Albspirit

Media/News/Publishing

LETRA E EDIP TËRSHANËS, MANIFEST I NACIONALISTËVE SHQIPTARË, 1948

Edipi, i linduri i familjes në zë Tërshana më 15 mars 1907, ishte djali i katërt i Abdurrahmanit dhe i Sabries.

Shkollën normale në Elbasan e mbaroi në vitin 1928.

Më 16 shtator 1928, fillon punë si mësues në shkollën plotore Shijak. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë. Manifeston në sheshe për ditën e flamurit. Përleshet me forcat e kuesturës.

Në pranverën e vitit 1942 nga kontakti me elementë antifashitë si Irfan Hajrullai dhe Mustafa Gjinishi krijon Këshillit Antifashist të Dibrës, zgjidhet kryetar i këtij Këshilli.

Në 8 shtator 1943 Italia kapitullon. Këshilli Antifashist i Dibrës del nga ilegaliteti. Mbrojtjen e qytetit e mori komanda partizane. Filluan plaçkitjet në qytet. U dogjën shtëpi të nacionalistëve. Edipi jep dorëheqjen nga kryetari i Këshilit Antifashist në shenjë proteste.

Më 24 shtator 1943 mbahet një takim i Mithat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzit, me krerët dibranë, Fiqiri Dine dhe Cen Elezi për organizimin e një Komiteti Kombëtar dibran. Ndërkohë komunistët kishin marrë në dorë drejtimin e këshillit. Në Dibër krahas flamurit shqiptar u ngrit edhe ai maqedonas. Shenja e parë e tradhëtisë. Edipi heq dorë përfundimisht nga ky këshill.

Në mars 1945, pjesëmarrës të rrymave të ndryshme politike, parashtruan ngritjen e një organizate antikomuniste në Dibër; krijuan bërthamën e organizatës që do të quhej “Bashkimi Demokratik” me përfaqësues nga rryma si: social-demokratë, monarkistë dhe të grupit të rrezistencës. Lidhjet me Tiranën i mbante Qenan Dibra.

Aktiviteti ra në sy të sigurimit të shtetit. Krerët e Dibrës morën malet ose u arrestuan. Po ushtrohej terrori komunist.

Edipi ende ishte strumbullari i lëvizjes antikomuniste në Peshkopi.

Më 17 maj 1947 Edip Tërshana dhe shokët arrestohen. Në mbarim të hetuesisë, ai takoi vajzën dhe djalin. I kishin sjellë ushqime të mbështjella me gazetën “Bashkimi”. Anët e kësaj gazete përdori Edipi për të shkruar dy letra, njërën për të bijën, Lirinë, tjetrën për diktatorin Enver Hoxha. Preu damarët t’i jepte fund jetës. Të mbytur në gjak rastësisht e gjeti një nga rojet.

Më 21 nëntor jepet vendimi. Edipi u dënua me vdekje me pushkatim.
Edip Tëshana u pushkatua më 17 janar 1948
Me rastin e 60-vjetorit të ekzekutimit u dekorua me medaljen “Shqiponja e artë”.

2. LETRA E EDIP TËRSHANËS – MANIFEST I NACIONALISTËVE SHQIPTARË, 1948

Letra e plotë drejtuar diktatorit Hoxha arrin deri tek ne. si më poshtë:

Enver! Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhëti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtëme e juaj sllave,ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.
Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij Populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkoh, qëne kishim për 20 vjet rresht –mbathje, kjo është pra tradhtia.
Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.
Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti. Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhëti këto?
Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët.Kjo bësoj është tradhëti. Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?
Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepullli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.
Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundra, se oficerët të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi. Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?
Enver!
Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhëti e pushtetit popullor.
Ky Pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhëti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhëti?
Rroftë Ideali Kombëtar!
Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ja falët Jugosllavisë!
Rroftë Populli Shqiptar!
Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur! 22.11.1947

Please follow and like us: