Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj Sinani: “Te çdo njeri fshihet një hiç, i cili bëhet tepër i rrezikshëm kur gjen rrethana që të shfaqet”

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Kamy dha një përcaktim shumë interesant për botën: “Bota është një hipokrizi e llahtarshme”. Që realiteti ynë po e afirmon vërtetësinë e këtij pohimi publiku e konstaton vetë, por në rastin Ferraj publiku ka nevojë për disa shpjegime nga ana e “cinikut Sinani”, pasi para emrit të vet ka vënë një Dr., e cila e ngatërron shumë publikun.

“I moralshmi Ferraj” është bërë “Doktor” në saj të një punimi antishkencor, pasi nuk është shkencore që pikëpamjet e sotme t’i projektosh ndaj të kaluarës, sepse e kaluara mund të manipulohet për qëllime të caktuara të ditës. Në saj të këtij manipulimi “i moralshmi Ferraj” e ka shndërruar Historinë e Shqipërisë në një histori agjentësh dhe spiunësh, ku këtu futet edhe Skënderbeu si spiun. E përmenda këtë fakt edhe si provë se si mund të spekulohet me titujt. Nga ana tjetër, të “moralshmit Ferraj” i është dhënë një bursë për studime të nivelit “master” në Zvicër dhe ai u kthye prej andej pa asnjë lloj dëshmie, kur shumë e shumë të tjerë i realizuan me sukses të tilla mundësi të pakta të asaj periudhe.

Dr. Ferraj ka disa vjet pedagog dhe nuk ka mundur që të nxjerrë një tekst për studentët, pasi nuk ka kohë se do të merret me përbaltjen e personaliteteve historike të Historisë së Shqipërisë. Mirëpo përbaltja nuk mbetet në këtë rrafsh, ajo shtrihet edhe ndaj kolegëve. Kaq janë të mjaftueshme për të gjykuar mbi rastin e Dr. Ferrajt.

Por ka edhe diçka tjetër që duhet theksuar nga shkrimi i të “moralshmit Ferraj”. Në gjithë dërdëllitjen e tij morale dhe mburrjet e tij shkencore si njohës i shkencave politike, provohet një e vërtetë shumë e madhe e filozofisë politike, se në kohët e barazisë rritet shumë mundësia e manipulimit. Shembullin më të shkëlqyer të këtij manipulimi na e jep vetë Bibla. Po marr këtë shembull të thjeshtë që publiku ta kuptojë mirë të “moralshmin Ferraj”. Ju të gjithë e dini episodin e famshëm të dënimit të Krishtit. Pons Pilati dhe priftërinjtë e Izraelit iu drejtuan “popullit” që “të votonte” nëse duhet të kryqëzohej Krishti apo Barabasi dhe, meqë miqtë e Barabasit i bënë thirrje popullit që të bërtiste më fort për Barabasin, atëherë Brabasi u fal dhe Krishti u kryqëzua. Pra populli “votoi” që Krishti të kryqëzohet dhe Barabasi të mbetej i lirë. Ndërsa Tokëvili këtë proces do ta analizonte akoma më mirë dhe do t’i porosiste qytetarët që të ishin të kujdeshëm nga manipulimi me instiktet demokratike të tyre, sepse kështu u jepej mundësia sharlatanëve që të përfitonin. I tillë është edhe “i moralshmi Ferraj”, i cili nga një fanatik ortodoks i Enver Hoxhës (unë e njoh që kur erdhi student në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike dhe ka qenë në një klasë me gruan time, e cila ka mbaruar me medalje të artë dhe shumë më mirë se “i moralshmi Ferraj), në demokraci u shndërrua në “antikomunist” dhe demokrat i flaktë. Nuk po ndalem në piruetat e mëtejshme të tij politike, të cilat publiku i njeh fare mirë. E ç’mund të presësh nga individë të tillë që i ndërrojnë bindjet si këmishët në mëngjez? Shkurt shëmbëlltyra e krizës morale dhe e mungesës së ndërgjegjes qytetare është “I moralshmi Ferraj” dhe jo Gjergj Sinani.

Tani le të shohim se kush i përgatit për një jetë të pandershme studentët. Le t’i referohemi rastit në fjalë. Për saktësi jo 30 studentë, por 21, pas më shumë se tetë muajsh paraqesin në Departament një kërkesë, përmes përgjegjësit të Seksionit të Filozofisë, z. Aleksandër Kocani. Kjo kërkesë paraqitet në Departament më 16 Shtator 2003, në prag të provimeve të vjeshtës, ndërsa provimi është zhvilluar më 7 Shkurt 2003. Pavarësisht nga kjo vonesë, kërkesa u analizua në Departament në mënyrën më amorale, duke gjykuar për personin që akuzohej pa qenë prezent as personi që akuzohej dhe as pala akuzuese. “I moralshmi Ferraj” e di shumë mirë se një person nuk mund të gjykohet pa qenë prezent. “Ciniku Sinani” kërkoi këtë minimum moraliteti, por i moralshmi Ferraj dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij, lakeu i të gjitha pushteteve Aleksandër Kocani, nuk e donin një gjë të tillë. Për më tepër këta të dy nuk e kanë kuptuar se në sistemin demokratik nuk mund të veprohet me mënyra komuniste si dikur, kur zhvillohej materializmi dialektik dhe historik dhe të gjithë ishin ekspertë të kësaj lënde. Gjergj Sinani nuk ka kërkuar që të qëndrojë me dhunë në komision, por ka kërkuar që të mbrohet dinjiteti i pedagogut, kushdo qoftë ai. Jeta e Universitetit bazohet në rregullore dhe jo në vijën e masave që kërkon të zbatojnë personat në fjalë.

Në lidhje me të drejtat e studentëve neni 50 saktëson: “Studenti ka të drejtë të ankohet për shkelje të rregullave të zhvillimit të provimit; ankesa paraqitet në Dekanat brenda 24 orë nga momenti i përfundimit të provimit. Dekani i Fakultetit (dhe jo shefi I seksionit, shënimi im, Gj.S), pasi verifikon shkeljet e reklamuara me përgjegjësin e Departamentit dhe me komisionin e provimit, merr vendim të formës së prerë. Në rast se ankesa është e drejtë, Dekani vendos anullimin e provimit dhe ribërjen e tij në një datë të veçantë, jo më vonë se tri ditë pas përfundimit të sesionit të provimeve. Vendimi bëhet i njohur brenda pesë ditësh nga dita e ankesës”. Neni 51 ka edhe një saktësim tjetër: “Studenti është i detyruar:

  • të njohë me hollësi rregullat e shkollës e detyrimet e tij dhe të jetë i vetëdijshëm për zbatimin e tyre; në të kundërt shkolla nuk mban përgjgjësi për pasojat që mund të rrejdhin nga mosnjohja e tyre
  • të zbatojë të gjitha rregullat që rrejdhin nga Statuti i Universitetit të Tiranës, nga kjo Rregullore dhe nga çdo akti tjetër ligjor e nënligjor për Arsimin e Lartë…”

Tani këtu dalin një varg pyetjesh: Pse këta studentë ia paraqesin këtë ankesë përgjejgësit të seksionit, z. Aleksandër Kocani dhe shumë kohë pas zhvillimit të provimit, kur rregullorja është e qartë për rrugën e ankesës? Pse i paraqitet kaq vonë Departamentit duke e vënë përballë një zgjidhje të vështirë? Shkurt, në përputhje me këtë rregullore këta studentë duhej t’i merrte në provim pedagogja në fjalë, pasi nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë. Si shpjegohet që ditën e provimit studentët thonë se provimin do ta zhvillojnë me Aleksandër Kocanin dhe jo me titullarin e lëndës që është edhe autori i tekstit? Kush ua kishte dhënë këtë informacion? Megjithëse nuk janë provuar shkelje të rregullores nga ana e pedagoges, u krijua një komision për marrjen në provim të studentëve të vjeshtës. Mos vallë prapa këtij grupi studentësh qëndrojnë këta dy persona, kur dihet se në Departament autori i këtyre rradhëve e ka akuzuar z. Kocani për përvetësim të fondit të një projekti që e ka realizuar nën emrin e Departamentit? Për më tepër unë, personalisht, kam kërkuar largimin e tij nga lënda “Hyrje në Filozofi”, që e zhvillonte me mua, për arsye të nivelit të ulët shkencor, kur në tezën e provimit vendos gafa të tilla si “Reflekto rreth maksimës filozofike reflekto”, ose u jep studentëve pyetje si: “Analizoni debatin Nano – Berisha?”

Përsa u përket pozave paternaliste dhe trimërore të të “moralshmit Ferraj” duke filluar nga Xhoana e Nanos dhe Liria e Berishës deri te bashkësia intelektuale shqiptare janë pa vend këtu dhe vetëm i shërbejnë kënaqësisë së tij narcizike. Ajo që më intereson është se bashkësia intelektuale shqiptare, për fat të mirë të saj, është çliruar nga koha kur merrte direktiva se si të gjykonte. Megjithatë, ka gjëra të shkruara që kjo bashkësi mund të gjykojë se kush është Ferraj dhe kush është Sinani. Madje ai mund edhe të përballet me zonjën Sinani për cilësitë shkencore të tij. E siguroj publikun se nuk mund të përballet me të “moralshmin Ferraj” për intrigat, shpifjet cmirën, egoizmin dhe ligësinë. Me sa duket Kanti ka patur shumë të drejtë kur shkruante se ishin këto vese që e nxorrën njeriun nga gjëndja natyrore dhe e futën në rrugën e zhvillimit të shoqërisë civile, domethënë shoqërisë me shtet, që këto vese të mos e shkatërronin vetë shoqërinë. Në këto “virtute” Ferraj është shumë më i zoti.

Meqë i “moralshmi Ferraj” merret edhe me ndërgjegjen time qytetare dua t’i them publikut se ajo është ashtu siç janë veprat e mia. Ndërgjegja ime është përmbajtja e kurseve të mia. Ndërgjegja ime është dinjiteti i personit njerëzor, shpirti kritik, mendimi i pavarur dhe pa asnjë lloj shtrëngimi në mendim; fryma sokratike, dyshimi kartezian dhe protesta ekzistenciale. Studentëve të mi unë u kam përmendur një vepër të Kamysë (këtu nuk përfshihen studentët që janë ankuar, pasi atyre ua ka mësuar “Hyrjen në filozofi” Aleksandër Kocani), “Njeriu i revoltuar” (L’homme révoltée), ku Kamy formulën e Dekartit “Mendoj pra jam”, e zëvendësoi me formulën “Unë revoltohem, prandaj ne jemi”. Unë do të isha shumë i lumtur që studentët tanë të frymëzohen nga kjo maksimë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre kurdoherë dhe në çdo rast, por në mënyrë legjitime dhe jo të bien pre e manipulimeve. Megjithatë këta studentë kanë kohë që të mos i bëjnë që të kthehen përmbys në varr mësuesit e mëdhenj të mendjes dhe të kurajos qytetare. Studentët duhet ta kujtojnë parimin bazë të drejtësisë, se asnjë nuk mund të konsiderohet fajtor pa ju provuar fajësia e tij, ndryshe ai prezumohet i pafajshëm. Drejtësia, thoshte Shën Agustini, është guri themeltar i shoqërisë civile. Mjerë drejtësia po të dëgjojë mendimet e “ekspertit” Ferraj. Ruajna Zot nga një fatkeqësi e tillë. Megjithatë rasti Ferraj provon më së miri tezën e famshme të Haidegerit: “Te çdo njeri fshihet një hiç, i cili bëhet tepër i rrezikshëm kur gjen rrethana që të shfaqet”.

 

qershor 2009

 

 

 

Please follow and like us: