Albspirit

Media/News/Publishing

Arjan Konomi: Jeta e personaliteteve të mëdhenj

 

Si shumë njerëz, të cilët mendojnë dhe dëshirojnë të shkruajnë një libër gjatë jetës së tyre, edhe mua prej vitesh me ka munduar tundimi për të shkruar një roman apo novele, por asnjëherë nuk kam arritur të gjej kurajon te vetja, për t’u ulur dhe për të hedhur fjalët e para. Mendoja se duhet të vinte një moment që të kisha kohën dhe pjekurinë, qetësinë dhe kthjelltësinë e mendimit, për të arritur të formoja frazat, e pastaj fjalitë e me to, ngjarjet dhe personazhet, ndërveprimi i të cilëve do të krijonte historitë që përlaseshin në mendjen time. Por asnjëherë në gjithë këto vite, nuk kisha menduar të shkruaja këtë libër, që sot keni në dorë.

Mendimi për të, më lindi krejt papritur tek gjendesha në një udhëtim të gjatë në Brazil, verën e fundit. I apasionuar pas njohjes së botës dhe udhëtimeve gjeografike, kisha arritur të bëja realitet një ëndërr të jetës sime; një udhëtimin në lumin e Amazonës dhe eksplorimin e xhunglës së famshme, e cila ka ushqyer dhe zhvilluar fantazinë time, qysh kur isha fëmijë . Isha pajisur si gjithmonë me libra me vete, të cilat i konsideroj të nevojshëm, sidomos kur udhëton i vetëm, në vende të largëta dhe të panjohura duke të përbërë shoqërinë më të mirë, për të komunikuar me vetveten dhe për të kaluar orët e gjata të udhëtimit.

Gjendesha prej një jave në tragetin, që lundronte në Lumin e Amazonës dhe kuptova se librat e marrë më vete, ishin biografi të personazheve të shquar të botës. E teksa magjepsesha me leximin, ndjeja keqardhje, pse e kisha të pamundur të t’i tregoja dikujt tjetër për ato çfarë lexoja, ashtu si bëj normalisht në jetën e zakonshme, kur lexoj diçka, që më lë shumë mbresa.

Kur nuk e ndaj këtë kënaqësi me dikë, më duket se nuk kam arritur ta përvetësoj edhe vetë ngjarjen, personazhin apo historinë letrare. Kështu, në një bllok ku shënoja të dhëna për udhëtimin apo ato çfarë më nevojiteshin për destinacionet që të të shkoja, hidhja edhe të dhëna mbi jetën e personazhit që lexoja, si dhe shprehjeapo citime të tij. Duke u hedhur një sy këtyre shënimeve më lindi ideja se, mund të shkruaja një diçka të përbledhur mbi ato jetë që më shtangnin, më mrekullonin dhe më marrosnin me jashtëzakoshmërinë e tyre, vulosur mes dehjes së suksesit të arritur dhe thellësisë së dhimbjes së provuar, mes  mundimeve të paepura dhe ambicieve së arritura, mes zellit me përkushtim mbinjerëzor dhe talentit të rrallë mbinatyror, mes tragjedisë dhe lavdisë, për të krijuar një legjendë jete të vërtetë.

Përzgjedhja e personazheve që kam dashur t’i sjelllexuesit ishte një mundim më vete. Vendosa ta bazoj atë, jo tërësisht në ato, çfarë personalisht kam ndjekur si rregull në leximet e mia, në përpjekje për t’u thelluar në argumenta të përafërta, nisur nga epoka në të cilën kanë jetuar personazhet e duke seleksionuar fusha të caktuara, si arti, shkenca apo diplomacia dhe politika.

Për këtë libër, vendosa të bëj një përzgjedhje tjetër, krejt rastësore, personalisht timen, midis personazheve, jetën private dhe publike të të cilëve, duhet të trajtoja në të. Dhe gjatë shkrimit të tij, nisur edhe nga moria e madhe e personazheve të rëndësishme të historisë njerëzore, disa herë ndërrova mendim duke u përpjekur të sjell tek lexuesi, një gamë sa më të larmishme profesionesh si dhe një shtrirje kohore, të palimituar.

Asgjë nga ana kronologjike apo nga ajo tematike, nuk bashkon një personazh me tjetrin, përveç dy elementëve thelbësorë: janë njerëz, të cilët kanë ndikuar rrënjësisht në shoqërinë njerëzore duke shënuar momente drastike transformimi të saj në fusha të ndryshme, si në art, shkencë, histori dhe politikë. Dhe e dyta, jam shtyrë nga fakti se, janë jetë të pabesueshme për të qenë të vërteta, ku ambicia dhe lavdia përzihen me talentin dhe gjenialitetin e tyre, prandaj edhe pse në vetvete ato janë biografi të përmbledhura, unë kam dashur t’i quaj: jetë legjendë.

Me njera-tjetrën, nëfaqet e librit, këto histori jetësh, formojnë një sagë të mirëfilltë rrëfimi, ashtu si sagat antike të popujve nordikë, të cilat rrëfenin në shekuj legjenda vikingësh dhe prijësash, historitë e të cilave nuk kanë kufizim në kohë dhe ku fundi i njerës, ia lë vendin fillimit të një historie tjetër, që brezat e mëpasshëm do të krijonin.

Kështu edhe historia që sjell te lexuesi, është një sagë e njerëzimit, nëpërmjet disa prej figurave të shumta të rëndësishme të historisë njerëzore, të rrëfyera duke pasuar njera-tjetrën, për të mos mbaruar kurrë. Sepse, edhe figurat, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë botërore, nuk mbarojnë kurrë me një libër, ashtu si dhe nuk mund të rreshtë kurrë, rrëfimi për ta.

Përzgjedhja ime ra mbi gjashtë personazhe duke u përpjekur që ata të jenë të epokave të ndryshme të njerëzimit si dhe të eksperiencave të ndryshme duke shpresuar, që interesit të lexuesit t’i ofrohet një shtrirje sa më e gjerë, për të zgjuar tek ata kuriozitetin dhe mundësinë e njohjes. Por cilët janë këta personazhe?

Një nga figurat e shquara të politikës dhe të luftës së shekullit të kaluar, që më ka bërë kurioz është ajo e Uinston Çërçillit, të cilin shumë e njohim dhe kemi të dëgjuar për të, por shumë pak mund të dimë, mbi jetën e tij private dhe atë politike. Është njeriu më i rëndësishëm e i Luftës së Dytë Botërore, i cili drejtoi fatet e luftës dhe diti më zgjurasi dhe diplomaci, të bënte për vete edhe diktatorin e Bashkimit Sovietik, Stalinin, si dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ruzveltin.

I pushtuar, qysh në moshë fare të re, nga dëshira e flaktë për politikë, kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe do të kalkulojë çdo vendim të jetës së tij, në funksion të këtij qëllimi të jetës. Do të shkojë ushtar në Azi dhe në Afrikë duke kërkuar momentin e tij të lavdisë, do të bëjë reporterin e luftës në Afganistan dhe në Kejp Toun duke u përpjekur të bëhet i njohur për opinionin publik anglez, si kusht i rëndësishëm për lançimin e karrierës së tij si politikan.

Njeri i vendosur në atë çfarë kërkon të realizojë, do të zgjidhet deputeti më i ri i parlmentit anglez, por karriera e tij politike do të njohë dështime të mëdha në Luftën e Parë Botërore, hijet e të cilave, do ta shoqërojnë tërë jetën. Jeta e tij, do të kalojë nga kohët, kur shumë herë emërohet ministër dhe viteve të tëra, i gjendur i papunë, por asnjëherë nuk dorëzohet duke pritur momentin e lavdisë së tij, i cili vjen, pikërisht atëherë, kur nuk kishte më shpresë se politika angleze e donte mes radhëve të saj.

Babai i katër fëmijve, Çërçilli nuk do të ketë një jetë familjare, por përkushtimi ndaj politikës e hipnotizon, derisa një ditë mbreti i Anglisë, do t’i kërkojë personalisht të formojë qeverinë britanike. Zotësia e tij, prej një strategu ushtarak, por edhe të një diplomati kalkulues, do të luajë rolin kryesor në luftën kundër nazizmit dhe përhapjes në Europë duke bërë që qëllimi për i mposhtjes së një diktatori, të arrihet me paktet e lidhura, me një diktator tjetër. Momentet e luftës si dhe dialogjet e tij me Stalinin dhe Ruzveltin, përbëjnë një interes të jashtëzakonshëm, ku pragmatizmi do të mbizotërojë edhe ndaj pikëpamjeve ideologjike, si në rastin e komunizmit.

Sa ndikonte tek personaliteti i Çërçillit egoizmi dhe ambicia personale? Në çfarë raporti janë këto me përkushtimin dhe detyrën ndaj vendit? A ishte e drejtë një pakt me Stalinin? Sa cinike ishte ndarja me diktatorin bolshevik e influencave të të dy vendeve që ata ishin lider, në Europën e pasluftës? A ka përgjegjësi Çërçilli, në braktisjen e fatit të mëvonshëm të Polonisë?  A ka faj ai për rritjen e hegjemonisë sovietike dhe ngritjen e shumë diktaturave të reja, në vendet e kontinentit? A e justifikoi tërësisht, rezultati përfundimtar i luftës, hyrjen e Britanisë në konfliktin botëror si dhe të qindra mijërave viktimave të saj?

Katerina e Rusisë është një figurë madhështore sundimtareje, për atë çfarë arriti të realizojë në jetën e saj dhe për çfarë bëri për Rusinë, njeri me një erudicion mahnitës dhe iluministe në ide, që diti me shumë aftësi, ta gërshetonte me dispotizmin dhe pushtetin absolut, gjatë shekullit të XVIII-të.

Është një figurë shumë e komprometuar nga historiografia europiane, nisur edhe nga fakti se ka paraqitur kreun e ortodoksisë botërore e për rrjedhojë, është veshur me një ngjyrim negativ në Europën katolike e protestante duke u përpjekur, të shohin vetëm anën e errët të saj e duke mos ngurruar ta etiketojnë një vrasëse, satrape dhe ninfomaniake. Por, duke lënë në hije faktin se, ishte sundimtarja më e kultivuar dhe më tolerantja nga tërë mbretërit dhe perandorët katolikë e protestantë e kohës së vet.

Sundimtarja që e transformoi Rusinë nga një vend i parëndësishëm, ku anarkia ishte e përherë e pranishme, drejt formimit në një shteti të vërtetë dhe brenda një kohe të shkurtër, e shndërroi në perandorinë më të fuqishme europiane, e cila diktonte fatet e zhvillimeve politike në Europë e duke sjellë për pasojë, ndryshimin e vazhdueshëm të hartës së saj.

Njëkohësisht, konsolidoi në fronin rus, dinastinë e Romanovëve, e cila do të qëndronte në fuqi deri në shpërthimin e revolucionit bolshevik. Në figurën e Katerinës së Madhe, nuk ka kontribuar as historiografia ruse, e cila pas ardhjes në fuqi të bolshevikëve, është përpjekur, për motive ideologjike, të denigrojë në maksimum, tërë carët, që kanë sunduar në shekuj Rusinë.

Si mundi një gjermane të mbretëronte kombin, gjuhës së të cilit nuk i kuptonte asnjë fjalë? Çfarë e shtyu dhe si arriti një protestante praktikante të bëhej ikona e ortodoksisë botërore? Çfarë metodash adoptoi për të shkundur përgjumjen shekullore ruse? A ishte Katerina e Madhe një gjakatare? A ishte despotike apo iluministe? A ishte përparimtare apo obskurantiste? Çfarë roli pati ajo në fuqizimin e vendit? Si gërshetonte impulset seksuale me llogjikën e akullt të drejtimit të shtetit? A ishte një ninfomaniake, apo e etshme për pasion dhe dashuri? Apo asnjëra nga këto?

Përzgjedhja ime ra mbi një personazh shumë pak të njohur dhe të përmendur nga historiografia e Luftës së Dytë Botërore, e pikërisht ajo që ka trajtuar nazizmin me tërë kompleksitet e asaj mizorie njerëzore, më të përgjakurën që historia e njerëzimit kishte njohur: Albert Shperin.

Është një nga hierarkët e lartë të asaj klike të fuqishme politiko-ushtarake, e cila drejtoi Gjermaninë në periudhën  e viteve ’30, të shekullit të kaluar dhe që e shpuri planetin, drejt një lufte botërore me tërë makabritetin e saj. Figurë enigmatike dhe shumë pak e njohur, në krahasim me despotët e tjerë nazistë, për faktin se nuk u përfshi në krime të drejtpërdrejta sa hierarkët e tjerë, por për këtë, jo më pak fajtor në krimet kundër njerëzimit, edhe pse konsiderohet më shumë si arkitekt sesa si ushtarak, ai bëri të mundur të mbajë në jetë me efikasitet duke ushqyer makinerinë shfarosëse nazizte dhe duke zgjatur kështu, përfundimin e konfliktit botëror. Ka paraqitur figurën e një teknicienti edhe pse besnik i ideve nacionalsocialiste.

Ndoshta më shumë sesa një besnik ideologjik, ai ishte një ithtar i Adolf Hitlerit, i magjepsur dhe i pushtuar nga karizma e këtij, duke u shndërruar në një nga njerëzit më të afërt të diktatorit nazist, i vënë tërësisht në shërbim të tij. Jeta e tij, tepër befasuese është po aq tronditëse, në të cilën gërshetohet aspekti njerëzor dhe ai kriminal, të dyzuar në psikologjinë personale të qenies njerëzore, pa arritur të kuptohet se ku qëndron filli, i cili i ndan të dyja këto tipare.

Ai përbën një nga shembujt tipikë, për të shpjeguar një fenomen, vështirë të kuptueshëm ende sot, sesi një njeri i emancipuar dhe me kulturë, mund të transformohet në një tjetër qenie duke na bërë të kuptojmë, atë çfarë ndodhi me vetë popullin gjerman në përgjithësi, si gjatë, ashtu dhe pas ardhjes në fuqi, të nazistëve. Rrëfimi i jetës së tij merr një vlerë akoma dhe më të veçantë historike, sepse mbetet e vetmja dëshmi e gjallë i rrethit të ngushtë të diktatorit, e cila sjell detaje të jetës së Adolf Hitlerit, për faktin e lidhjes shumë ngushtë, të jetëve të tyre.

Pse njeriu papritmas shndërrohet  në një kriminel, pa qenë i ndërgjegjshëm? Sa ndikon pushteti në shkatërrimin e karakterit të një njeriu? Çfarë fshihet në thelb të lidhjes së tij me Fyhrerin e Gjermanisë? A është faji një përgjegjësi personale apo kolektive? Çfarë magjie ushtron një ideologji tek njeriu? Si mund të përcaktohet saktë karakateri i një njeriu, kur ai shfaqet si njeriu kriminel dhe njëkohësisht si krimineli njerëzor? Cila është fija e padukshme, e cila ndan të mirën nga e keqja? A ka kuptim fraza “kriminel i mirë”?

Arti i pikturës më ka pushtuar prej vitesh dhe jam përpjekur të vizitoj, jo si një turist kalimtar, një pjesë të madhe  të koleksioneve më të rëndësishme në botë, të ndodhura nëpër muzeume dhe të mbledhura në vite, zotëroj në bibliotekën time, një numër shumë të madh katallogjesh, enciklopedish dhe libra të kritikës mbi pikturën, ndaj dhe dëshiroja që te personazhet e trajtuara në këtë libër, të ishte edhe një piktor. Nuk e pata të vështirë të zgjidhja, sepse ka një element jetësor, i cili më ndikoi në përgjedhjen time. Qysh fëmijë, kam patur të varura në murin, ku mbështej koka e krevatit, tre postera pikturash, të cilat kanë goditur imagjinatën time fëminore.

Shumë vite më vonë, do të mësoja se cilët ishin autorët e tyre duke u kuriozuar për krijimtarinë artistike të tyre. Njëri nga autorët e tablove të posterave, ishte piktori italian, Karavaxho. Nuk i përket Rilindjes së famshme italiane dhe emrave ikonë të saj, por një shekulli më pas.

Mikelanxhelo Merizi, nga fshati Karavaxho afër Milanos, me emrin e të cilit, do të thirret në jetë e do të njihet edhe sot, është piktori më i madh i shekullit të XVII-të. Krijimtaria e tij, do të thyejë gjithë rregullat standarte të pikturës, të njohura gjatë gjithë njerëzimit dhe të maksimalizuara në epokën e Rilindjes duke krijuar një stil të ri në historinë e artit, si në aspektin e përdorimit  të ngjyrave, ashtu edhe në mënyrën e trajtimit të tematikave.

Karavaxho është piktori i parë, që nuk përdor vizatimin paraprak, por dallimin e formave e bën, vetëm nëpërmjet ngjyrës dhe tonaliteteve të saj, njëkohësisht duke hequr dorë nga mistikja dhe hyjnorja, që mbizotëronte artin e pikturës së deriatëhershme, për t’i kthyer figurat emblematike të krishtërimit, në njerëz realë, të zhveshur nga ekstazat shpirtërore, me dhimbjen, varfërinë dhe vuajtjen, ashtu si bibla në të vërtetë i rrëfen.

Karavaxho do të jetë gjithashtu i pari piktor, i cili trajton në tablo të tij, skena reale me personazhe të zakonshëm anonimë, momente nga jeta e përditshme duke sjellë edhe një risi, përsa i përket formës, krejtësisht të re, të kompozimit duke i paraprirë me disa qindra vjet, asaj që do të bëjë në të ardhmen, arti i kinematografisë.

Ashtu si dritëhija tipike e stilit të tij, do të revolucionarizojë historinë e artit botëror dhe do të krijojë një standart pikture, i cili do të ndiqet më pas nga emra të mëdhenj, si Rembrandi, Velazkes, apo Ribeira e  duke hedhur bazën e romanticizmit francez dhe të impresionizmit, më pas. Me një jetë rebele, e kaluar nga një qeli burgu tek realizmi i një tabloje gjeniale, mes dashurive pasionale për meshkujt  dhe impulsivitetit karakterial, mes jetesës në luks e adhurimit për natën dhe rrugën e bën jetën e tij, një legjendë aventurash jo të zakonshme, për njerëzit normalë.

Por pse është i pari piktor, që trajton skenat biblike me një natyralizëm të pandeshur më parë? Sa ndikoi realiteti ku jetoi dhe sa talenti, në veprën e tij? A është shpresa e jetës, domethënia e burimit të dritës, që ai shpik në pikturë? A ishte më i aftë të pikturonte, apo të përdorte shpatën? Sa efekt pati vepra e tij në pikturën e ardhshme që njerëzimi do të njohë? Çfarë përcaktonte emotivitetin dhe impulsivitetin e tij? Cili është konceptimi i vërtetë i fesë dhe i besimit? A ishte Karavaxho një i çmendur piktor apo një piktor i çmendur?

Përgjedhja ime pason me legjendën e muzikës lirike, figurën më madhështore, që skena e botërore ka njohur ndonjëherë, greken, Maria Kalas. Talenti i jashtëzakoshëm dhe vullneti i hekurt në kërkim të suksesit, do ta shndërrojnë sopranon në një ikonë botërore, ku zëri i saj do të magjepsë publikun e skenave të gjithë kontinenteve, me ariet e operave, të krijuara nga të mëdhenjtë e muzikës klasike, shumë prej të cilave ishin harruar arkivave, sepse nuk ekzistonte, prej më shumë se një shekulli, vokali i aftë për t’i interpretuar ato.

Do të dinte me aftësi tërrallë, të shpehte cilësitë e një sopranoje dhe mexosopranoje, të këndonte brenda pak ditëve vepra, të cilat ishin të pamundura për t’u kënduar nga i njëjti zë, për cilësitë vokale të kërkuara duke u shenjtëruar, si më e madhja këngëtare që historia e muzikës kishte njohur dhe duke bërë publikun botëror, të përshkohet nga ethet e të paturit mundësi, për të dëgjuar këtë zë të mrekullueshëm, apo qoftë vetëm për ta parë, për t’u dhënë mundësinë, që të thonë se një herë në jetë, “isha edhe unë”.

Fati do ta donte, që ashtu si jeta e heroinave të operave, të cilat këndoi, do të kishte edhe jetën e saj duke mishëruar suksesin dhe dështimin, dashurinë dhe vuatjen, mbushur me dëshpërim e melankoni, me gëzim dhe hidhërim, për ta shndërruar në një tragjedi të vërtetë njerëzore.

Jeta artistike e një dive të skenës, por edhe jeta emocionale e një gruaje, shpirtit të së cilës, nuk do t’i kursehet asgjë nga bukuria e të jetuarit, por edhe nga trishtimi i saj. Reaksioni, që jeta e saj private, ka ngjallë në mediat botërore, nuk njeh preçedentë, ku çdo detaj dhe çdo fjalë, do të mbushin titujt e faqeve të gazetave botërore duke shënuar fillimin e një lloj gazetarie të re, të panjohur për kohën, që është ajo e gosipit. Miliona lexues në mbarë botën, do të përpijnë me një interes të jashtëzakonshëm çdo element jetësor të artistes, nga marrëdhëniet familjare, tek recetat e ushqimit, nga karakteri i saj i vështirë deri tek dashuritë e pamundura duke rreshtuar skandale të njëpasnjëshme, në të cilat nuk kuptohet se ku mbaron e vërteta dhe fillon legjenda.

Arrogante dhe kapriçoze, por e brishtë dhe dobët emocionalisht, Maria Kalasi do të dëshmojë në skenë edhe një komponent tjetër të talentit të saj magjik, të pandeshur në skenë më parë, interpretimin dramatik të operës, që do të drithërojë publikun e shashtisur. Dashuritë e saj, do të kulmohen me pasionin ndaj miliarderit grek Aristotel Onasis, marrëdhënie, që do të jetë, aq sa e bukur, edhe e trishtë.

Por cila është artistja Maria Kalas? Çfarë magjie ushtroi ajo ndaj publikut? Pse kjo magji nuk përsëritet më në historinë e skenës? Cila është femra Maria Kalas? Pse dashuritë e saj ishin dashuri të pamundura? Çfarë shije ka suksesi dhe dështimi? Çfarë krijon në shpirt, lumturia dhe hidhërimi? Sa shekuj duhet të kalojnë, për të njohur skena, një mit të këtyre përmasave?

Tundimi nuk më lë pa shkruar, për një nga figurat më të famshme dhe të njohura të njerëzimit, si Albert Ainshtaini, gjeniu i kohëve moderne, fama e të cilit, e ktheu në një personazh që do të grumbullonte turma më shumë, sesa një aktor Hollivudi apo këngëtar rroku. Shkencëtari, i cili theu rregullat që mbretëronin prej treqind vjetësh fizikën dhe me të, edhe gjithësinë, duke zbuluar një koncept të ri, me të famshmen teori të relativitetit të përgjithshëm, e cila revolucionarizoi shkencën dhe përcaktimin për botën, pjesëz e vogël e të cilës, ne jemi.

Në një moshë fare të re, ai do të dëshmojë gjenialitetin e vet duke nisur nga grimcat më të vogla të përfytyrueshme, si kuantet e dritës e deri tek struktura tërësore e universit, nëpërmjet zbulimeve të teorisë së relativitetit specifik, formulimit të ekuacionit të energjisë, bazë për lindjen e idesë dhe zbulimin e bombës bërthamore, shpjegimit fizik të dritës dhe të kuanteve të saj, përfundimit se disa fenomene janë më shumë probabilitet sesa siguri, ndryshimit të principeve të kozmologjisë duke teorizuar se, hapësira nuk është infinite, por megjithatë është e pakufizuar dhe në një sistem të mbyllur, që nuk ka as skaj dhe as kufi.

Ajo çfarë e bën shkencëtarit atipik, në gjithë morinë e gjatë të emrave të shquar, që shkenca ka njohur, është fakti se në përfundimet e teorive të tij gjeniale, ai nuk u bazua tek provat dhe te eksperimentet, si shkenca kishte vepruar deri në atë kohë, por në hamendësime, në përfundime llogjike, në rezultate të jashtëzakonshme, vetëm nëpërmjet mendimit dhe asgjë tjetër.

I takonte shkencës së njerëzimit, të vërtetonte sesa të sakta, ishin zbulimet e mendjes së tij. Shtetas gjerman por ebre, Ainshtaini nuk do t’i kushtojë rëndësi përkatësisë fetare të tij, derisa në gjysmën e dytë të jetës, ndikuar edhe nga persekutimi masiv i ebrenjve në Europë, ai do të përqafojë sionizmin dhe do t’i përkushtohet kauzës izraelite, për t’u tërhequr në një moment të mëvonshëm, për shkak të padrejtësive të kryera, ndaj popullit palestinez.

I pëlqenin shumë femrat dhe në jetën e tij do të shfaqen të shumta, si për t’i qëndruar pranë në rolin e bashkëshortes, ashtu dhe të tjera si shoqëruese, me të cilat shkencëtari do të aventurohet, nën stilin e një jete bohemiane, ku pavarësia vetjake, ishte gjëja më e shtrenjtë. Shumë social, por edhe i një ftohtësie të akullt, mes nevojës për ngrohtësi njerëzore, por edhe dëshirës së madhe për të qenë i vetmuar, karakteri i Ainshtainit do të përplaset shpesh gjatë jetës, në peripeci dhe aventura nga më të papriturat.

A ishte Ainshtaini një shkencëtar gjerman apo një ebre zvicerian? A beson në Zot, njeriu që zbuloi ligjet, me të cilat gjithësia funksionon? A ishte përveç se, një mendje e akullt edhe një shpirt i pandjeshëm? Çfarë e çoi, përveç karpentierit që bie nga çatia, bojaxhiut që rrëzohet nga skeleria para dritares së tij, buburrecit, qorr, maces që i shtien me barut, kovës me ujë që rrotullohet e të tjera, të formulojë teoritë më të mëdha të fizikës së të gjitha kohërave? A ishte një socialist dhe deri ku shkonte pacifizmi i tij?

A do të kishte arritur Ainshtani në dy teoritë e tij të relativitetit, pa lexuar mendimet për këtë, të dy shkencëtarëve të tjerë, që i paraprinë përfundimeve të tij? A vepronte truri i Ainshtanit apo mendja e tij? Ka qene llogjika apo intuita, ajo që e shpuri në përfundimet gjeniale?

Këto janë disa prej pyetjeve kryesore që lexuesi do të arrijë të marrë nëpërmjet rreshtave të këtij libri. Nga një personazh në tjetrin, zbulohen kështu epoka të shumta, të ndodhura në kohë të ndryshme, të cilat në tërësinë e tyre, përbëjnë një ndihmesë modeste në dëshirën e njeriut drejt njohjes dhe diturisë, përmbajnë analizë të thjeshtë, drejtuar një publiku të gjerë, dhënë me një shpjegim lehtësisht të kuptueshëm, mbi nocione të rëndësishme, por jo të ndërlikuara, që i përkasin shkencës, pikturës, muzikës, politikës, diplomacisë dhe historisë, për t’i sjellë edhe tek një njohës fillestar, qartë dhe kuptueshëm.

E të gjitha këto, duke i ndërthurur me detaje të jetës private të personazheve, me gëzimet dhe hidhërimet e tyre, nën synimin e gërshetimit të rrëfimit artistik, me koncepte të nevojshme për kulturën e pafundme të njohjes, si dhe bagazhin intelektual të lexuesit. Pyetjet e mësipërme, gjejnë përgjigje në kapitujt e librit, si nëpërmjet atyre direkte, ashtu dhe të shumë përgjigjeve që merren, nëpërmjet ndjesisë së shkaktuar nga leximi, ku qëllimisht, nuk kam dashur që të jem unë ai, i cili jep përgjigjen, por vetë lexuesi i vëmendshëm, me perceptimin dhe ndjesinë personale të tij.

Përpjekja ime finale është, të sjell me këtë vëllim kënaqësinë e shkaktuar prej leximit, zgjerimin e horizontit të njohjes dhe mbi të gjitha, efektin e provokimit dhe të ngjalljes së fantazisë.

Dua të ritheksoj se përzgjedhja e këtyre jetëve legjendë është krej rastësore, nisur nga ato çfarë kanë ngacmuar personin tim dhe më kanë bërë të reflektoj për jetën, në të gjitha ngjyrimet e saj duke u përpjekur, që nëpërmjet  vlerësimit dhe kritikës mos të gjykoj. Elementëve jetësorë privatë apo publikë, t’i sjell si një rrëfim, thjesht duke dhënë një opinion, parë nga një këndvështrim disi tjetër, nga sa mund të jetë folur për ta. Të gjithë këto personazhe, janë objekt i vazhdueshëm shkrimesh dhe librash, kështu do të jenë edhe në të ardhmen duke mbetur të pashlyeshëm, në memorien e gjatë të njerëzimit.

Dhjetra libra me biografi janë publikuar për secilin prej tyre, dhjetra libra të tjerë të shkruar dhe botuar prej më të afërmëve të tyre, familjarë apo bashkëpunëtorë, shërbyes apo asistentë qofshin, dëshmi e etjes dhe kureshtjes së publikut botëror, për t’i njohur këta gjigantë duke mësuar më shumë për ta, për veprën dhe jetën e tyre.

Pikërisht, ky ka qenë edhe qëllimi i iniciativës sime, kur nisa të shkruaja këtë libër. T’i sjell lexuesit shqiptar, copëza, që përbëjnë pjesë të rëndësishme, të trashëgimnisë njerëzore, pushtuar nga dëshira për të kënaqur një mendje kozmopolite, në kërkim të kulturës dhe të erudicionit. Nëse, sado pak do të kem arritur të bëj këtë, mund të them se qëllimi im modest, është plotësuar tërësisht.

Jetët  e rrëfyera janë të jashtëzakonshme, magjepsëse dhe mbresëlënëse, por ajo çfarë nuk e di, është sesa i aftë jam treguar unë, për t’i shkruar këto jetë, në mënyrë që t’ia sjell publikut, me atë madhështi dhe atë ndjeshmëri të lartë që ato mbartin. Lexuesi, do të jetë dëshmia e gjallë e kësaj.

Please follow and like us: