Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Shkelmi i djathtë i Lopës

 

Lopës i erdhi në majë të hundës: ia derdhi Bashës kusinë e qumështit. Nuk dihet nëse Bashës, si mjelësi i fundit, i ra atij fati i keq ta pësonte këtë ‘’colpo’’ apo ishte përzgjedhur si më i përshtatshmi për të mbyllur ‘’me sukses’’ një cikël të nisur prej kohësh. Nëse ka pasur këtë mision, Bashës duhet t’i jetë vlerësuar si meritë mungesa e emocioneve, pandjeshmëria e natyrshme e një adoleshenti të ‘’birësuar’’ vonë në këtë familje, pa rrënjë, pa origjinë, pa kujtime e histori pëdëiste. Kushedi! Të vërtetat e tilla janë gjithnjë të thella e të padukshme. Por, Lopa nuk e vrau mendjen shumë. Ajo i ra shkurt: i dha shkelmin kusisë. Dhe s’kemi të drejtë ta gjykojmë. E katandisur kockë e lëkurë pas një mjeljeje të gjatë në kushte ‘’moderne’’ manipulimi, ajo u telikos fizikisht e moralisht duke mbllaçistur silazhin virtual të lirisë, drejtësisë dhe europianizimit, u marramend mes përrallave për kullota imagjinare, pa gjahtarë e ujq. Zhgënjimi ishte tepër i hidhur.
Po ç’po ndodh realisht tani? A do të ringrihet PD për t’u rikthyer në origjinën e vet, në atë parti shpresash që në dhjetor 90 frymëzoi mbarë popullin për të hedhur poshtë diktaturën? A do ta rigjejë kauzën e braktisur të së djathtës, duke rikthyer së pari demokracinë e vet të brendshme para se të premtojë demokraci për gjithë shqiptarët? Më thjesht: a ia ka me sinqeritet Lopës apo i duhet vetëm koncensioni i qumështit?
Shpresojmë, por ka pak gjasa që kjo të ndodhë shpejt. Deri tani në polemikën e nisur mes dy grupesh rivale, asnjëra palë nuk i qaset së vërtetës për humbjen e 25 qershorit. Basha ia faturon humbjen blerjes së votave dhe kanabisit, ndërsa ‘’kritikët’’ e gjejnë kryesisht tek ‘’aksidenti Basha’’. Të dy palët kujdesen të prekin sipërfaqen, të gudulisin lëvoren, pa hyrë në thelb të problemit, aty ku vërtet dallohen politikanët dinjitozë që dinë të ngrihen edhe kundër vetvetes për të shkuar te rrënjët e së keqes, nga raca e rëndomtë e demagogëve. Sepse e keqja nuk erdhi befasisht, e keqja ndoqi ciklin e vet si çdo sëmundje.
Fjalët e bukura për ringritje dhe bashkim deri sot tingëllojnë hipokrizi, hapat hidhen drejt përçarjes. Fakti që Basha, pa ia bërë syri tërr nga rrokullima e pa ia varur askujt, kërkon me këmbëngulje ‘’timonin’’ pastaj të bëjë të ditur rrugën nga do të shkojë, është ogur i keq. Na daltë për mbarë kjo timonomani! PD ka nevojë sot për qetësim dhe përqendrim forcash, i duhet të bëjë një analizë të thellë vetvetes, me sinqeritet reflektues e kurajë për vetëkorrigjim.
Si çdo parti, PD ka një bërthamë elektorale të ngurtësuar, vërtet të rrudhur ndër vite, por të paepur, një bashkësi solide që e përjeton më dhimbshëm se pjesa tjetër humbjen, që kërkon rrugëdaljen nga kjo gjendje, që ushqen shpresën e rimobilizon energji pozitive për ringritjen e PD-së, për rikthimin e saj në origjinë, por gjithnjë me atë vetëbindje sa prekëse aq dhe tradicionale ndaj Liderit, i cili mbetet gjithnjë i pagabueshëm, i pavënë kurrë në pikëpyetje për aftësi e ndershmëri, madje i kërcënuar gjithnjë nga ‘’armiq, ziliqarë, intrigantë dhe tradhtarë’’. Për fat të keq, kjo ndiesi tradicionale ndaj Liderit konsiderohet vlerë, besnikëri, burrëri; ndërsa vënia në dyshim, analiza racionale, ballafaqimi me faktet konsiderohet tradhti, besëthyerje, paburrëri. Është e pafalshme që kjo kulturë politike (tipike lindore) të vazhdojë edhe sot, madje me lidera të rinj, të pretenduar si të ‘’profilit perëndimor’’.
Por koha ecën. Kjo bërthamë elektorale, tipike për partitë shqiptare, vjen gjithnjë duke u tkurrur. Si kudo në botën demokratike, edhe tek ne, jashtë çdo ‘’lavazhi’’ apo ‘’kazani shkrirës’’ partiak po afirmohet individi, njeriu me personalitet e bindje të pavarura. Kjo ‘’specie’’ shoqërore gjithnjë në rritje ndihet e ndrydhur nën ‘’uniformë’’, e mbytur në ambient ‘’kazerme’’. Ajo grupohet në bashkësi të lira (shoqata ose parti) sipas një kontrate bazuar mbi ide e parime të përbashkëta, aty ku e gjen veten si qenie politike, ku respektohet liria dhe ndërtohet një raport i drejtë midis së përbashkëtës dhe individualitetit.
E vërteta është se elektorati i djathtë ka kohë i zhgënjyer nga denatyrimi gradual i PD-së, që sot vetëquhet nominalisht e djathtë, por pa parime dhe ideologji, pa përfaqësues të besueshëm, pa frymë e pa tregues të tillë programorë. Shqipërisë i dalin e i tepërojnë kaq shumë parti të majta, s’ka pse t’i shtohet dhe PD-ja. Ndryshimet ‘’klimaterike’’ brenda PD-së, kanë bërë që disa nga burimet e saj kanë shterur e disa kanë devijuar. Ajo nuk ka ditur t’i ruajë këto burime jetike, ka ardhur gjithnjë duke u larguar prej tyre. Në përpjekje për të ruajtur ‘’bërthamën origjinale’’ të së djathtës (pa bërë thuajse asgjë për të), përdori përçarjen dhe manipulimin e disa krerëve të shoqatave ose duke futur rrallë e tek në parlament ndonjë deputet me origjinë antikomuniste. Por kjo nuk funksionoi gjatë. Ish të përndjekurit politikë dhe pronarët legjitimë hoqën shumë nga diktatura, humbën jetë e prona, por mendjen s’e kanë humbur. Ata i njohin mirë ‘’kllounët’’ e tyre, të zgjedhur thjesht në bazë të ‘’çertifikatës historike’’, por të padobishëm për ta, krejt ‘’jashtëkohorë’’: kokulur kur bëhet fjalë për hallet aktuale të shtresës së tyre dhe të kreshpëruar kur bëhet fjalë për ‘’fushat pa bereqet’’ të historisë. PD duhet të shkojë në bazë e të diskutojë me ta, t’i afrojë e t’u rikthejë besimin, me tregues realë, jo me ‘’fletëlavdërimi’’ për vuajtjet e tyre.
PD është parti e hapur, është bashkëkohore (jo historike), aty ka vend për cilindo që e gjen veten në programin dhe filozofinë qeverisëse të qendrës së djathtë. Por kjo duhet pohuar me qendrime konkrete, me besnikëri programore e statutore, me vepra, jo me retorikë e demagogji. PD s’ka nevojë për ‘’mercenarë’’ që s’kanë asnjë lidhje me kauzën e djathtë, të bashkuar për interesa të ngushta karrieriste, të cilët e kanë zhvendosur PD-në nga pozicioni i saj original. Ajo integron në gjirin e vet shtresa të ndryshme të shoqërisë që, pavarësisht larmisë sociale, intelektuale, krahinore apo traditës së rrethit farefisnor, i bashkon kauza e qendrës së djathtë. Me këtë kontigjent të së djathës bashkëkohore PD duhet të ulet këmbëkryq e të ribëjë kontratën elektorale. Ta heqë nga mendja idenë brezhnjeviane të ‘’partisë së të gjithë popullit’’.

Please follow and like us: