Albspirit

Media/News/Publishing

Festa kombëtare e Egjiptit, Ambasadori Khalil: Së bashku përballë sfidave rajonale dhe ndërkombëtare

Festa kombëtare e Egjiptit, ka bërë bashkë një sërë personalitetesh të jetës publike dhe ekonomike të vendit, sikurse edhe shumë diplomatë të akredituar në Shqipëri, mes të cilëve edhe ambasadori amerikan, Donald Lu.

Përmes një ceremonie në hotel “Rogner”, Ambasada e Egjiptit në Tiranë, kremtoi 65 vjetorin e Revolucionit të 23 korrikut, i cili hapi rrugën e një epoke të re të përpjekjeve politike, ekonomike dhe shoqërore për rilindjen e popullit egjiptian, një lëvizje e cila shënjoi një agim të ri për Egjiptin, botën Arabe dhe Afrikën.

Ambasadori i Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë, Mohamed Khalil në pritjen e organizuar me këtë rast shprehu angazhimin e tij për të çuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Sot më gëzon fakti që festoj me ju revolucionin e Korrikut si Ambasador i vendit tim në Republikën mike të Shqipërisë, e cila e ka shoqëruar Egjiptin përgjatë historisë dhe luftës për të arritur rilindjen dhe pavarësinë. Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Egjiptit dhe Shqipërisë janë historike dhe të shkëlqyera, rrënjët e të cilave shtrihen prej më shumë se dy shekujsh. Sigurisht nuk mund të lemë pa përmendur gjurmët e shqiptarit Muhamed Ali në historinë e Egjiptit modern. Ai ka qenë një fanar ndriçues në historinë e Egjiptit dhe nismëtar i Rilindjes së Egjiptit modern, pasi ai vendosi bazat e themelimit të shtetit të ri Egjiptian duke dhënë një kontribut të çmuar drejt rilindjes së Egjiptit në fushën ushtarake, ekonomike dhe atë shkencore”, tha ambasadori egjiptian.

Revolucioni i Korrikut kurorëzoi këtë histori të përbashkët dhe këtë e dëshmon, vlerësoi ambasadori i Egjiptit, vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve në vitin 1956, që shënjoi një epoke të re të bashkëpunimit ndërmjet Egjiptit dhe Shqipërisë në të gjitha fushat.

“Nga pikëpamja politike marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve karakterizohen nga një afrimitet i madh përballë sfidave rajonale dhe ndërkombëtare, një qasje që buron nga besimi i përbashkët tek vlerat e paqes, drejtësisë dhe humanizmit”, theksoi ai.

Diplomati egjiptian tha se “sa i takon bashkëpunimit ekonomik, marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare gëzojnë një bazë të shëndoshë në sajë të marrëveshjeve, që do të kurorëzohen me ngritjen e një komisioni të përbashkët për të diskutuar rrugët e forcimit të bashkëpunimit dhe tërheqjen e investimeve reciproke ndërmjet dy vendeve”.

Please follow and like us: