Albspirit

Media/News/Publishing

Paraqitja dhe terminologjia e fjalorit të teologjisë biblike

Odette MARQUET, Ph.D.
Urdhri “Motrat e vogla të Jezusit
Paris (Francë) – Tiranë (Shqipëri)
E‐mail: psodette@yahoo.fr

Shkup 2014

Hyrje

Fjalori i teologjise biblike doli për herën e parë në Paris në vitin 1962 dhe pati shpejt një përhapje të madhe. I njohur si VTB/FTB, përkthimi në shqip u realizua prej botimit të 1999, i cili mori parasysh vërejtjet e marra. Është një vepër e përbashkët që mblodhi 70 ekzegjetë të gjuhës frënge, profesorë të
Shkrimit të Shenjtë. Është një punë në bashkëpunim, jezuiti biblist Xavier Léon‐Dufour siguroi bashkërenditjen dhe koherencën e punës. Disa sqarime në lidhje me titullin : pse Fjalor i teologjisë biblike? Është interesant të nënvizojnë se ati Ksavier Leon Dufour, pasi kishte redaktuar një fjalor biblik, pa nevojshmërinë të hartonte një vepër më të thellë me qëllim që t’i shpinte lexuesit e Biblës ta kuptonin më mirë Fjalën e Zotit. «Shkrimi i Shenjtë, fjalë e Zotit botës, teologjia, fjalë e njeriut mbi Zotin, kur ajo dëgjon fjalët e Librave të shenjtë dhe kërkon ta depërtojë gjuhën e tyre, është biblike». Njësia e Biblës është një e dhënë thelbësore e fesë, (artikujt) zërat e fjalorit theksojnë më shumë rëndësinë e doktrinës dhe shpirtësinë e fjalëve biblike, (ashtu që) prandaj titulli i përgjigjet shumë mirë veprës në fjalë. Për të kuptuar më mirë domethënien e saj duhet të lexohet hyrja: Teologjia biblike – fjalori dhe historia letrare e Biblës (Dhjata e Vjetër dhe e Re) : «Teologjia biblike e shikon njeriun vetëm përballë Perëndisë, shembëllesë e të cilit është» nëpër Krishtin, restaurues i këtij imazhi.

Problematika dhe metoda

Nga pozita gjeografike e Shqipërisë dhe nga historia e kristianizmit dalin dy traditat e krishtera, njëra katolike nën ndikimin latin roman në Veriun e vendit, tjetra ortodokse bizantine (greke) ? në Qendrën dhe në Jugun. Dihet se kristianizmi hyri shumë herët në Shqipëri, shën Pali dhe dishepujt e tij morën rrugën Egnatia në udhëtimet e tyre për në Maqedoni dhe Iliri siç e tregojnë Shkrimet e Shenjta.
Ndarja e të krishterëve në shekullin XI 1054 (shënimi 1) pati pasoja të mëdha në truallin shqiptar, Jugu dhe Qendra me Greqinë mori cilësuesin (u cilësuan) si ortodoksë, ndërsa Veriu mbeti i bashkuar me Kishën e Romës dhe u cilësua si katolik. Atëherë lindi ortodoksia bizantine që u kundërvu me katolicitetin e Kishës së Romës. Pasoja e kësaj ngjarjeje ishte që u përfundua pra me përvetësimin e një tradite bizantine lindore dhe të një tradite latine perëndimore.
Këto dy tradita kanë cakuar gjatë shekujve ndaras një terminologji fetare të krishterë. Tradita e krishterë katolike u imponua me përkthime prej latinishtes dhe italishtes me veprat e autorëve të ndryshëm: me katekizmin e Lekë Matrangës, E mbsuame chrishtere, i botuar më 1592 në Siqeli nga
emigrimi arbëresh, me Mesharin e Gjon Buzukut me Fjalorin latinisht‐ shqip e Fran Bardhit, me përkthimet e Pjetër Budit, por sidomos me librin e Pjetër Bogdanit (Bogdani 1997; Marquet 1997: 319‐321)2, autori i një vepre teologjike mbi jetën e Krishtit, ky version shqip i paraqitur në propagandën Fide në 1675, u botua vetëm në 1685 (Marquet 1997: 459‐465, 468‐472)3 pasi e përktheu në gjuhën latinisht me kërkesën e Kongregatës së Shenjtë me titullin: « Cuneus profetarum de Christo Salvatore et ius Evangelica veritate, italia, et epirotice contexta». Në hullinë e këtyre autorëve, dom Simon Filipaj
ka arritur te kurorëzimi i përpjekjeve duke kryer një përkthim të plotë të Biblës botuar në Ferizaj në Kosovë në 1994.
Tradita ortodokse bizantine greke, nga Naum Veqilharxhi (Cacaj‐Shushka 2012)4 te Theodor Haxhifilipi, nga Kostandin Kristoforidhi (Kristoforidhi 1860) 5 te Fan Noli, duke cituar vetëm emrat më të famshëm,
ka krijuar, duke u bazuar në greqishten ungjillore, një gjuhë teologjike shqipe. Përkthimi i Fjalorit të teologjisë biblike u realizua në bashkëveprim me Institutin e Historisë dhe me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë me një konsulent nga Akademia e Shkencave. Puna e redaktimit e kërkonte këtë, për të dhënë një vepër të përkthyer në një gjuhë bashkëkohore të kuptueshme për botën e sotme.
Gjuha shqipe u ruajt nëpër shekuj falë përkthimit të librave fetare, Bogdani shkruante (Marquet 1997: 297‐299): «l’Albania ha grandissima scarsezza, e quasi afatto priva di Libri in propria Lingua… Ma anche
trovandosi la Natione tra Turchi, Greci e Serviani, di continua la Lingua va perdendosi». Sundimet dhe shtypjet e pësuara gjatë shekujve, veçanërisht asgjësimi i gjithë kulturës fetare gjatë diktaturës së Hoxhës nuk kanë mundur ta ndalin këtë hov patriotik dhe shpirtëror me qenë se, në Malin e Zi me dom
Simon Filipaj, Bibla u përkthye gjatë kësaj periudhe dhe në Kosovë, tekstet liturgjike të përditësuara pas Koncilit II të Vatikanit, u përkthyen edhe ato. Të dyja traditat e krishtera perëndimore dhe lindore kanë përcaktuar një terminologji që është përdorur (respektuar). Duke qenë se Fjalori ishte një
nismë katolike, terminologjia e zgjedhur është nxjerrë më shumë nga tradita katolike e Veriut nga terminologjia ekzistuese, megjithatë kemi ndjekur një parim të hapur për të futur fjalë të reja bashkëkohore të hyra në përdorim pas Koncilit të Dytë të Vatikanit dhe gjithashtu terma të ardhur si pasojë e evoluimit të gjuhës.
Shembuj dhe diskutime

Bibla e Dom Simon Filipajit u shkrua në gjuhën e njësuar, standarde, themi sot, gjë që mundëson kuptimin e saj nga gjithë shqiptarët, vetëm pak fjalë mund ti shpëtojnë lexuesit. Ajo është një pikëreferim sepse u pranua nga të krishterët ortodoksë dhe protestantë, nga Shoqata Biblike. Një mini‐leksik u hartua për të përmendur sinonimet e traditës lindore si edhe për të dhënë një përkufizim të disa fjalëve që të ndihmojnë lexuesin të ketë një njohuri më të mirë të historisë biblike dhe të fjalorit liturgjik.
Shembuj për sinonimet: Kelk = potir, ungjillor = ungjilltar; Gjon Pagëzuesi= Gjon Pagëzori ; E diela
e larave = E diela e dafinave; shenjtërit = shenjtorët etj. Etimologjia dhe përkufizimi i disa fjalëve si edhe pak fjalë për emërtime biblike: Azimët, Besoja, E diela e Larëve, kerygma, prefacioni etj. Bibla, Apokalipsi, gjehena, Septuaginta/Shtatëdhjeta, Dhjata e Vjetër, Dhjata e Re etj.
U përzgjodhën fjalë të pranueshme për të dyja traditat, megjithatë fjalë të rrënjosura thellë në traditën katolike u ruajtën, si Shëlbues, duke përdorur edhe barasvlerësen Shpëtimtar, fjalë më bashkëkohore e përdorur në traditën ortodokse, gjithashtu Shëlbim/ Shpëtim; provani/providencë, të dy variante bashkëjetojnë. Për kelk, kelkshenjtë, me barasvlerë potir kam futur kupë, kjo fjalë i përgjigjet një kupe vere që hebrejtë pinin në darkën e natës së Pashkëve, kremtim në kujtim të çlirimit nga zgjedha egjiptiane dhe të hyrjes në Tokën e premtuar. Gjatë këtij vakti Jezusi ngriti kupën e verës dhe e ndërroi në gjakun e tij. Kjo fjalë plot kuptim përdoret mjaft pas Koncilit II të Vatikanit.
Disa fjalë gege si: lter, parrizi, mëkatnor, skandull janë zëvendësuar me barasvlerëset e tyre meqë këto mbizotërojnë në gjuhën standarde: altar, parajsë, mëkatar, skandal.
Qëllimisht janë përdorur fjalë me një përdorim të rrallë në përkthimet katolike, por shumë të shpeshta në shkrime ortodokse siç janë përdëllim në vend të mëshirë, përdëllej në vend të mëshiroj, Hyjlindëse për Nëna e Perëndisë, Virgjëreshë për Virgjër.
Fjala meshtar ka një përdorim të shpeshtë në traditën e krishterë të Veriut në vend të fjalës prift, termi rrjedh nga shërbesa liturgjike: Meshë prej latinishtes Ite missa est→mund të shkoni, faktikisht është një dërgim që i ka dhënë emrin në shumë gjuhë: messe fr. Messa it. Mass anglisht etj. Paralelisht
është përdorur prift, priftëri, priftëror krahas me meshtar meshtari, meshtarak. Që nga Koncili II i Vatikanit përdoret Eukaristia për të emëruar kremtimin eukaristik krahas me Meshën, duke qene në qendrën e kësaj shërbese falënderimi dhe lëvdata. Janë futur edhe fjalë të reja si hyjnderim baraz me kult‐in e drejtuar Zotit, hyjnderues, asketi, mbemri pashkor, shpirtshmëria/piété krahas me devocion‐in, johanik→gr Johan/Gjon. Tetragrami YHWH/Jam, i zbuluar Moisiut, përkthyer nga dom Simon
Filipaj Jahve, u zëvendësua nga hebrejtë me Adonai/Kyrios gr., Dominus lat., shqip Zot edhe Zotëri. Në shqip kemi Hyj‐i/Hyj‐u në traditën e krishterë latine dhe Perëndi‐a në traditën e krishterë bizantine, në origjinë kjo fjalë është e gjinisë femërore. Qëllimisht është përdorur Hyji më shpesh, por edhe Perëndi e Zot duke qenë se këto tri terma janë përdorur në gjuhën shqipe për të emërtuar hyjninë. Në Biblën e tij Filipaji përdori gjerësisht Hyj, por edhe Perëndi në Psalmet për shembull: ps.5 v.11 Ndëshkoji ata o Perëndi, ps. 14/13 v. 1 Tha i marri në zemrën e vet «nuk ka Perëndi» ; ps. 18 :17 v. 31 «Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër» ps. 83/82 v. 2 : «O Hyj, mos rri në qetësi, mos hesht, As mos u përmbaj, o Perëndi!». etj.
Gjithashtu është përdorur fjala Zot sepse ka një përhapje të madhe në gjuhën e përditshme te të gjitha përkatësitë fetare. E gjejmë që nga fillimi i librave të krishterë te Lekë Matranga, E mbuame e Krishterë (Mandala 2013)7: fol.v 11 Im. Cám bésæ mbǽ tænæzónæ átæ tǽ/ Besoj në Hyjin Atë..; PI Kam besë mbë Tënëzonë Atë të … Fol. 14 : D è l’istesso dio padre figliolo spirito santo Tre persone un solo dio Im. Ixtæ inæzot àti i biri xpijrti xéit PI ishte Inëzot Ati i Biri shpirti Shejt Sa i përket përdorimi i fjalës Zotëri : Filipaj ka përdorur Zotëri në Ungjillin e shën Gjonit 20, 28 dhe 21, 7: “”Zotëria im dhe Hyji im » dhe « si
dëgjoi se është Zotëri, u mbështoll… », por ne kemi parapëlqyer Zot sepse bëhet fjalë për takimin me Jezusin e ngjallur, pra Zoti Hyj qoftë Pjetri qoftë Toma na bindin se njohin Hyjninë e plotë të Jezusit siç e ka përkthyer Bogdani (Bogdani 1997: 319‐321): “Zoti im dhe Hyji im” brohorit Toma duke parë plagët e Jezusit.
Sa i përket gjinisë së Perëndisë u vërejt se në përkthimet e para kjo fjalë është përdorur në gjininë femërore. Fan Noli (Noli 1909; 1911) në përkthimet e para të 1908‐s e kishte ruajtur këtë gjini. Në E Djelë e Shegnte é Pashevé te medha gjejmë (te Krishti Kënga I): «Perëndia jonë» dhe në Mbremesoré é
Madhé: «Perandaj të thërrasim Mirëberes Krisht Perëndia jonë». Por në përkthimet e dyta të 1919‐s te Mbrëmësorja: në Ps. 4 «Dëgjoni kur të therras, o Perëndi i drejtësisë» dhe «Perëndia ime» Ps 104.
Naum Veqilharxhi (Cacaj‐Shushka 2012: 83, 98, 100): «Perëndia me të math të ti si bëri Njerinë mbi dhe, i fali…»; “Unë jam Zoti Perëndia jyt që të nxora prej Egjiptit…»; «Ndero tët’ atë e tët’ ëmë ndë do të rosh vjete shumë mbi dhe, edhe që tët’ apë shumë të mira Perëndia jyt». Tani në Kishën ortodokse dhe në përkthimet ungjillore përdoret gjinia mashkullore.
Shpirt Shenjt përdoret rëndom në të gjitha përkthimet katolike që në fillim te Lekë Matranga:
fol. 12: Cám bésæ mbǽ xpíjrtinæ xéit PI: Kam besë mbë Shpirtinë Shejt fol. 14 : D: è l’istesso Dio padre figliolo Spirito Santo tre persone un solo dio Im. íxtæ inæzót áti i bíri xpíjrti xéit PI : ishtë Inëzot Ati i biri Shpirti Shejt Te ortodoksët, përfshirë edhe arbëreshët, përdoret Frymë dhe Shpirti i Shenjtë. Edhe te protestantët e katolikët ka filluar të hyjë Shpirti i Shenjtë. Për fenë e krishterë, hyjnia është thelbi i jetës hyjnore në tre persona: Hyji Atë, Biri dhe Shpirti/Fryma, njësia e këtyre 3 vetave në një lëvizje dashurie është aq e fortë sa nuk mund të ndahet. Shën Agostini e përcakton Shpirtin Shenjt : «Puthja e përbashkët e Atit dhe të Birit».
Përfundime dhe propozime
Vështirësitë e hasura në lidhje me emrat nga prejardhja, sidomos biblike të hyra në gjuhën shqipe nga terminologji të ndryshme, shtrojnë problemin e një përcaktimi të njësuar sipas shqipes. Këto emrat, sipas përkthimeve janë shkruar të trajta të ndryshme: Noeja, Noehi, Noeu ; Isaak, Isak, Izak ; Ezau, Esau; Iakovi, Jakobi: Jozueu, Jozuehu, Jozuehi ; Llazari, Lazri; Samueli, Samuili; Osea, Ozeja, Ozeu, Ozea; Salomoni, Solomoni, Sollomoni etj. Në të ardhmen një bashkëpunim me besime fetare monoteiste do të
ishte i dëshirueshëm që të arrihet të imponohet një terminologji fetare e unifikuar.
Përmbledhje

Punimi është paraqitja e punës tepër speciale të autores për përkthimin shqip nga origjinali të veprës madhore të Xavier Léon‐Dufour “Vocabulaire de theologie biblique” prej mëse 1000 zërave në 1627 faqe dhe e problemeve të ndeshura gjatë saj. Kjo paraqitje diskutohet në kontekstin e zhvillimit gjatë shekujve të terminologjisë biblike shqiptare të të dy traditave: katolike e orthodhokse. Disa propozime origjinale e zgjedhje në përputhje me zhvillimet moderne fetare e kishtare diskutohen duke bërë krahasimet e duhura me studjuesit e tjerë në zë të fushës.

Fjalët çelës: terminologji fetare, historiografi fetare shqiptare, fjalëformime, unifikim i terminologjisë

Summary
The paper consists in the presentation of the very particular work of the author for the Albanian translation from the French original of the renowned volume “Vocabulaire de terminologie biblique”, of more than 1000 theological terms, and of the problems solved along this work. This presentation is
discussed in the context of the secular developments in Albanian biblical terminology pertaining to both traditions, catholique and orthodoxe. Some original proposals as well as some special choices in conformity with contemporary church and faith developments are also examined, comparing
the conclusions with the foremost authorities in the domain. Key words: religious terminology, Albanian religious historiography, word formation, terminology unification.
Shënime
Shënimi 1 : Në fund të Koncilit Vatikan II në 1964 anatemat u tërhoqën nga patriku Athenagoras dhe papa Pavli VI; që atëhere e tutje nuk flitet më për skizmën, por për Kisha motra dhe vëllezër të ndarë.
Shënimi 2 : Redaktimi dhe korrektimi i këtij artikulli u krye, me lejen e autores, nga Lluka Qafoku.
Bibliografia

1. BOGDANI, Pjetër (1997), Çeta e Profetëve II (jeta e Jezu Krishtit). Transliterimi në gjuhën e sotme, dr. Engjell SEDAJ, Prizren 1997. ff. 319‐321.

2. CACAJ‐SHUSHKA, Gjystina, [transkriptimi dhe transliterimi nga ](2012) , Ëvetarët e Naum VEQILHARXHIT, Faik Konica, Prishtinë 2012.

3. LÉON‐DUFOUR, Xavier (1970), Vocabulaire de Théologie biblique, Editions de Cerf, Paris 1970.

4. KRISTOFORIDHI, Konstantin (1860), Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860); Psallmet, Ungjitë etj.[dorëshkrim].

5. LÉON‐DUFOUR, Xavier (03/2005), Fjalor i Teologjisë biblike (përkthyer në shqip nga Odette Marquet) Edizioni Chirico , Napoli, 03/2005.

6. MANDALA, Matteo (2013), Lekë Matranga – Njeriu koha vepra. Botimet Ombra GVG, Tiranë, 2013.

7. MARQUET, Odette (1997), Letra dhe Dokumente, Shkodër 1997.

8. NOLI, Fan S. (1909), Librë e shërbesave të shënjta orthodoxe, Boston, 1909.

9. NOLI, Fan S. (1911), Librë të kremtevé të mëdha të kishës orthodoxe, Boston, 1909.

 

/albshkenca.org/

Please follow and like us: