Albspirit

Media/News/Publishing

Për ku janë nisur udhëheqësit (qeveritarët) tanë?

 

Katerina Hoti*/ DIELLI

Për ku janë nisur udhëheqësit (qeveritarët) tanë?! A e njohin ata plagën tonë (të popullit që i përkasin)?! Mos është enigmë apo duhet përsëritur kërkesat “Një abetare”, “Një komb, një flamur, një atdhe”. Kush e krijoj hendekun midis popullit dhe udhëheqësve. Besimi apo mosbesimi. Premtimi apo mos bërja. Fjala jonë apo fjala e huaj. Përse është krijuar bindje se sa ulen në frone udhëheqëse ata i kafshojnë fjalët e veta. Përse duhej të furnizohej armiku me naftë kur vritej e masakrohej një pjesë e atdheut?! Përse ne duhej të bëhemi anëtarë të injorancës njerëzore, ne që mbrojtëm civilizimin perëndimor? Përse duhej hequr busti, lapidari, piktura e luftëtarit, burrështetit shqiptar që bota shkruajti më shumë se 1100 vepra?! Përse duhej t’i përkulemi herë njërit ish pushtues e herë tjetrit?! Përse duhej që të falim ujërat e detit tonë Jon? Përse ne duhet të protestojmë për kriminel dhe pushtues në vend që të kërkojmë trupat e pagjetur të gjenocidit serb?! Përse në mënyrë të organizuar ne duhet të martojmë gjithë pleqtë sllav me gra e vajza shqiptare?! A dini përse, se ne jemi nën sundimin e fjalës së huaj. Se në çdo institucion, në çdo Organizate e Shoqatë kemi elemente të rekrutuara nga armiqtë e moçëm e të sotëm. Përse ne jemi kundër bashkimit të tokave, kur kemi një gjuhë, një flamur, një kulturë, një alfabet. Ilaçi i të këqijave është: Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar!

Nga kush udhëhiqemi apo më mirë kush po na udhëheq?!

Sot çka nuk të dëgjojnë veshët e çka nuk të shohin sytë. Përse çdo kush fiton të drejtën të luaj me lirinë, atë liri që më shumë sakrificë e fituam. Sot çdo kush merr të drejtën të shaj, nënçmoj e njollos fytyrat tona kombëtare edhe atë pa u rehatuar ende eshtrat e të rënëve për liri. Sot çdo kush merr guximin të na sjell lloj-lloj kulturash nga injoranca që e kemi mbjell ende pa i gjet trupat e viktimave të gjenocidit serb. Gjithë ky maskarallëk nga ku e ka burimin dhe prejardhjen?! A thua se do jemi më afër Zotit nëse e quajmë me emër të huaj?! A thua do e sigurojmë parajsën nëse çdo ditë shajmë e njollosim njëri tjetrin?! A thua më afër Zotit, Perëndisë do jemi sikur të mbështesim diktator e pushtues të huaj?! A thua Parajsa dhe Ferri lindën kaq vonë në historinë e njerëzimit, e ku jetojnë në atë botë ilirët, pellazgët?! Po ku e kanë vendin atëherë Skënderbeu, Naimi, Çajupi… e të tjerët që Zotit i thoshin Perëndi?! Këto nuk kërkonin pushtues të huaj, dhe të huajve ua hapnin derën vetëm për miqësi. Unë nuk kam lexuar që ka pushtues të mirë. Por nuk jam në dijeni që ka udhëheqës që nuk e mbrojnë Kështjellën e vetë, lirinë e fituar, popullin e vet, heronjtë e vetë, kulturën, traditën, historinë… Unë ende se kam kuptuar përse nuk mbrohen figurat tona kombëtare me Ligj. Ku janë sot udhëheqësit tanë kur rrugët pushtohen në mbështetje të një diktatori ish pushtuesit tanë 500 vjeçar që s’la asgjë këtyre tokave vetëm mjerim. A thua nëse mbulojmë fytyrën tonë i jemi fshehur Zotit dhe kemi fshehur mëkatet ndaj gjuhës, kulturës e traditës. Më afër Zotit do jetë ai që ulet këmkryq në qilimin e xhamisë dhe nuk din se si lutet dhe bënë thirrje në mohim të kombit. A thua Zotit i duhen ushtar në tokë që luftojnë gjuhën, kulturën, traditën e vetë. Kush po na udhëheq neve, a ka kush të na e thotë?! Ata që neve na mësuan; Heronjtë e rënë për Atdhe dhe rilindësit tanë sipas injorancës sonë që po nxjerr jargët udhës dhe është përherë në rritje janë tradhtar të kombit, e ish pushtuesit do na dhurojnë Parajsën (xhenetin). Po ne cilën parajsë duam?! E çuditshme! Sipas veprimeve të sotme ne si komb duhet këtu të jetojmë në robëri për të shkuar në parajsë në xhenetin e injorancës në botën e përtejme, kjo është logjika e “ushtarëve të Zotit”, që po rriten në tokën e Dardanisë së lasht. Atyre që ende iu flenë liria dhe atdheu në zemër janë të detyruar që të lenë atdheun në kërkim të kafshatës së gojës se kjo injorancë dhe heshtja e udhëheqësve tanë (kinse udhëheqës) i ka lënë në mëshirë të fatit. Veshja jonë kombëtare u ka rezistuar shumë pushtuesve, iu ka rezistuar shumë sfidave do i rezistoje edhe ferexhesë së zezë e marhamave të bardha të sjella nga dora e huaj, por arkivit të tradhtisë askush s’ka mundur t’i ikë. Është më mirë që çdo njëri ta kuptoj edhe atë sa më parë, se asgjë e huaj sado e bukur e ëmbël të jetë as jeton dhe as hahet. Ne e dimë që të gjithë, se Turqia në Kosovë ndërton xhamie e rekruton mercenar, në Serbi ndërton fabrika, qëllimi dihet por kur do e mësojnë ata të zgjedhurit tanë që të bëjnë rregull e rend si atje ku lulëzon dashuria hyjnore bashkë me atë njerëzore. Këtyre predikuesve të shitur duhet t’iu tregohet rruga dhe le të shkojnë. Le të shkojnë atje ku duan të jetojnë me fjalën, veshjen, traditën, heronjtë e tyre “qiellor” dhe le të luten si të duan. Le të shkojnë se kjo tokë kërkon dhe donë përshëndetjen “Mirëmëngjesi Bashkimi kombëtar”.

*Nga cikli” Mirëmëngjesi Bashkimi kombëtar” i autores Kaltrina Hoti

Please follow and like us: