Albspirit

Media/News/Publishing

Virgo et non corrupta


 

Kryeministri Edi Rama publikoi dje një listë me 100 emra, që janë denoncuar për abuzime në administratë. Pjesë e listës së publikuar nga kreu i qeverisë është edhe emri i mjekut të njohur, Mentor Petrela.

Edhe pse i njohur ndërkombëtarisht, neurokirurgu është denoncuar nga qytetarë anonimë pas kërkesës publike të kryeministrit Rama për të denoncuar këdo në administratë që ka bërë shkelje.

Shefi i Neurokirurgjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, profesor Mentor Petrela, u zgjodh në shkurt 2014 ndër 100 kirurgët më të mirë të botës.

Për vite me radhë, Mentor Petrela ka qenë pjesë e strukturave botërore akademike, duke dhënë kontributin në kërkimin shkencor nëpërmjet publikimeve, nëpërmjet ligjërimit në konferencat e mbajtura gjatë këtyre dekadave.

Po çfarë ka thënë doktor Petrela për reformat e ndërmarra nga qeveria Rama në katër vitet e para. Si e ka vlerësuar ai testimin e mjekëve dhe si e komenton korrupsionin në sistemin shëndetësore.

Në një intervistë për DITA në dhjetor 2016, doktor Petrela thotë se vetëm virgjëresha nuk është e korruptuar.

Më poshtë një pjesë e intervistës së doktor Petrelës dhënë për gazetaren Entela Resuli më 9 dhjetor 2016…

 

Qeveria ka ndërmarr disa reforma me të cilat pretendon ta ndryshojë sistemin shëndetësor, në gjykimin tuaj ka ndonjë efekt pozitiv?

Qeveritë kanë prioritetet e tyre në një farë mase të diktuara nga ndërkombëtarët me sa di unë me monitorimet lokale dhe të agjencive të specializuara që ata kanë. Në shëndetësi është realizuar përdorimi i gjenerikeve që ka ulur kostot e barnave, check-up si kulturë pasi kontrollojmë çdo vit makinat e jo njeriun, përmirësimet në strukturë dhe infrastrukturë, me sterilizimin e instrumenteve kirurgjikalë, konsulta  dhe në spitalet terciarin, si QSUT-ja  ku jam më afër.

-Ka më shumë se 20 vite që sistemi shëndetësor kritikohet, mjekët shpesh akuzohen, ka mungesë ilaçesh, mungesë shtretërish, mungesë stafi,  mungesë ambulancash… shumë mungesa. Kaq e vështirë është të ndërtosh një sistem shëndetësor funksional?

Mjekësia kudo është sfidë. Reforma Obama, e kam thënë disa herë më parë, nuk është e aplikueshme për kostot në shtetin më të pasur me 16 % të shpenzimeve për shëndetësi që në 2050 mund të arrijnë 25 % të GDP.

Pra, Amerika shpenzon 16% nga buxheti i shtetit për shëndetësinë, ndërkohë që ne e kemi tek 2.5% shpenzimin për shëndetësinë. Pra, të kesh buxhet sa një raketë e Amerikës dhe të kërkosh mjekësinë e Amerikës, është e pamundur.

Nga ana tjetër, nuk janë vetëm mjekët, janë edhe kapacitetet mjekësore. Në Shqipëri sot ka një fakt: nuk na mungojnë mjetet, na mungojnë njerëzit e duhur për t’i interpretuar ato.

Pra sfidat e sistemeve janë të pakonceptueshme në shpenzimet kur njeriu do të jetojë gjatë e të gëzojë shëndet. E drejtë themelore. Jeta nuk ka çmim për ne mjekët, por ekonomistët na mësuan që ka kosto.

Mjekësia nuk mund të merret e veçantë nga zhvillimi i vendit në një sistem të ekonomisë së lirë. ndryshe do të krijonim një sistem mjekësor të “përparuar” si të Kastros me nivel jete si përpara ’90-s tek ne me 10 dollarë në muaj.

Tashmë kuptohet si është zhvillimi i vendit, ashtu do të jetë mjekësia. Ngritja e nivelit të edukimit të shoqërisë do të rrisë kërkesën dhe parandalimin me masat e shëndetit publik për një jetë më të shëndetshme.

-Testimi i mjekëve ishte një politik efikase për të përmirësuar sistemin shëndetësor apo jo?

Mjetet financiare dhe edukimi i vazhdueshëm me kontrollin e nivelit të njohurive në çdo kategori të profesionistëve të shëndetësisë me testime e forma të tjera janë  themelore.

-Përse ka kaq shumë korrupsion në spitalet shqiptare?

“Virgo et non corrupta” (Virgjëresha nuk është e korruptuar), e përdorur nga Vatikani në disa rrethana është ideale. Shteti më i vogël i Europës, Islanda, jo më shumë se 300 000 banorë, ka nivelin më të lartë të korrupsionit. Vendi i vogël, njihen të tërë duke i bërë “ndere” njëri-tjetrit.

Krijohet sistemi, kultura e subkultura shoqërore dhe aplikimi i normave europiane që fenomeni të minimizohet. Roli juaj është i rëndësishëm kur nuk është tendencioz dhe intoksikues në raport me nivelin e zhvillimit të shoqërisë.

-A mund të punojë një mjek edhe në shtet edhe në klinikë private?

“Intramoenia”.  Kam qenë për këtë sistem që e kam trashëguar nga praktika në Francë, por sistemet mikse ekzistojnë dhe janë vullnetet politikëbërëse ato që e vendosin se cili i përshtatet sistemit shëndetësor.

-Kemi vënë re që shumë mjekë janë joshur dhe kanë pranuar të futen në politikë, keni pasur oferta për tu bërë pjesë e vendimmarrjes së vendit, dhe pse keni refuzuar?

Politika me njerëzit merret ashtu si mjekët. Kështu që qasja është e ndërsjelltë. Është ndjellëse për efektet e shpejta, por tashmë edhe në Shqipëri është një profesion. Kam preferuar mjekun atë që në kujtimet e perandorit Hadrien, Marguerite Yourcenar thotë pranoj më mirë rolin e mjekut se sa atë të perandorit.

Please follow and like us: