Albspirit

Media/News/Publishing

Spartak Ngjela: Shqipërinë territoriale që po rivlerësion veten, nuk ka forcë që as ta pengojë ushtarakisht dhe as ta shesë më politikisht

Sot në 2 korrik 2017 bëhen plot 27 vjet qëkurse Ibrahim Rugova shpalli deklaratën e pavarësisë së Kosovës.
Shumë ujë ka rrjedhur që atëherë, por gjithçka në një sens pozitiv. U krijua UÇK, u hodhën në veprim guerilet e famshme të UÇK-së, u krijua aleanca amerikano- kosovare, u bombardua Jugosllavia; NATO shkëputi Kosovën nga Jugosllavia, dhe Kosova u shpall shtet i pavarur.

Ndërkohë filloi dhe fermentimi i shqiptarizmit aktiv në Maqedoni: triumfi i gjuhës shqipe si gjuhë shtetformuese, po vjen dhe atje.

E gjithë kjo i ka dhënë shqiptarëve në botë sot vendin e mohuar prej shekujsh. Gjithmonë copëtim, gjithmonë mohim i gjuhës shqipe , përçarje dhe dasi, dhe gjithmonë kundër shqiptarëve e në favor të sllavëve dhe grekëve – dhe gjithçka kundër popullit më të vjetër në Ballkan.

Ndryshimi drastik i Kosovës ka sjellë me vete lartësimin drejt historisë së vërtetë të shqiptarëve: po hapen arkivat e mbyllura, po rishkruhet historia e Shqipërisë arbërore; kurse aleanca shqiptaro amerikane që është në akt, ka krijuar ndërkaq trekëndëshin klasik të botës shqiptare në Ballkan: Tiranë- Prishtinë-Shkup.

Kjo është në fakt arritja historike e Shqipërisë territoriale.

E gjitha kjo rrjedhë që filloi me deklaratën Rugova dhe mbaroi me Pavarësinë e Kosovës që e shpalli Hashim Thaçi në 17 shkurt 2008 në Prishtinë, ka qënë në fakt rruga e ngritjes së re të Arbërisë klasike.

Dhe e gjithë kjo, vjen dhe kurorëzohet me Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Lufta antikorrupsion që konkretisht me emra fillon këto muaj, do të krijojë terrenin solid të ristrukturimit juridik të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe do t’i japë fund përfundimisht tregtisë së pistë të shitjes së interesit kombëtar shqiptar.

Shqiptarët nuk duhet të jenë më as pesimistë dhe as mosbesuesë. Gjithçka do shkojë në vendin e vet historik. Shqipërinë territoriale që po rivlerësion veten, nuk ka forcë që as ta pengojë ushtarakisht dhe as ta shesë më politikisht.

Please follow and like us: