Albspirit

Media/News/Publishing

Robert DUNIER: FSHATARËT ORTODOKSË SHQIPTARË NË GREQI NË 1912 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Robert Dunier, që firmos reportazhin e mëposhtëm, është pseudonimi i dramaturgut dhe poetit francez Léon Charpentier, i njohur njëkohësisht për shkrimet e tij politike e psikologjike gjatë vitve 1900-1913 në disa revista të njohura të kohës, si “Mercure de France”, “Nouvelle Revue Rrançaise”, “Journal des Voyages”. Autori ka ndjekur nga afër ngjarjet e Ballkanit në kohën e venitjes dhe të shuarjes së Perandorisë osmane. Është i njohur për ne shqiptarët për shkrimin e tij të bukur “Festa e luleve për heroin kombëtar shqiptar”, shkruar më 1910, ku vë në dukje se kjo festë organizohet në Shqipëri çdo fillim Bajrami, me qëllim që vashat bukuroshe të hedhin lule nga bedanat e kalave për të kremtuar “kujtimin dhe kreshnikëritë e Heroit të Madh Kombëtar që çliroi Shqipërinë nga zgjedha e turqve”.

Në shkrimin që pason, Dunier, duke u nisur nga ideja dhe frazeologjia e gabuar e kohës se përkatësia fetare si teokraci, përcakton njëkohësisht edhe përkatësinë etnike, gjë që çonte ujë në mullirin e politikave shoviniste të megali-idesë, i quan fshatarët ortodoksë shqiptarë “fshatarë greko-shqiptarë”. Po ashtu, duke mos bërë dallimin e shqiptarit mysliman nga shqiptari ortodoks, në mënyrë mjaft të turbullt, ai i sheh gegë e toskë si “raca të ndryshme”, me/pa gjuhë të njëjtë dhe shpesh, me sa duket, ngatërron malësorët e Labërisë dhe të Bregut me gegët e Veriut të Shqipërisë, pa patur nocione të qarta etnike për kombin shqiptar. Nisur edhe nga fotot e botuara në revistën “Journal des Voyages”, që ilustrojnë reportazhin e tij, e shohim gjithashtu me vend të sqarojmë se mjalti për të cilin bëhet fjalë këtu duhet të jetë mjalti i Bregut, i Llogarasë, i Çajupit, etj. dhe jo mjalti i Tropojës apo Valbonës. Po ashtu, shtëpitë-kulla të shqiptarëve në rrethinat e Athinës, për të cilat flitet në artikull, duhet të jenë të ngjashme me ato shtëpi të dikurshme fortesa të Himarës, Vunoit, Qeparoit, etj., gjurmët e të cilave i shohim sot e kësaj dite atyre viseve, në ato shtëpi rrënojë, tashmë të braktisura, por që flasin aq shumë në/për Histori. Më në fund, shohim se autori e mbyll shkrimin me një valle labe a himariote, të shoqëruar nga kënga polifonike, duke përdorur këtu termin “brokovalas”, që e ka huazuar, me sa duket, nga bashkëpatrioti i tij Cyprien Robert, i cili flet gjatë për shqiptarët në veprën “Bota greko-sllave” e vitit 1842.  Dhe për ta bërë edhe më të shijshëm reportazhin e tij ekzotik, autori nuk mungon të na shfaqë, në mbyllje, “dashin në hell”, si një element tipik i kuzhinës shqiptare. / Fotaq Andrea.

Shqiptarët ortodoksë – reportazh i vitit 1912
Ç’ka haset më pak në Greqi, janë grekët; dhe ç’ka gjendet më shumë, janë shqiptarët. Jo më larg se tre kilometra nga Athina, ka fshatra të banuara tërësisht nga shqiptarët. Shtëpitë në ato anë janë të ndërtuara sipas stilit shqiptar, nëse do t’u njihnim një stil atyre ngrehinave të çuditshme.
Çdo shtëpi është një fortesë e shpuar nga frëngjitë. Dalimi është se në fshatrat e Greqisë, shqiptarët u kanë dhënë këtyre frëngjive njëfarë ngjashmërie me dritësoret.

Këto shtëpi-fortesa janë me plitharë. Secila, për aq sa mund, është e mënjanuar, ngritur majë një suke. Kanë një palë shkallë që befas vijnë e përfundojnë në ajri, dhe për të arritur gjer te pragu, duhet përdorur një shkallare e lëvizshme.

Është kjo një mënyrë se si fshatari grek apo shqiptar mbrohet ndaj kusarëve që gëlojnë në krejt vendin dhe po në këto shtëpi, ai vetë sjell edhe plaçkën që ka rrëmbyer gjetiu.

Megjithatë, jo të gjitha shtëpitë ortodokso-shqiptare janë fole të tilla fajkonjsh. Disa ngjasojnë me konakët e qyteteve dhe disa janë pothuaj konakë-haure, ku dalin e hyjnë paqësisht kope me qé e bagëti.

Në kësi konakë të llojit çiflig ka dritare të vërteta, po prapë, ato janë pa xham dhe në dimër i veshin me kartona; megjithatë, kanë edhe kanate.

Por ndodh kryesisht në tregje ku sheh të shpërthejë dukshëm sundimi i racës shqiptare ndaj racës helene.

Tregjet janë të pushtuara nga shqiptarët. Vetë banorin e Greqisë e sheh të veshur me kostumin mjaft të errët të helenit bashkëkohor: qillota të zeza, kaftan i murrët, feste e kuqe apo e bardhë. Kurse shqiptari që zbret nga malet atërore për të shitur këtu prodhimet e veta, vishet me xhamadanin e shkëlqyeshëm gjithë mëndafshe e qendisma në fije ari dhe me qillota kadifeje gjithë ngjyra të shndritshme.

Tek shet lëkurë kafshësh, vaj, kripë, dyll, lesh, mëndafsh, lin, e sheh shqiptarin të shpalosë gjoksin dhe në brez i duken dy pinjallë me doreza gjithë telish, që luajnë përgjithësisht një lojë shumë aktive në kësi takimesh.

Sepse midis grekëve e shqiptarëve jo të pakta janë rastet kur ka keqkuptime e zënka që përfundojnë me përleshje. Madje shqiptarët zihen e ndeshen edhe me shoshoq. Ngaqë edhe vetë shqiptarët janë një pleksje, ose më mirë të themi një antitezë e dy racave, që nuk kanë as edhe të njëjtën gjuhë, ose të paktën që i shqiptojnë aq ndryshëm të njëjtat fjalë, sa biseda mes atyre njerëzve është pothuaj e pamundur.

Në fakt, këta shqiptarë që grinden dhe zihen në tregjet greke vijnë nga Veriu dhe nga Jugu i Shqipërisë. Në rastin e parë janë Gegë; në rastin e dytë janë Toskë. Por, si njëra palë dhe tjetra përfshihen brenda një tipi njerëzor. Gegu e ka mjekrën të dendur dhe sytë zioshë; Tosku e ka syrin të përhimë a kaltërosh, leshrat verdhane, vetullat e holla, gjoksin të dalë dhe fytyrën vezake.

Gegë e Toskë, me të njëjtin zell, i dëgjon tek bërtasin në treg, gjithkush duke shpallur epërsinë e mallit të vet. Madje ka nga ata që e bëjnë reklamën edhe në mënyrë poetike, aq të denjë sa vetë rapsoditë homerike.

“Hajde, mjaltë nga bletë punëtore që kullot në lëndina plot lule buzë detit me valë.  Mjaltë më të shijshëm nga ky s’ka!”

Është tregtari tosk që flet kështu.

“Ç’thua, o i pacipë! – ia kthen aty për aty tregtari geg. – Na e paske ti më të mirë nga mjalti i bletëve që kullosin në malet tona të shenjta? Më mirë qepe, o byrazer, se ku mjalti tënd, ku i imi!”

E, teksa klienti rrudh buzët për të mos pranuar si njërin, si tjetrin mjalt, dy shqiptarët kundërshtarë zënë e zihen në tregun grek dhe në fund qisin pinjallët duke iu lëshutur shoqi-shoqit.

Dhe në përleshjen e tyre grykë më grykë, duke u shtyrë e duke u goditur, mjalti e njërit dhe i tjetrit bie përtokë dhe shkelet me këmbë. Shuhet kështu bashkërisht lavdia e bletëve malësore dhe e punëtoreve të zellshme të Bregut.

Por, nëse ndonjë grek, lakmues e grabitës në çdo kohë i pasurisë së tjetrit, do orvatej të rrëmbente mbeturinat e ëmbëlsirave gatuar me mjaltë, në çast gegu e tosku, shqiptarë që të dy për nga raca, do bëhen bashkë kundër vjedhësve dhe nis atëhere një kasaphanë e vërtetë.

Andaj pra, kur shkohet në treg, ia vlen të jesh i armatosur, si të nisesh për luftë.
Pazaret e mëdha të stinës së verës zgjasin disa ditë. Në këtë rast, shqiptarët fushojnë jo larg mallit të tyre. Gatuajnë qullin e misërt dhe mishin me lëng, që ata e quajnë jahni, apo supën e peshkut; pasandaj shtrihen mbi abatë e tyre, bërruca me lesh dhije apo me lëkurë dhensh.

Caktojnë roje për të ruajtur mallin dhe po qe se ndonjë vjedhës guxon të rrëmbejë diçka mbi tezgat shqiptare, kapet në vend dhe veç plumbi e pret, pa kurrfarë gjyqi.

Sapo “agu me gishtërinjtë e tij të trëndafiltë flakëron horizontin dhe ndriçon magjishëm” tregun dhe kampin e shqiptarëve ortodoksë, ata që nuk banojnë në Greqi, por që kanë ardhur nga Shqipëria për të shitur produktet, mblidhen në kor dhe ia nisin brokovalles, apo marshit ushtarak kombëtar i cili, edhe në vetë kohën e Skanderbegut, ishte tashmë i një lashtësie që nuk mbahet mend në rrjedhë të Historisë dhe që disa e çojnë gjer në kohë të Pirros. Kjo këngë, e shoqëruar me hapa të tillë që duken sikur po shpërthehet një sulm, dhe me gjeste nëpërmjet të cilave vringëllohen kamat e thikat, shkakton një efekt tmerrues.

Ja ku shihen në pikë të agut tek shkojnë në treg fshatarë gjysmatarë të varfër, përkundur mbi kafshën e tyre të ngarkesës dhe pasuar nga produkti i tyre i blegtorisë. U shkojnë të dridhura nëpër trup tek ndjejnë nga larg britmat luftënxitëse. Një numër buajsh janë renditur në dalje të çifligut ku ndodhemi, gati për të marrë rrugën e tregut, ia japin të pëlliturit një pas një, me pamje të trishtë a kërcënuese.

Si kanë ikur burrat në treg, gratë mblidhen edhe ato kokë më kokë me merakun e madh se mos plasë gjatë ditës sherri midis burrave. Në palën shqiptare, gratë shihen si më të qeta; sepse jo vetëm që ato i shoqërojnë burrat e tyre gjer në treg, por mbajnë madje edhe peshat më të rënda, kur burrat shihen të ecin përpara krenarë, krahët të lira, në një qendrim prej kapadaiu, para të cilëve gjithçka epet. Por fakt është që këtu, tek helenët, shqiptarët nuk i përdorin kurrë gratë për punë të rënda dhe as që i trajtojnë si skllave, aspak.

E teksa i lashti Febus-Apolon është lartuar në qiell, brokavallja tani është ndalur. Ata këngëtarë të zhurmshëm kokë më kokë e kanë përfunduar këngën dhe i sheh tani të mblidhen përreth keçit duke u pjekur në hell, që është në fakt o një dhi, o një dash, që shërbehet i tëri dhe copëtohet shkathtësisht nga thikaçët e shpejtë për të përfunduar në çast në stomakët e uritur pas mbarimit të brokovalles.

Tregtarët e pasur grekë, për t’u dalluar nga shqiptarët ortodoksë pëlqejnë të shkojnë në treg me veshje perëndimore, me pantallona deri te syri i këmbës, setër moderne dhe borsalinë prozaike. Po prapë, i druhen disi brokovalles.

Journal des Voyages, e diel, 21 korrik 1912.

Please follow and like us: