Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Sentenca latine, ende aktuale pas dy mijë vjetësh

Kur isha pesëmbëdhjetë vjeç, profesori i latinishtes Gaspër Shoshi që na i kujtonte dr. Pjerin Radovani këto ditē, na mësoi një nga sentencat që do të më shoqëronte gjatë gjithë jetës: “De gustibus et coloribus non est discutandum”. Me kalimin e viteve kam kuptuar se pak thënie kanë mbetur kaq të vlefshme dhe kaq të zbatueshme në jetën e përditshme.

Shijet, ndjeshmëritë dhe preferencat janë ndoshta fusha ku individualiteti i njeriut shfaqet më qartë. Secili ndërton një raport të veçantë me të bukurën, me artin, me natyrën, me njerëzit, madje edhe me mënyrën si e jeton jetën. Prandaj nuk është rastësi që në zhargonin tonë përdoret shpesh shprehja: “Po të kishim të gjithë një mendje, do të merrnim të njëjtën grua”. Pas humorit që mbart kjo fjali fshihet një e vërtetë e madhe: njerëzit janë të ndryshëm dhe pikërisht kjo e bën shoqërinë njerëzore të pasur.

Preferenca nuk është vetëm një fenomen biologjik. Në të ndërthuren predispozitat natyrore me edukimin familjar, shkollor e shoqëror, me kulturën, përvojat, kujtesën dhe emocionet. Çdo njeri ndërton një sistem të vetin vlerash estetike dhe shpirtërore, ndaj ajo që prek thellë njërin mund ta lërë krejt indiferent tjetrin.

Kjo është arsyeja pse debati për shijen rrallë prodhon një të vërtetë përfundimtare. Mund të diskutojmë, të argumentojmë, të ndikojmë te njëri-tjetri, por jo të imponojmë shijen si një ligj universal. Në art kjo bëhet edhe më e dukshme. Një vepër që për dikë është kryevepër, për një tjetër mund të mos ketë asnjë domethënie. Koha mund të ndryshojë vlerësimet, por nuk e zhduk kurrë të drejtën e secilit për ta përjetuar ndryshe bukurinë.

Ndoshta madhështia e kësaj sentence latine qëndron pikërisht këtu: ajo na mëson jo vetëm të pranojmë ndryshimin, por edhe ta respektojmë atë. Toleranca ndaj shijes së tjetrit është, në fund të fundit, një formë respekti ndaj lirisë së individit.

Gjatë udhëtimit tim artistik jam ndeshur me shije, ide dhe mendime nga më të ndryshmet. Ka pasur raste kur jam befasuar, por këtë e kam konsideruar pjesë të natyrshme të rritjes së çdo individi. Askush nuk është i detyruar të shohë botën me sytë e mi.

Kohët e fundit, përdorimi masiv i rrjeteve sociale më ka vënë shpesh në mendime. Jo rrallë kam vënë në pikëpyetje edhe mendimet e mia të shprehura publikisht. Ka ndodhur që reagimet të më vijnë nga njerëz që i njoh, madje edhe nga miq. E kuptoj se kur një mendim prek zona të ndjeshme – politike, shoqërore apo morale – në një mjedis ku ende besohet se “heshtja është flori”, reagimet bëhen më të forta.

Megjithatë, unë vazhdoj të besoj se frymëmarrja e mendimit duhet të jetë e lirë, pa kushtëzime. Çdo njeri ka të drejtë të shprehë bindjet e veta, për sa kohë ato nuk cenojnë lirinë dhe dinjitetin e tjetrit. Kufizimi i fjalës nuk duhet të jetë rregulli, por përjashtimi.

Po aq e natyrshme është edhe që dikush të mos pajtohet me mua. Kontestimi nuk më shqetëson; ai është pjesë e dialogut. Ajo që më shqetëson është kur mendimi nuk kundërshtohet me argumente, por me etiketim, me fyerje ose me përpjekjen për ta mbyllur gojën e atij që mendon ndryshe.

Ndoshta pikërisht këtu rikthehem te sentenca që më shoqëron prej rinisë: “De gustibus et coloribus non est disputandum”. Jo sepse nuk duhet të bisedojmë për shijet, idetë apo bindjet, por sepse duhet të pranojmë se tjetri ka të drejtë të jetë ndryshe. Liria ime për të folur dhe liria e tij për të mos rënë dakord nuk janë kundërshtare; ato janë dy shtyllat mbi të cilat qëndron një shoqëri e lirë.

Nuk është kontestimi ai që rrezikon lirinë, por mohimi i së drejtës së tjetrit për të pasur një mendim ndryshe. Pikërisht kjo e bën sentencën latine ende aktuale pas dy mijë vjetësh.