Albspirit

Media/News/Publishing

Darka e sekrete e pashait shqiptar

Duke lexuar për jetën romaneske të autorit të romanit « Konti i Monte Kristo », Alexandre Dumas, kisha ndeshur dhe një shënim të tij për vdekjen e poetit të famshëm Gerard de Nerval, të cilin ai dhe gjithë gjenerata e shkrimtarëve bashkëkohës e çmonin shumë. Në të ai shkruante : « … Ju zbrisni shtatë shkallë dhe ja ku gjendeni në një lloj dyshemeje. Përballë, në lartësinë e kokës tuaj, një zgjatim të çon deri te kovaçi pranë. Në errësirë, në thellësi të kësaj kubeje, zbulohet një lloj dritareje me shifra hekuri siç janë dritaret e burgjeve. Zbrisni dhe pesë shkallë dhe ndaloni tek e fundit, duke ngritur krahun deri tek hekuri ku ai kishte lidhur fillin me të cilin u mbyt. Një shirit i bardhë si ato që përdoren për përparëset. Përballë një kanal i hapët i mbyllur pastaj me një rrjetë teli. Ju thashë, vendi aty është i frikshëm. Përballë, tutje shkon rruga Rue de la Lanterne, që ngjitet drejt Rue aint-Martin. Në këtë rrugë, djathtas, është diçka e ndytë me një fener, ku sipër është shkruar « Strehim nate »… « Kafe me ujë ! »

Teksti i Dumas më intrigoi që të zbuloja diçka më shumë rreth jetës se Nerval, nga i cili kisha lexuar veç një tufë poezish që e kishin tërhequr pa masë dhe në veçanti përkthimi i tij i Leonore-s, të një poeti gjerman, i cili legjendën ballkanike të Këngës së Konstandinit e kishte kthyer në një krijim artistik. Edhe pse me individualitete të ndryshme, në karaktere, zhanre që i dallonte mes tyre, Nerval dhe miku i tij Maupassant bashkoheshin në një pikë : që të dy ishin shpirtra të trazuar që vuanin në mënyrë të jashtëzakonshme. Maupassant do përjetonte vetë më pas atë makth të tmerrshëm që do ta përshkruante në librin e tij të fundit La Horla, duke vuajtur pikërisht në të njëjtën klinikë psikiatrike ku më parë kishte qenë Gerard de Nerval. Sidoqoftë, edhe pse e shkruar letrarisht, në revisten e tij Le Mousquetaire, Dumas vazhdonte tregimin se ç’kishte ndodhur atë natë dimri të me të mirin dhe të mjerin Nerval :

« E pra në atë shkallë, të premten në mëngjes, në orën shtatë e tre minuta, u gjend trupi ende i ngrohtë i Gerard, me kapelen e tij në kokë… » Sipas tij, ai që e pikasi në fillim, e liroi menjëherë nga rripi që e kishte mbytur dhe kishte njoftuar mjekun i cili erdhi dhe i hoqi pak gjak që të mund ta shpëtonte, por më kot. Ai kishte vdekur dhe ashtu pa jetë e çuan në spitalin e Hôtel de Ville e pastaj në morg. Në regjistrin e asaj dite ishte shkruar : « De Nerval, Gerard, dy jelekë njëra mbi tjetrën, këpucë të llustruara, qafore e zezë mëndafshi, dy këmisha… »

Ndërkohë që kujtoja këtë histori, unë kalova afërt katedrales « Notre Dame », duke kapërcyer më pas bregun tjetër të Seine që të mund të arrija në vendin ku mendohej se kishte vrarë veten Nerval. Por në hartën e Parisit ajo rrugë nuk ekzistonte dhe kjo me siguri që nga koha e baronit Haussman i cili ndërmori një revolucion të tërë për rikrijimin e fytyrës së re të kryeqytetit francez dhe ku shumë ndërtesa, rrugë, etj., u shëmbën për tu lënë vendin trotuareve të reja dhe bulevardeve të mëdha. Më së fundi ndalova në Rue Saint Martin, pikërisht në atë rrugë kur kishte lindur Gerard de Labronie e që më vonë do të quhej De Nerval e ku një pllakë mermeri tregonte ende shtëpinë ku kishte lindur. Por rruga « Rue de la Vieille Lanterne » (apo Rruga e Fenerit të Vjetër ») nuk ekzistonte më dhe ishte fshirë nga hartat e qytetit. Në atë vend tashmë ishin një mori kafenesh e dyqanesh përmbytur nga turistët që vinë rrotull si zakonisht rreth Chatelait dhe katedrales së Notre-Dame.

Përse Nerval e kishte vrarë veten ? Ai ndërkohë sapo kishte marrë vizat nga konsullata e Perandorisë osmane dhe konsullata të tjera për tu larguar nga kryeqyteti, siç kishte dëshirë ai, larg cfilitjeve të shpirtit, trazirave dhe jeta e tij mundimshme përjetuar në delir në klinikën e doktor Blanche. Në pasaportën e gjetur në xhepin e tij, tek viza otomane, shkruhej gjithashtu: “1.68 cm, flokë gështenjë, ballë i lartë, qepalla gështenjë, sy gri, hundë e madhe, gojë mesatare, mjekër gështenjë dhe një mjekër rrumbullake…”

Fotografia e tij e fundit ishte ajo që do t’i bënte fotografi i madh Nadar, fotografi i artistëve, një javë para se të vdiste. Nadar i kishte fotografuar të gjithë të mëdhenjtë, me Baudelaire, Verlain, Delacroix, Hugo, Balzac e të tjerë. Por fotografia e Nervalit ishte e trishtë, e dhimbshme tek e shihje, me një trisht të pafund. Poeti ishte në ditët e fundit të tij. Vallë do arrinte të shtegtonte dhe njëherë drejt Orientit, Libanit të tij të dashur? Vallë do ta takonte sërrish pashain shqiptar të Akrës? Ai donte shumë, por e ndjente se ky udhëtim s’do të bëhej kurrë. Kishte një muaj që e kishte lënë klinikën e doktor Blanche, edhe pse ai kërkonte që ai të kthehej. Por që të qëndronte atje duheshin para dhe ai nuk i kishte këto. Ja pse dhe vdekjen e shikonte si diçka shpëtimtare, si diçka ngushëlluese.

Nervali bridhte, nga një pijetore në tjetrën për të mposhtur dhimbjen e shpirtit dhe fantazmat e tij, për t’i harruar ato që e linçonin orë e çast. Pinte dhe shkruante ndonjë varg të errët ku nuk e shihte më dritën e jetës. Siç tregonte miku i tij Asselineau, ai e kishte takuar në rrugë dhe i kishte ofruar para që ta ndihmonte, por poeti i mori veçse 5 franga, thjesht për të shtyrë ditën gjer të nesërmen. “Kaq mori”, kujtonte ai. Dhe Nerval vazhdoi udhëtimin e tij brenda asaj lagjeje, në të ftohtit e madh të atij dimri të vitit 1855, ku temperatura shkonte gjer në -18°. Sena ishte mbushur me borë, brigjet e saj zbardhnin dhe te rrallë ishin njerëzit që kalonin andej.

“Ato netë, – tregonte Asselineau, – ai flinte ku të mundte. Rreth 25 janarit, i lodhur dhe i ngrirë nga të ftohtit, ai u fut në një nga ato kabaretë e lagjes së varfër ku gjen mikpritje veç për një gotë verë. Por në muzg e nxorrën jashtë. Dhe ai shkoi të trokiste në hotelin aty pranë ku e njihnin, por atë natë s’kishte vend për të, meqë gjithë shtretërit ishin zënë dhe pronarja nuk ia hapi portën”. Dhe ishte e habitshme, rruga quhej “Rue de la Tuerie” (Rruga e vrasjeve”), emër që si duket do të ndillte dhe fatin e tij.

Darkë tek pashai shqiptar

Atë ditë që kërkoja gjurmët e Nervalit në Parisin e tij të dashur, mu kujtuan shënimet e poetit për udhëtimin e tij në Liban dhe historia e atij fshati të madh quajtur Betmeri të banuar nga dy klane të ndryshëm : nga druzët, një sekt i çuditshëm dhe maronitët e krishterë. Meqë mes këtyre dy klaneve kishte luftë të përhershme dhe vrasjet ishin të shumta, atëherë guvernatori i Libanit kishte çuar një trupë prej nja dhjetë shqiptarësh, të cilët e vendosën kampin midis tyre. Që nga ajo kohë, – kujtonte Nerval, vrasjet pushuan. Askush nuk mund të thyente autoritetin e shqiptarëve. Por kujtimi i tij mëi nteresant për shqiptarët është kur shkon në Akrë (Saint-Jean – d’Acre apo Ako) ku takohet me guvernatorin apo pashain të qytetit mesjetar me katedralen ku kishte qenë varri i Frederic Barberousse dhek u kishte varrin dhe xhaminë e tij Xhezair pasha, kjo figurë e habitshme, I cili do të thyente dhe vetë ushtrinë e Bonapartit gjatë kohës së fushatës së Egjiptit, atëherë kur Bonaparti erdhi gjer në Akrë me gjeneralin e tij Kleber. Edhe pse e rrethoi dhe e bombardoi tmerrsisht qytetin dhe kështjellën e Akrës ushtria e Bonapartit nuk arriti ta mposhtë strategun Xhezair. Koinçidencë e habitshme për Gerard de Nevral, poetin e madh të Francës, që pikërisht në këtë qytet të takonte një pasha shqiptar të cilin vite më parë e kishte takuar në Paris ku kishin folur në frëngjisht. Nerval kishte zbarkuar në qytet, kishte lënë pas anijen “Santa Barbara”, kishte kaluar pazarin, xhaminë e Xhezair Pashës, kishte venë turbanin në kokë dhe ashtu si një musliman i paqtë kishte shkuar të takonte pashain, i cili banonte në apartamentet e tij jashtë qytetit, pranë një akuaduku. Tek hyrja i kërkuan t’i heqë çizmet por ai s’pranoi, për t’i dhënë rëndësi vetes. Ja çfarë shkruante Nerval në librin e tij Udhëtim në Orient (Voyage en Orient):

« Prisja që të pritesha në mënyrë europiane por pashai më uli pranë tij në divan dhe vendosi të fliste italisht, edhe pse e kisha dëgjuar të fliste frëngjisht në Paris. – A je mirë – më tha, – a po bën qef ? – dhe ai bëri me shenjë të sillnin çibukun dhe kafenë. Ne folëm për vendet dhe pikëtakimet tona dhe ai përsëri më tha : – A po bën qef ? Dhe ai përsëri më ofroi kafe. Atë ditë kisha përshkuar rrugët e Akrës gjithë paraditen, kisha rrefuzuar bukën dhe sallamin e Arles që më ofroi marsejezi që më shoqëronte, duke shpresuar në mikpritjen muslimane. Por biseda po zgjatej dhe ai përsëri më ofronte kafe pa sheqer dhe duhan. Dhe për të tretën herë më tha : – A po bën qef ? Atëherë u ngrita dhe mora leje. Në këtë çast sahati sipër kokës time tingëlloi një muzikë, një arje e vërtetë. Pastaj sahati tjetër tingëlloi. Po kështu dhe një i tretë, i katërt. Edhe pse i mësuar me botën turke, u habita sesi i kishin grumbulluar në atë sallë aq shumë pendulë. Pashai dukej i lumturuar nga kjo harmoni muzikore madje krenar t’i tregonte një europiani dashurinë e tij për progresin.

Ishte pasdite dhe freskia e atij flladi bregdetar sikur i zgjonte njerëzit nga gjumi. Ne dolëm nga kafeneja dhe unë nisa të shqetësohesha për darkën, por kavasi, nga i cili kuptoja jo mirë atë gjuhë më hsumë turqisht se arabisht, më përsëriste gjithnjë : « ti sibir », si ajo puna e levantinëve tek Molieri. – Pyete se ç’duhet të bëjmë, – i thashë maresejezit. – Thonë se është koha për të hskuar tek pashai. – E përse ? Përsëri ?

– Për darkën. – O Zot ! Nuk e kisha menduar se pashai na ftonte dhe për darkë.

– Që nga çasti që ai ju ka venë shoqërues, kuptohet që jeni i ftuari i tij. – Në këto vend zakonisht pritja bëhet në drekë. – Por jo tek turqit, ku e ngrëna kryesore është kur perëndon dielli, pas lutjes.

Kështu u ndava me marsejezin dhe u drejtova nga shtëpia e pashait. Duke hyrë në të njëjtin vend ku kisha hyrë në mëngjes, unë nuk i pashë më atë grumbull këpucësh tek hyrja poshtë shkallëve, as vizitorët e shumtë aty poshtë. Më shoqëruan në sallën e sahateve dhe pastaj në dhomën ngjitur të pashait, i cili po tymoste i pështetur në dritare. Ai u ngrit dhe më shtrëngoi dorën si një francez : – Si shkon ? A e shëtite qytetin tonë të bukur ? A i pe të gjitha ? – më tha ai në frëngjisht. Pritja e tij ishte ndryshe nga ajo e mëngjesit dhe unë u habita shumë. – Ah, më fal nëse në mëngjes ju prita si pasha, por ata trimat e mi aty poshtë nuk do më kishin falur tu prisja pa etiketën e një pashai përballë një Franku. Në Stamboll të gjithë do e kuptonin, por këtu jemi në province.

Pasi e theksoi këtë ai më tregoi se kishte qenë si nxënës në shkollën pergatitore të artillerisë në Metz dhe Lorraine. Më tregoi se kishte jetuar gjatë dhe me këtë rast unë i fola për disa miq të mi që kishin qenë në atë shkollë bashkë me të. Ndërkohë, goditja me top nga porti i qytetit lajmëronte perëndimin e diellit. Një zhurmë e tambureve dhe e cyleve njoftonin orën e lutjeve për shqiptarët e tij që ishin shpërndarë nëpër oborr. Pashai më la një çast, me siguri për të bërë shërbimet e duhura fetare dhe kur u kthye më tha : – Eja të hamë në mënyrë europiane.

Ndërkohë sollën karrige dhe një tavolinë në vend të sofrës rrumbullake e rrotulluese me një pjatancë metali në mes dhe jastikët që i sillnin për tu mbështetur, siç bëhej zakonisht. Ndjeva se kishte diçka të sforcuar në tërë këtë ritual dhe mua s’më pëlqente që këto zakone europiane pak nga pak po pushtonin vendet e Orientit – Ju më patë paradite me rrobën e zezë të pashait ! – shtoi ai. Dhe kishte të drejtë. Megjithatë e ndjeva se dhe unë kisha të drejtë. Cfarëdo që të bëjë një musliman, çdo përkujdesje, nuk mund ta bëjë njëlloj si europianët. I thashë madje se po më trajtonte si një turist të zakonshëm. Zakonet europiane që ai ka adoptuar kthehen në një farë mase në një zonë neutrale, ku duke më pritur kështu ai ruajte njëkohësisht identitetin e tij. Ai pranon të imitojë zakonet tona, të flasë gjuhën tonë, por veç për ne. Ai i ngjan një personazhi baleti që është gjysmë fshatar dhe gjysmë Senjor. Ai i tregon Europës anën e tij si xhentëllmen por për Azinë është një musliman i vërtetë. Sidoqoftë unë gjeta tek pashai i Akrës një njeri të mrekullueshëm e plot mirësjellje por dhe me një ndjesi trishtimi për atë që fuqitë e mëdha europiane bënin shumë presion mbi Turqinë… Ndërkohë pashai qeshte dhe më tregonte historitë gazmore që kishte përjetuar në shkollën e tij në Metz. – Një francez… një fracez që thyhet! – qeshte ai, dukek ujtuar luftën e Xhezair Pashës. – Jam dakort që Saint-Jean-d’Acres nuk është i favorshëm për ushtritë tona. Por tani ju jeni të vetëm në luftë dhe nuk i keni më topat e Anglisë !… Më së fundi ne u ndamë. Më çuan nga salla e madhe e ndriçuar me një qiri të madh në një shandan përtokë. Kështu ishte zakoni. Skllavet më shtruan ca jastëkë mbi dysheme dhe sipër i hodhën një çarçaf të qepur anash me një mbulesë. Për më tepër më lanë dhe një kapuç mëndafshi, të cilën ma vunë anash kokës si të ishte një pjepër…

Please follow and like us: