Përtej mitit të viktimizimit: Si e zbërthen historiania Dubravka Stojanoviq rrënjët e albanofobisë dhe spastrimit etnik në Serbi
Ismet Hajrullahu
Në mjedisin politik dhe akademik të Serbisë, ku narrativa zyrtare shpesh bazohet mbi mitizimin e historisë dhe mohimin e krimeve ndaj shqiptarëve, deklaratat e historianes dhe shkencëtares së njohur serbe, Dubravka Stojanoviq, përbëjnë një kthesë mjaft të papritur dhe të guximshme.
Përmes një analize të bazuar në dokumente, Stojanoviq ka thyer një nga tabutë më të mëdha të shoqërisë ku jeton, duke deklaruar hapur se serbët vuajnë nga një albanofobi e thellë dhe e strukturuar. Kjo urrejtje, e ushqyer ndër shekuj, është një politikë e ndërtuar me vetëdije, që shfaqet përmes stereotipeve negative, paragjykimeve të skajshme dhe një diskriminimi sistematik ndaj pjesëtarëve të popullit shqiptar.
Sipas historianes Stojanoviq, kjo albanofobi e tejkalon kuadrin e një intolerance të thjeshtë kombëtare dhe merr shpesh formën e racizmit të “pastër”. Ajo shpjegon se ky qëndrim lidhet drejtpërdrejt me besimin e rrënjosur në qarqe të caktuara se shqiptarët përbëjnë një lloj race inferiore. Ky racizëm i skajshëm dhe këto ndjenja anti-shqiptare gjejnë pasqyrim të përditshëm edhe në gjuhën serbe, veçanërisht përmes përdorimit të qëllimshëm të termit pejorativ “shiptari”. Ky emërtim, i ngarkuar me konotacione tejet negative, përdoret si ofendim dhe mjet dehumanizimi për ta paraqitur tjetrin si më pak të vlefshëm.
Rreziku më i madh i kësaj ideologjie qëndron në faktin se ajo u projektua nga elita intelektuale dhe ajo politike. Gjatë gjithë historisë, intelektualë dhe akademikë të shquar serbë kanë propozuar projekte të ndryshme anti-shqiptare për zhvendosjen, dëbimin apo asgjësimin e tyre. Në këtë linjë të errët ideologjike, Stojanoviq përmend emra të njohur të elitës serbe, si Jovan Cvijiq, Vaso Çubriloviq, Ivo Andriq, Milan Vukotiq, Stevan Moljeviq e të tjerë, të cilët i dhanë mbulesë “shkencore” dhe akademike planeve shtetërore për spastrim etnik.
Fillimet e kësaj propagande anti-shqiptare në Serbi datojnë që nga fundi i shekullit të 19-të dhe janë të lidhura ngushtë me aspiratat ekspansioniste të shtetit serb ndaj territoreve të pushtuara nga Perandoria Osmane, që banoheshin historikisht nga shqiptarët. Pas Luftës Serbo-Turke dhe zgjerimit territorial të Principatës së Serbisë në vitin 1878, këto projekte u zbatuan me vrasje të pashembullta. Kjo periudhë shënon dëbimet masive të shqiptarëve etnikë nga rajonet e pushtuara, ku goditjen më të rëndë e pësoi rrethi i Toplicës, i cili ishte plotësisht i banuar nga popullsia shqiptare. Djegia e fshatrave dhe shkatërrimi i lagjeve shqiptare nëpër qytete u kthyen në metodë shtetërore. Edhe disa zëra progresivë serbë të kohës e kundërshtuan këtë dhunë të tmerrshme, por kryeministri i atëhershëm serb, Milan Piroçanac, kishte prerë çdo debat, duke deklaruar: “Nëse do t’i lejonim të qëndrojnë këtu, do të na krijojnë probleme.”
Kjo rritje e mëtejshme e ndjenjave anti-shqiptare u kodifikua më pas në projekte gjeopolitike si “Naçertanija”, duke u shtrirë me pretendime të qarta territoriale mbi Kosovën, Maqedoninë Perëndimore dhe veriun e Shqipërisë, rajone këto që banoheshin kryesisht nga popullsia shqiptare. Për ta arsyetuar këtë dhunë, makineria propagandistike dhe autorët serbë ndërtuan një narrativë ku shqiptarët përshkruheshin gjithmonë si “banditë”, “egërsira” dhe “uzurpatorë”, duke zmadhuar apo shpikur krime për ta viktimizuar shtetin serb. Ata e paraqisnin popullsinë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri (Novi Pazar), Kosovë dhe Maqedoni si një “lumë vërshues të dalë nga shtrati i vet”, duke pretenduar me cinizëm se, përmes spastrimit dhe vrasjeve makabre, Serbia thjesht po kthehej në të ashtuquajturin kufi historik dhe po vendoste të drejtën e saj, duke “mohuar çdo të drejtë të shqiptarëve”.
Aktualisht, edhe sot presidenti serb ëndërron ato që dikur i ëndërronin paraardhësit e tij.
Shqiptarë, mos harroni: një ditë do të rikthehemi në trojet tona!