra një letër dhe iu drejtova Presidentit, ministrit të Financave dhe guvernatorit, i cili me ligjin e shkurtit kishte vetëm ai të drejtë të vepronte në tregun financiar. Dhe unë atëherë u thashë mbyllini sa më shpejt grupin e parë, që janë puro fajde dhe nuk investojnë. Dhe së dyti, menjëherë për të marrë masa që të vihet rregull në aspektin ligjor. Nuk u bë asgjë, por u shty dorë pas dore. Transparenca është shumë interesante, por derisa nuk bëhet duket që dikujt nuk i pëlqen.

Një nga teoritë është se shërbimet e huaja shtetërore kanë faj për atë çfarë ndodhi këtu?

Të tilla gjëra ka pasur. Kishte dhe krerë të shërbimit sekret që, para trazirave kanë bredhur nëpër Shqipëri. Nuk e përjashtoj këtë mundësi, por ne gjithmonë fajin kërkojmë ta gjejmë te të tjerët. Po të kisha fotografi, do ta thosha se kush ishin. Ka dezinformim për këtë periudhë dhe dezinformimi bëhet për të mbuluar diçka. Po të marrim një shembull, thuhet pa fund që Sali Berisha i hapi depot në 1997-n. Në Vlorë vetëm një depo mbeti pa hapur, ku nuk funksiononte qeverisja. Thuhet që te Pusi i Mezinit, regjimenti i Xhenios, ku komandanti i të cilit tha “jo, depot nuk do hapet” nuk vajti njeri me zor. Ndërsa tërë të tjerët qenë me armë.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, ka thënë se nëse dikush tenton të hapë një dosje për marsin e 1997-s, do hapë dosje të re dhe s’ka për ta marrë vesh askush. Si e komentoni?

Opinioni i tij më vonë ka ndryshuar. Në biseda me ne, kur filloi të thoshte disa gjëra, ashtu si dhe ne dimë shumë sende. Ka mosdëshirë për të mos e përmendur atë periudhë. Historia ka treguar se ne po merremi me ato që kanë ndodhur 2 mijë vjet më përpara.

A lidhen ato që ndodhën në Shqipëri me ato që ndodhën në Kosovë?

Jo, kjo nuk ka lidhje. Sigurisht që kishte trazira për destabilizim të Shqipërisë, dhe siç thuhet, që shërbimi sekret i fqinjëve tanë qe i interesuar për trazirat për instabilitet të qeverisjes në Shqipëri. Kjo është fare e qartë.

Si po qeveris e majta?

Thotë se po qeveris si e majtë. Po në qoftë se u pret korrentin atyre që s’kanë bukë të hanë, kur në asnjë vend të botës nuk pret korrentin, nuk është e majtë.

Si është Rama si Kryeministër?

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues i një koalicioni. Asnjë nga kryeministrat pas ‘90 nuk është i njëjtë me të tjerët. Por unë aktualisht nuk e ndjek politikën, merrem me të tjera gjëra.

Si funksionon koalicioni PS-LSI?

Thuhet që po bëjnë reformë për ndryshimin kushtetues. Në demokraci, Kushtetuta ndryshohet me gjithëpërfshirje, nuk mund të bëjë ndryshime kushtetuese vetëm njëra palë.

Po atëherë pse e bën Kryeministri këtë?

Si thotë nuk e kam lexuar fare draftin, ua kam lënë ekspertëve? Shteti ndërtohet nga politika, dhe jo shteti në funksion të politikës. Atëherë të heqim Parlamentin, të marrim disa ekspertë të vendosin dhe të firmosë noteri.

Do të ndryshojë Shqipëria nga miratimi i Reformës në Drejtësi?

Konsensusin e arrijnë palët, jo mbi tekstet e ekspertëve. Ekspertët punojnë për palët. Palët u kërkojnë ekspertëve të tyre, që janë të paanshëm, që na thoni si duhet bërë kjo. Ekspertët nuk duhet të kenë konflikt interesi, d.m.th. duhet të përcaktojnë si duhet të jetë gjyqtari. Nuk iu tha opinionit publik se si janë ndërtuar në vendet e tjera Gjyqësori, si Franca, Italia, Gjermania…

29/03/2013

Please follow and like us: