Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Vilson Blloshmi, poeti modern i martirizuar

Image result for yzedin hima

 

40 vjet më parë, më 17 gusht 1977 u vranë nga diktatura komuniste poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Një vend që përçmon të bukurën është i destinuar të jetojë në mjerim, ndërsa kur vret poetët ka plagosur jo vetëm ndërgjegjen e kombit të vet, por ndërgjegjen e njerëzimit në përgjithësi.

Vilson Blloshmi – Poeti modern i martirizuar

Ndërsa vërsulet globi në honin e pamatë / Me njërën faqe ditë dhe faqen tjetër natë. / Dhe zgjuar shpesh bashkoj unë mbrëmjen me mëngjëzë…/ Eh botë faqe-bardhë! Eh botë faqe-zezë!…

Tekstet poetikë të Vilson Blloshmit janë tekste të një poezie moderne, të ndikuara nga poezia shqipe e viteve’30 dhe poezia frënge, të cilën e lexonte në origjinal dhe e përkthente. Ajo nuk është poezi e socrealizmit, qoftë në rrafshin estetik, qoftë në rrafshin kuptimor. Krijimet e tij të gjetura bëjnë pjesë në “Letërsinë e penguar”. Ai ka përkthyer poezi nga Baudelaire, Prudhomme, Mallarme, Racine, Alfred dë Myse, Hygo, Bualo, D’Annunzio. Së bashku me poezitë, në arkiva u gjetën edhe përgjigjet e Vilson Blloshmit dhënë hetuesit, po ashtu edhe ekspertizat letrare të bërë nga kolegë shkrimtarë, të cilët qenë rekrutuar nga policia e fshehtë. Ja një fragment nga përgjigjet e Vilson Blloshmit në hetuesi: “Më 31 gusht të vitit 1975 kam përkthyer nga shkrimtri francez Sharl Bodler poezinë “ I vdekuri i gëzuar”. Aty janë këto rreshta: Në një tokë me pleh dhe me kërmilla plot, / një gropë për veten gërmoj, / ku mund të shtrij eshtrat e mia për kaq mot / e si peshkaqëni në dallgë të pushoj. / Edhe me këto vargje kam dashur të shpreh brengën time.” Disa poezi V. Blloshmi i ka pa tituj. Një nga këto poezi ka një diskurs ekspresionist.Teksti është gjetur në bibliotekën e familjes në një fletë fletoreje. Në këtë tekst ndërtohet një realitet artistik, ku ndihet ankthi, trishtimi për pamundësinë e daljes nga gjendja, mungesën e një rrugëzgjidhjeje dhe sidomos mbizotërimi i absurdit: Hijet e ditë janë gjurma që lë nata. / Shkëlqimet e natës janë gjurmë të ditës. / Ndriçimi i zjarrit ishte aq i madh, sa dukej në të / Hija e korbave që kalonin. / Edhe pse thithim të njëjtin ajër / Dhe pimë të njëjtin ujë, / Njerëzit nuk mund të hanë me të njëjtën lugë / Në pjatën e arsyes. / / Të mbjellim arën me lesh e të bëjmë çorape, / Ose të qethim iriqin. / Sa keq që gjithë dykëmbëshat / Mbajnë emrin njeri /. Në vargjet e parë të tekstit kemi këta emra: Hije, ditë, gjurmë, nata, zjarr, shkëlqim, korba, të cilët emërtojnë dukuri të kundërta si: ditë-natë, hije- shkëlqim, zjarr- korba. Kontrastet e forta dhe antonimitë që ndërtojnë tekstin të bëjnë të mendosh për një gjendje të nderë shpirtërore të autorit. Nata dhe dita ia lënë vendin njera- tjetrës duke ndërruar shenjat e tyre dritë dhe hije. Në tekst dallojmë edhe këto folje: janë, ishte, kalonin, thithim, pimë, hamë, mbjellim, qethim. Në përgjithësi këto folje shënojnë veprime të ekzistencës; si prani: janë ishte, dukej; si lëvizje: kalonin; si veprime jetësore: thithim( të njëjtin ajër), pimë(të njëjtin ujë) nuk mund të hanë( me të njëjtën lugë). Në fund kemi foljet që tregojnë veprime absurde si rrjedhojë e absurdit të pjesës tjetër të tekstit, dukuri e një diskursi ekspresionist: mbjellim arën (me lesh), qethim( iriqin). Ndërsa poezia “Një makth i llahtarshëm” është një klithmë. Ajo është e drejtpërdrejtë dhe disi profetike. Vilson Blloshmi, djaloshi me shije të holla, e ndjen dyfish dhunën e verbër të diktaturës, madje ai dallon dhe shtegun a rrëpirën e afërt ku do të rrëzohet jeta e tij: Një makth i llahtarshëm. / Makth gjumi. / Zgjuar. / Tmerr. / Më bëhet sikur s’do të vdes kurrë. / Medet, sikur njeriu të jetonte përjetësisht. / Sikur t’i ktheja së prapthi vitet e mia, / Por jo për të rënë sërishmi në djep, / Por në arkivol. /
Vilson Blloshmi ishte njëzëtë e pesë vjeç kur e shkroi këtë poezi. Ai ndjen se ka jetuar aq shumë, sa i bëhet se nuk do të vdesë kurrë, ndonëse është mjaft i ri. Përfytyrohet lehtë se pse. Koha rridhte ndryshe për poetin. Ajo përjetohej në një mënyrë krejt të ndryshme nga njerëzit e zakonshëm. Sekonda i përjetohej sa një orë e ora sa një stinë. Gjuhësisht ky tekst është i ndërtuar me elipse, figura të ndërtimit, kur teksti përcjell ankth e shqetësim. Emrat e përdorur janë: makth, njeriu, vite, djep, arkivol. Emrat djep dhe arkivol qëndrojnë pranë në tekst. Njeriu në të dy objektet gjen prehje; në djep përkundjen dhe gjumin për t’u rritur, në arkivol prehjen e amëshuar. Po çfarë gjendet midis këtyre dy ekstremeve të jetës së unit poetik? Në tekst flitet për makth të llahtarshëm, makth gjumi, tmerr. Për Vilson Blloshmin koha fizike rridhte së prapthi (Sikur t’i ktheja së prapthi vitet e mia.) Ai nuk jetonte kohën e tij, por jetonte kohën e të parëve të tij, të cilët qenë kundërshtarë të diktaturës dhe për këtë fakt jetën e poetit e kishin lidhur pazgjidhmërisht me vdekjen e të parëve të tij. Në një poezi tjetër Blloshmi shkruan: Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë, / Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur; / Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë, / Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur. / Poeti e shpjegon këtë poezi në hetuesi, natyrisht duhen marrë me rezervë ato shpjegime, sepse poeti qe përballë një instrumenti të diktaturës. Teksti shpjegon më së miri gjendjen e poetit në ditën e fillimit të shkollës, më një shtator. Ndonëse mund t’i edukonte me pasion fëmijët e fshatit të tij me aftësitë që Zoti ia kishte dhënë pa kursim,Vilson Blloshmi detyrohej të rrinte larg shkollës, në arat e përzhitura të Berzishtës ku mund të mbillje lesh e të qethje iriqin, siç thotë në një tekst të tij poeti. Në këtë tekst uni poetik ndihet gjysëm i gjallë e gjysëm i vdekur, si në legjendat ballkanase. E kishin dërguar në Hades, në bashkëshoqëri me të vdekurit, ndonëse ai ishte i gjallë. Në tekst sërish ndeshim antonimitë : i gjallë – i vdekur. Pikëllimi nuk ka dimension botëror si në poezinë frënge që ai lexonte e përkthente. Pikëllimi ka dimension personal.Uni poetik në tekst e pranon Hadesin, shoqërinë me të vdekurit, por ngushëllohet se: Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë, / Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur. / Vilson Blloshmi para se të dënohej me pushkatim qe dënuar me gjysëm jete dhe gjysëm vdekje nga diktatura. Vilson Blloshmi në përgjithësi në poezitë e tij, i ndikuar thellësisht nga fati i tij, por edhe nga poezia simboliste që lexonte, është i trishtuar. Ai ka një pikëllim estetik, që i shkaktohet nga realitetit ku jetonte, krahas vuajtjeve të tjera fizike e shpirtërore. Duke qënë një shpirt i kultivuar, vuante edhe estetikisht në mjedisin e rëndë. Kjo duket te kërkesa e thekshme për libra artistikë që i bën kushërirës së tij, piktores Lume Blloshmi. Vilson Blloshmi krijoi rreth vetes një botë të vogël me poezi të Baudelaire, Verlaine, Rimbaud, Mallarme, Chateaubriand etj, të cilët i lexonte në origjinal dhe i përkthente. Natyrisht edhe me poezitë e tij origjinale për të cilat po shkruajmë. Vetëm në një nga poezitë e tij pa titull Vilson Blloshmi, ndonëse larg, te yjet dallon një dritëz të vogël shprese: Moj yllëz e vogël, moj yllëz e vogël, / Mes nesh si nuk erdhe po mbete aq larg; / Përmes hapësirës mbi tokën si gogël , / Moj yllëz e vogël s’na vë re aspak. / Moj yllëz e vogël, moj yllëz e vogël, / Me lotin e rrezes aspak nuk na lag; / Tej visesh qiellore larg tokës si gogël, / As ndizesh, as shuhesh, po feks që nga larg. / (1974) Është nga të pakta tekste të V. Blloshmit ku pesimizmi dhe trishtimi nuk ka pushtuar gjithçka. Nëse shohim me vëmëndje tekstet e Blloshmit ai nuk e sheh askund ndonjë mundësi për të dalë nga rrethimi. Duke mos parë asnjë shpresë rreth e rrotull, uni poetik kërkon shpëtim lart. Yllëza e vogël, mendoj është një shpresë e venitur, që vetëm feks nga larg, por sidoqoftë ekziston. Eshtë një përpjekje e unit poetik për t’u ngritur nga balta ku e kishin hedhur, për të shkuar atje lart, nga ku ku bota jonë e padrejtë dukej si një gogël.Vargu “Me lotin e rrezes aspak nuk na lag” është estetikisht i kryer, gjë që na bën të mendojmë se V. Blloshmi kishte te vetja energji gjuhe dhe energji estetike jo të zakonta. Vetmisë së tij, gjendjes gjysëm i gjallë e gjysëm i vdekur, ku e kishte vendosur fati, ai i jep dimensione kozmike: Ndërsa vërsulet globi në honin e pamatë / Me njërën faqe ditë dhe faqen tjetër natë. / Dhe zgjuar shpesh bashkoj unë mbrëmjen me mëngjëzë…/ Eh botë faqe-bardhë! Eh botë faqe-zezë!…

 

Please follow and like us: