Albspirit

Media/News/Publishing

Zeqirja Neziri: Studimet albanologjike në Maqedoni dhe perspektiva e tyre

 

 

 

 

 

Përmbledhje

Pikësynim i këtij shënimi për gjendjen e studimeve albanologjike në Maqedoni është vlerësimi në mikroplan i ecurisë, nga brenda, të hulumtimeve shkencore albanistike në këtë pjesë të shqiptarëve. Aty analizohen përpjekjet e tyre për t’i ndihmuar dhe për t’i çuar përpara studimet shqiptare edhe nga ky krah i kombit. Pastaj merren në shqyrtim kritik faktorët disfavorizues dhe favorizues të avancimit, por edhe të vonesës së përfshirjes së tyre në makroplanin e studimeve shqiptare. Në fund jepet një pasqyrë e përgjithshme e udhëtimit të deritanishëm, flitet për nivelin e hulumtimeve albanologjike në gjendjen e pikërishme, shtrohet pro blemi i mënyrave të organizimit, në të ardhmen dhe gjetja e mundësive më të përshtatshme për ecurinë e tyre përkrah vëllezërve të tyre në trojet etnike dhe në diasporë.

Fjalët kyçe: albanologji, alfabet, gjuhë, histori, hulumtim, letërsi, studim, shqipe, shqiptar, roman, epope.

 

Hyrje

Në këtë periudhë, tanimë më se një dhjetëvjeçarëshe, në fushën e gjuhësisë janë shkruar dhe botuar studime të ndryshme. Janë mbrojtur tema magjistrature e doktorati të disiplinave të ndryshme të shkencave albonologjike dhe janë botuar studime të fushave të gjuhësisë shqiptare, të cilat albanologjinë e kanë ndihmuar kryesisht në

çështje të tri temave bosht: (1) në zbatimin e normës standarde në mjetet e medias dhe në shkollë, (2) në dialektologjinë rajonale dhe (3) në lidhjet e shqipes me maqedonishten, gjegjësisht të maqedonishtes me shqipen. Edhe në fushën e studimeve letrare janë shtruar probleme të ngjashme të shkencës albanistike: (1) të studimit të trashëgimisë kulturore letrare, përgjithësisht shqiptare dhe të asaj locale të Maqedonisë, si dhe (2) tema të ndërlidhjeve kulturore letrare midis cultures maqedonase dhe shqiptare.

Që në fillim do theksuar se studimet albanologjike në Maqedoni punën e tyre të mirëfilltë e nisin në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur në Fakultetin Filologjik “Blazhe Koneski” të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” të Shkupit nisin punën studimet pasuniversitare edhe për gjuhë dhe letërsi shqipe; kur punësohen dy studiues të rinj në institutet shkencore ekzistuese (në Institutin e Folklorit “Marko Cepenkov” dhe në Institutitn e Letërsisë Maqedonase në Shkup) dhe kur më 4 dhjetor 1994 në Tetovë nis nga puna Universiteti Shtetëror i Tetovës, më pas edhe Universiteti i Europës Juglindore po në Tetovë.

Deri në këtë kohë, nuk do të thotë se nuk ka pasur dhe nuk kanë ekzistuar studimet albanologjike, por këto kanë qenë shumë të kufizuara, tepër simbolike dhe më tepër kanë pasur karakter pedagogjik mësimor sesa kërkimor shkencor.

Parimet e studimit mikrorajonal të studimeve kombëtare

Studimi i pjesërishëm dhe i njëanshëm i një njësie ose gjymtyre të cultures etnike kombëtare nënkupton edhe hartimin dhe përcaktimin e pa rimeve e të kritereve, në bazë të të cilëve do të udhëhiqej hulumtimi dhe elaborimi i punës. Nevoja e ndërtimit dhe e ngritjes së ndonjë parimi dhe kriteri praktik imponohet jo gjithaq nga shija dhe dëshira e studiuesit për sistemimin dhe segmentimin e materies në trajtim, sa e rrethanave dhe e kushteve jashtë këtij përcaktimi, që bëjnë pjesë në fushën ideologjike, pra janë shoqërorë dhe politikë. Në këtë kontekst edhe paraqitja panoramike e studimeve albanologjike në Maqedoni do të nënkuptonte renditjen sipas radhës kronologjike dhe vlerësimin e rritës dhe të zhvillimit, në qoftë se mund të thuhet kështu, të prurjeve shkencore albanologjike në kufijtë e Maqedonisë së sotme politike. Kështu, studiuesi i studimeve albanologjike në Maqedoni, fillimisht ndeshet me përcaktimin: ç’do të nënkuptonte e ç’do të përfshinte nën këtë përkufizim?

(1) Veprimtarinë e autoriteteve dhe të personaliteteve shkencore të lindur brenda kufijve të Maqedonisë politike, pa marrë parasysh shtrirjen dhe zhvillimin e aktivitetit të mëvonshëm, kudo që ta kenë zhvilluar – kriteri i prejardhjes;

(2) përveç kriterit të prejardhjes, a do të kërkohet që ai të plotësohet edheme kriterin tematik: veprimtaria e tyre kudo që të jetë zhvilluar, të ketë të bëjë me Maqedoninë dhe me shqiptarët në të;

(3) apo veprimtarinë e autoriteteve dhe personaliteteve intelektuale e shkencore që kanë krijuar dhe që kanë vepruar në Maqedoni, pa marrë parasysh prejardhjen dhe vendlindjen e tyre dhe, pa marrë parasysh gjuhën e komunikimit;

(4) ose veprimtarinë e autoriteteve dhe personaliteteve që kanë shkruar vetëm në gjuhën shqipe. Si duket parim më i përshtatshëm i pasqyrimit të të arriturave albanologjike në Maqedoni mbetet kombinimi i të gjitha këtyre kërkesave, edhe pse na duket se kombinimi i parimit të tretë me të katërtin do të ishte më i qëlluar: pra veprimtaria e autoriteteve dhe personaliteteve që kanë jetuar dhe veprimtarinë e vet e kanë zhvilluar brenda kufijve të Maqedonisë, që kanë marrë pjesë aktive në ngritjen, kultivimin dhe zhvillimin e cultures albanologjike në Maqedoni dhe kanë ndihmuar çuarjen përpara të studimeve shqiptare në të gjitha segmented gjeografike. Edhe pse ndihmesa e tyre ka qenë modeste, sa për të qenë, ajo duke qenë simbolike ka ndihmuar në mosshkëputjen e indeve gjithëkombëtare, në ndërlidhjen dhe funksionimin e tyre të përbashkët. Ndaj në kë të shënim do të bëjmë fjalë vetëm për ngritjen, organizimin e brendshëm, zhvi llimin e studimeve albanologjike brenda kufijve shtetërorë të Maqedonisë, pa u ndalur në veprimtarinë e autoriteteve që ndihmesën e tyre e kanë dhënë jashtë saj. Pra, do të shqyrtohen udhët e ngritjes, niveli dhe shkalla e studimeve albanologjike nëpër institucionet e larta shkencore dhe arsimore të Maqedonisë.

Studimi i gjuhës shqipe në Maqedoni

Studimi i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në nivel universitar në Maqedoni, daton herët – qysh me themelimin e Maqedonisë si njësi e përbërëse e ish federatës jugosllave më 1945. Me themelimin e Fakultetit Filozofik në Shkup, më 16 dhjetor 1946, parashihet edhe studimi i gjuhës shqipe, përkrah maqedonishtes (serbishtes), gjuhës frën ge (angleze) dhe gjuhëve të tjera sllave, sidomos asaj ruse (Todorova, 1996: II). Mirëpo, zhvillimi i mëvonshëm shoqëror politik dhe kulturor i Maqedonisë nuk tregoi interes dhe vullnet të mirë për kultivimin dhe afirmimin e studimeve albanologjike, sepse kjo nismë praktikisht nuk do të funksionojë edhe për një kohë shumë të gjatë. Vetëm pas vitit 1951-52, mund të flitet për një nismë të mbarë të studimeve albanologjike në Shkup dhe në Maqedoni, kur në gjirin e Katedrës së Sllavistikës, këto studime nisin të funksionojnë në nivel lektorati (studime dy semestrale), që pas tetë vjetësh, më 1959-60, të ngrihen në nivel katër semestral; dhe dhjetë vjet më pas, në vitin shkollor 1967-68, të ngrihen në nivel seminari (studime gjashtë semestrale), kurse vetëm nga viti shkollor 1971-72 gjuha dhe letërsia shqipe nis të studiohet në nivel katërvjeçar, pra tetësemestral universitar në nivel katedre. Deri në këtë kohë dhe për disa vjet prapa këto studime do të zhvillohen dhe mbahen vetëm prej një të punësuari: dr. Petro Janurës dhe prej tij do të u dhëhiqen deri më 1980, kur edhe pensionohet. Pas tij nisin nga puna prof. dr. Remzi Nesimi dhe prof. dr. Xhevat Gega si dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Tani Departamenti, ka në gjirin e vet 12 të punësuar dhe e ka statusin e katedrës nacionale. Nga viti shkollor 2005-06 në të organizohen studime katërvjeçare me sistemin e kreditimit të Bolonjës në dy drejtime (pedagogjik dhe përkthyes) dhe me tre plan programe mësimore: arsimor, përkthyes (shqiptarë) dhe përkthyes (joshqiptarë). Megjithatë, në ndërkohë, kryesisht për nevoja mësuesie të shkollave tetëvjeçare, gjuha dhe letërsia shqipe (në nivel katërsemestral ose dyvjeçar, sa zgjasnin këto studime), nga viti 1957 studiohej edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Kliment Ohridski” të Shkupit. Një kohë, kjo shkollë e lartë, kishte punktin e vet në Tetovë, por ishte afatshkurtër, u mbyll pas demonstratave të vitit 1968. Ky institucion nga viti 1992 u shndërrua në Fakultet Pedagogjik.

Veprimtaria kërkimore shkencore

Studimet albanologjike, në nivel pasuniversitar, në Shkup dhe në Maqedoni, nisin pas vitit shkollor 1993-94, kur nisin studimet pasuniversitare edhe për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe kur filluan të shkruhen e të mbrohen edhe punime magjistrature dhe doktorati nga studiues (shqiptarë dhe të huaj) të interesuar për shkencat albanologjike. Në këtë periudhë gati pesëmbëdhjetëvjeçare janë përgatitur dhe janë mbrojtur 16 magjistratura (10 në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Universitetin e Shkupit dhe 6 në Universitetin Shtetëror të Tetovës) dhe 19 doktorate (16 në Shkup dhe tri në Tetovë). Në Universitetin e Evropës Juglindore ende nuk janë organizuar mbrojtje magjistraturash dhe doktoratesh, sepse sapo kanë nisur me studimet pasuniversitare. Deri në vitin 1968, kur botohet libri Nga historia e alfabetit të shqipes i Petro Janurës është vështirë të flitet për ndonjë veprimtari të mirëfilltë kërkimore shkencore dhe botuese me pretendime shkencore albanologjike, sepse këto kanë munguar, pothuaj, krejtësisht. Edhe pse nga viti 1962 në Shkup kishte nisur të botohet revista “Jehona”, ku, kohë pas kohe, botoheshin edhe shkrime nga fusha të gjuhësisë apo të letërsisë, recensione për libra të botuar, të cilat pretendonin të jenë shkencore, ato më tepër ishin informative, njohëse e pseudoshkencore sesa shkencore, të cilat, botoheshin te popujt përreth, ose edhe te bashk atdhetarët e tyre në Shqipëri ose në Kosovë. Përkundër faktit se nëpër faqet e kësaj reviste botoheshin artikuj edhe të studiuesve nga Shqipëria dhe Kosova, ajo as për së afërmi nuk mund t’i përmbushte kërkesat, t’i plotësonte standardet dhe nevojat të bëhet bartëse e mendimit shkencor albanologjik, si e shtronin dhe kërkonin revistat simotra si këtu në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, ashtu edhe në rajonin e Europës Juglindore e të mos flasim për ato europerëndimore.

  1. Nëse i bëhet një analizë studimeve të fushës së dialektologjisë rajonale do të shohim se janë bërë studime monografike për të folme të ndonjë vendbanimi me karakter lokal, periferik ose me karakter krahinor. Prijnë, në këtë drejtim, temat me karakter lokal, përkundër atyreve me karakter më të gjerë rajonal e krahinor. Janë bërë studime të tipit e folmja e Prespës (A. Poloska), e Prilepit (M. Ibrahimi); por edhe e folmja e Pollogut të Tetovës e Gostivarit (F. Reçani), e Karadakut të Shkupit (A. Hamiti). Karakteristikë e përbashkët e të gji thë këtyre punimeve, në aspektin me todologjik është se mbizotëron klishetizmi. Në vija të përgjithshme, me pak përjashtime, të gjithë ndjekin ecuri të njëjtë metodologjike, japin informacion për të gjitha shtresat kryesore gjuhësore (fonetike, morfologjike, sintaksore dhe leksikore) në terren dhe kështu paraqesin një pasqyrë të plotë të të folmes së vendbanimit ose rajonit në shqyrtim. Në këtë aspekt, këto studime monografike, në vija të trasha do të ishin përshtatje e përpiktë e metagjuhës me standardin gjuhësor shqiptar, sipas modelit të librit-dispencë të dialektologjisë shqiptare të Jorgji Gjinarit (1962).

Përkrah tyre, janë shtruar edhe çështje ndërgjuhësore midis maqedonishtes dhe shqipes (R. Nesimi, H. Ymeri, Z. Osmani, A. Poloska, A. Hamiti, M. Ibrahimi, I. Halili). Është me interes të theksohet se, nëpër këto tema të fundit, më fort janë rrahur çështje në drejtim të hulumtimit të elementeve të maqedonishtes në shqipen, kurse e kundërta, të shqipes në maqedonishten, që mendoj se do të duhej të ishte thelbi i synimeve kryesore të këtyre lloj interferencash dhe ku mund të jepej një kontribut më i madh i specialistëve të kësaj fushe, janë trajtuar fort pak, për të mos thënë ato kanë ngecur krejtësisht. Shkrimet e kësaj natyre janë të rastit, sipërfaqësore dhe incidentale. Domethënë, në trajtimin e çështjeve të ndërsjella të elementëve dhënës dhe marrës të shqipes me maqedonishten rëndësi më e madhe i është kushtuar elementit marrës të shqipes dhe jo atij dhënës. Shpjegimi i një dukurie të këtillë nuk kërkon ndonjë arsyetim të madh dhe nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse autocensurë e autorëve, që fundja, çon në përfundimin se janë diktuar nga rrethanat shoqërore politike të kohës.

Në këtë drejtim një vëmendje të veçantë meritojnë studimet më të reja për çështje gjuhësore të fushës së morfonologjisë dialektore (I. Osmani), ose të huazimeve (I. Murtezani), të zbatimit të normës letrare (L. Ademi), ose të gjuhës shqipe në këngët kërçovare (L. Ademi), si dhe të fushës së leksikologjisë – hartimi i fjalorëve dygjuhësorë shqip-maqedonisht dhe e kundërta, çfarë janë botuar nga dy ekipe, në të dy variantet (K. e A. Agai dhe H. Ymeri e Z. Osmani).

  1. Edhe pozita e studimeve albanologjike në fushën e letërsisë, pak a shumë është e njëjtë, por me një ndryshim të vogël, se këtu mbizotërojnë temat thjesht shqiptare mbi temat ndërshqiptare. Edhe në këtë fushë studiuesit janë orientuar në dy drejtime: (1) studimit të kulturës letrare kombëtare shqiptare në përgjithësi dhe të asaj të Maqedonisë, si pjesë përbërëse e asaj kombëtare në tërësi; dhe (2) të lidhjeve letrare kulturore shqiptare maqedonase e sllave jugore. Në këtë drejtim, si e theksuam, më të shumta janë temat e grupit të parë nga ato të grupit të dytë. Nga studimet e grupit të parë prijnë temat që lidhen me traditën folklorike të shqiptarëve të Maqedonisë. Në këtë fushë janë bërë studime për zona të ngushta, si doket, ritet dhe lirika e shqiptarëve të Dervenit të Shkupit (I. Murtezani, I. Osmani), të Prilepit (M. Ibrahimi), të Maqedonisë si tërësi më vete (B. Asani). Pastaj janë punuar edhe tema me karakter të përgjithshëm, si për këngët e kaçakëve e të tanzimatit (H. Xhaferi). Janë bërë dhe janë botuar studime monografike për autorë të veçantë që, në të kaluarën, gjeografikisht kanë jetuar në territorin e Maqedonisë, ose që pas krijimit të këtij shteti kanë krijuar në gjuhën shqipe, si A. Gajtanin (Xh. Gega), A. Islamin (Z. Kadriu), M. Isakun (N. Sadiku) dhe të atyre që krijojnë në të dy gjuhët, si Luan Starovën (A. Leka, A. Rexhepi).

Por janë bërë studime monografike dhe janë botuar libra edhe për personalitete të mëdha e të shquara të cultures letrare shqiptare të të kaluarës, si për Migjenin (Petro Janura), Faik Konicën (Luan Starova), Pjetër Budin (Z. Neziri), Gjon Buzukun (Z. Neziri), Lasgush Poradecin (Mirlinda Krifca), romanin epope të Sterjo Spasses (Islam Saliu). Gjithashtu janë bërë studime përgjithësuese në tema të veçanta e specifike si për dramën shqipe të traditës – nga Santori deri te Floqi (A. Leka), ose të pozitës dhe personalitetit të femrës në kulturën shqiptare – zakonore dhe të Rilindjes (Teuta Arifi); ose tema teorike të studimit të romanit shqiptar (Nehas Sopaj), të letërsisë shqipe midis dy luftërave botërore (Mirlinda Krifca), të letërsisë shqipe në Maqedoni pas Luftës së Dytë Botërore (Xhevat Gega) etj.

Një meritë e veçantë e studiuesve shqiptarë që jetojnë në Maqedoni është hulumtimi i pikëtakimeve tematike e motivore të anasjella shqiptare maqedonase, si dhe i elemetëve të përbashkët letrarë midis letërsisë shqipe dhe maqedonase, si në fushë të eposit dhe të baladave (I. Murtezani), ose vetëm të baladave shqiptare me ato maqedonase (Z. Neziri, I. Krosi) dhe të elementeve të përbashkëta tematike të prozës gojore (N. Sadiku), ose të pozitës së gruas në fjalët e urta (V. Toska). III. Një ndihmesë të veçantë në studimet albanologjike paraqet edhe botimi i librave mësimorë (si dispensa dhe si tekste mësimore) të hartuara nga mësimdhënësit e Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Ndër to përmendim dispensat e Zeqirja Nezirit (Letërsia gojore shqiptare I, 1997; dhe Historia e letërsisë shqiptare I, 1998), të Avzi Mustafës (Metodika e gjuhës dhe e letërsisë, ), Nehas Sopajt (Letërsia për fëmijë, 1999) dhe Asllan Hamitit (Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, 2005). Po ashtu janë për t’u përmendur edhe librat për mësimin e shqipes nga maqedonasit, që janë përgatitur nga disa autorë: R. Nesimi, Q.D. Memeti, A. dhe I. Hamiti, M. Ibrahimi.

Përfundime

Arsyet e një ngecjeje kaq të madhe dhe të një ecjeje kërmilli të studimeve albanologjike në Maqedoni janë pasojë e mosangazhimit dhe mosinteresimit, mungesës së gadishmërisë dhe të vullnetit të mirë të shtetit të Maqedonisë për ballafaqim intelektual me problemin e çuarjes përpara të studimeve albanologjike, ndaj këto ishin hudhur në periferi, qenë margjinalizuar dhe lënë krejtësisht në mëshirën e pushtetarëve të kohës. Pospërkrahja gjen mbështetje dhe shpjegohet me sundimin e paragjykimeve monocentrike të pushtetit dhe të kulturës, pra edhe të dijes e të shkencës në përgjithësi. Albanologjia në Maqedoni është peng e ksenofobisë, apostrofimit të politikës maqedonase dhe i naivitetit, shkurpamësisë e lokalpatriotizimit të shqiptarëve. Në këtë kontekst, shteti i Maqedonisë, nuk përmbushi parimet declarative të ratifikuara ndërkombëtare për të treguar interes më të madh për studimet albanologjike, në mos për nevojë të albanologjisë në përgjithësi, atëherë (1) për nevojë të studimeve të maqedonistikës, disa nga proceset gjuhësore të të cilës nuk mund të ndriçohen e të shpjegohen nëse nuk studiohen dhe njihen pikëtakimet edhe me shqipen. Pikëtakime këto që kanë një histori të gjatë dhe shtrihen që nga periudhat më të errta historike të dyndjeve slave në Ballkan (në shekujt VI–VIII) dhe shënojnë një kohëzgjatje më të madhe se pesëmbëdhjetëshekullore; (2) as për nevojë të përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare, pra, edhe “ish–jugosllave” për hulumtimin dhe ruajtjen, zhvillimin dhe kultivimin, studimin dhe afirmimin e kulturës albano logjike, si pjesë përbërëse të kulturës së përgjithshme të Maqedonisë, si culture e një pjese të popullsisë, e cila sipas pozitës së pjesëmarrjes në numrin e përgjithshëm të popullsisë (si e dyta që ka) konkurron me të parin. Për t’u tejkaluar kjo situatë është e nevojshme bashkërendimi i forcave in telektuale shqiptare, krijimi i institucioneve kërkimore shkencore të pa varura dhe paralele, sepse përvoja e deritanishme e përfshirjes simbolike të shqiptarëve me nga një të punësuar në ndonjë institut u tregua e papërshtatshme dhe nuk i përmbush as për së afërmi nevojat studimore albanologjike. Me një studiues në Institutin e Folklorit, po me një tjetër në Institutin e Letërsisë Maqedonase dhe me asnjë në Institutin e Gjuhës Maqedonase nuk mund të flitet për përfshirje të shqiptarëve në rrjedhat kërkimore shkencore albanologjike në Maqedoni.

Bibliografi

  1. Todorova, Liljana (1996), 50 godini Filoloshki fakultet, Jubileen godishen zbornik. Annuare, 22/I, Filoloshki fakultet, Skopje.

WWW.ALB-SHKENCA.ORG

 

Please follow and like us: